Skip to main content

“Shkenca: Këndoni që të reduktoni stresin” plus 9 more - Gazeta Dita

“Shkenca: Këndoni që të reduktoni stresin” plus 9 more - Gazeta Dita


Shkenca: Këndoni që të reduktoni stresin

Posted: 20 Apr 2018 02:28 AM PDT

 

Këndoni për të lehtësuar ankthin, reduktoni stresin dhe të keni humor të mirë.

Është shkenca që e thotë dhe jo një princeshë Disney, që shfaqet gjithmonë duke kënduar.

Nga një studim i universitetit të Frankfurtit, e publikuar në revistën Journal of Behavioral Medicine, thuhet se këndimi redukton prodhimin e kortizolit, hormonit të stresit që ul humorin dhe mbrojtjen imunitare.

Acerbic është armiku i serretoninës, hormoni antagonist që na sjell humrorin e mirë.

Edhe universiteti i Gotenburgut në Zvicër ka arritur në përfundimin që kënga redukton stresin dhe favorizon përqendrimin, pra produktivitetin, falë prodhimit të endorfinës dhe oksitocinës që do të stimulonte.

Këndoni në dush, në shi, në koncerte e pub-e, karaoke, bashkë me të tjerët, në makinë, teksa hani apo edhe pse mund tju duket çmenduri edhe në mes të njerëzve.

a.s/dita

Myzeqarët nëpër botë

Posted: 20 Apr 2018 02:18 AM PDT

 

Nga Naun Kule

Në vitet e para të pasvdekjes së Skënderbeut, si nga shumë vise të tjera të Arbërisë, edhe nga fushëtirat e begata të Myzeqesë, emigrimet për t'i shpëtuar nënshtrimit të pushtuesve kanë qenë aq masive sa kanë braktisur fshatra dhe qyteza të tëra.

Emigrimet masive të shqiptarëve, sidomos për në Greqi u bënë në çerekun e dytë të shekullit 14-të për shkak të pushtimit të Arbërisë nga mbretëria serbe e Stefan Dushanit. (Kur armiku vjen nga veriu, shpëtimi gjendet nga jugu!

Që nga mezi i shekullit të 15-të, kur osmanët e pushtuan tërësisht Arbërinë, studiuesit numërojnë shtatë emigrime, të cilat shkojnë deri tek shpërnguljet e shekullit 18-të.

"…Në vitin 1770, një valë e re emigrantësh nga rrethet e Dibrës dhe shumë të tillë nga fshatrat e Myzeqesë shkojnë dhe vendosen në krahinën e Lalës dhe në Bardhuni…"(Greqi N.K)

Por, pas pushtimit osman, vala e emigrimeve masive kishte edhe drejtimin e përtejdetit Adriatik. Shqiptarët kishin një udhërrëfyes në këtë tokë, të premtuar nga mbreti Ferdinand i Napolit, kryetrimit-Skenderbe dhe prijësve të tjerë, miq dhe bashkëluftëtarë të tij. Për atje, siç dihet, udhëtuan edhe familjarët e Skenderbeut-gruaja dhe djali.

Këto mendojmë se janë arsyet pse në këtë mes shekulli, mërguan për në Itali, madje masivisht deri edhe ajka e shoqërisë shqiptare, nxitur dhe pasuar edhe nga bashkëluftëtarë të Skënderbeut, siç bënë princërit Muzakë. Është koha dhe shkaku kur në Italinë e jugut zunë t'i bëjnë vend njeri pas tjetrit ngulimet e para arbëreshe, duke krijuar një "Arbëri të dytë", shtuar e "gjethuar" deri në ditët e sotme.

"…Trevat e Despotatit të Beratit… ishin nga më të prekurat prej emigrimeve masive të fundfillim shekujve 14-15-të. Në vitin 1392, turma fshatarësh iknin drejt Durrësit" (pra për në Itali-NK)

Dihet se që nga shekulli i katërt para Krishtit, kjo trevë njihej si zonë rivaliteti mes Romës dhe grekërve. Në vitin 48 para Krishtit, Çezari zbarkoi në Palasë me shtatë legjione ushtarësh romakë, mori qytetet Amantia, Apolonia etj dhe u ndesh me rivalin e tij romak Pompeun i cili, mbante Durrësin, në mezin e Myzeqesë, në brigjet e lumit Seman (Apsus).

Pas kësaj njohjeje nga ana e romakëve, në bregun lindor të Adriatikut u vendosën familje romake që merreshin edhe me veprimtari prodhuese, siç ishte familja Caminni, (kaminat në Myzeqe) e cila, u shqua në zejen e poçerisë. Kjo bëri që në shekujt 5-6 pas Krishtit, detin Adriatik romakët, tashmë andej dhe këtej bregut, ta quanin "deti latin".

Pasuria e kësaj prapatoke ishte kaq e madhe sa përballoi mijëra ardhacakë nga Italia.

Venecianët-shkruan dokumenti venedikas- nuk kanë ara e vreshta të tjera veç detit…"

Ndërkohë, marrëdhëniet mes venecianëve dhe shqiptarëve u bënë aq miqësore deri në krushqi mes familjeve shqiptare dhe venedikasve. Kësisoj, shumë prej tyre bënë edhe pasuri në trevat e Myzeqesë e më tej, siç bëri "…veneciani Jakov Kontureni i cili, në vitin 1319, krijoi fermën e tij në këto anë ku rriste mbi 40 kuaj, 150 lopë, 1300 dele, 250 derra etj."

Por, pas shkatërrimeve të shumta të luftrave romake qytetet italike të bregut perëndimor humbën shumë fuqi njerëzore sa drejtuesit e qyteteve italike, u detyruan sjellin sa më shumë emigrantë shqiptarë e sllavë (nga Ballkani jugor) që do punonin tokat e mbetura djerrë, do popullonin dhe rindërtonin qytetet e shkatërruar nga luftrat.

Kalldrëmet e mrekullueshme ndër qytetet e Riminit, Fermos, ose kullat e qyteteve Ascoli, Piçentos, etj, janë vepra të këtyre emigrantëve shqiptarë por jo vetëm.

Prijësi Malatesta kërkonte njerëz për të rindërtuar dhe banuar qytete të tilla si Rimini, me marrëveshje që emigrantëve t'u jepeshin toka falas me kushtin e vetëm që t'i punonin.

Gjatë shekujve 16-18-të, vetëm në Siçili, numëroheshin 95 ngulime shqiptare, ndërsa në krahinën e Puljes, në fillim të shekullit 18-të, banonin 55 mijë shqiptarë ndërkohë që, gjithë shqiptarët e vendosur në Italinë e jugut, kapërxenin të 200 mijë vetët.

***

Por, a kemi myzeqarë, lalë e laljotë në këto shpërngulje masive?

Pa mëdyshje, po. Emërtimet e derisotme, gjuha e ruajtur dhe botimet e krijuesve të shumtë ndër arbëreshët e Italisë, flasin pikërisht për rrënjë të herëshme, shkulur ndër këto troje dhe ushqyer e selitur atje, brez pas brezi me genin dhe mushtin e të parëve nga erdhën.

Le të kujtojmë vetëm njerin prej tyre, Gavril Dara (i riu-1826-1885) në thirrjen e dhimbëshme për kujtimet e luftrave brohoritëse në "motmotin e madh", përmes vargjeve që ushtojnë këtej e matanë brigjeve, si një thirrje e shekujve për dheun-amë:

"Mori bijë-bijë e Lalës/ Pse më çon në mon' e shkuar…!?"

apo "Se Berat-se Berat, kënton Mara që me natë …"

Por, ndërsa në Italinë jugore, shqiptarët ikanakë mbrojtën deri më sot identitetin arbëror me të gjithë treguesit shpirtërorë e material; edhe gjuhën, edhe kishën, edhe fenë, fatkeqësisht nuk ndodhi kështu me sivëllezërit e tyre shpërngulur dhe vendosur në ishujt dhe territoret greke. Politika helenizuese e Greqisë së "madhe" ka çuar në asimilimin masiv të bujtësve siç ndodh edhe sot, pasi:"Grekërit nuk vlerësojnë asgjë tjetër veç triumfit të fesë së tyre"

Në historinë e lashtë dhe të re greke, kur kisha dhe shkolla nuk e arrijnë asimilimin dhe shkombëtarizimin e popullsive jo greke, hyn në punë edhe…kama!

"…Nga 20 mijë myslimanët e Lalës (krahinë e Moresë), thuajse nuk mbeti asnjë …. Më të shumtët u vranë. Grekët u prisnin rrugën laljotëve duke i sulmuar në befasi deri sa i grinin me thika"(10)

Kapedani Teodor Kollokotroni dhe Ali Farmaku (kapedani mysliman i laljotëve të Elidës), nënshkruan një marrëveshje për të luftuar sëbashku kundër Turqisë dhe pas çlirimit të Moresë (dhe krahinës së Lalës), do të formonin qeverinë me numër të barabartë ministrash shqiptarë dhe grekë. Projekt i përsëritur ky, i cili mbeti në letër.

Në regjistrimin e parë osman të vitit 1431, Libofsha(Myzeqe), shënohet si fshat me 13 shtëpi (Liboç me 13 hane) Në rregjistrimin pasardhës të vitit 1570, ajo është shtuar në 165 shtëpi. Ndërsa në rregjistrimin e radhës, në vitin 1850, pra pas gati tri shekujsh popullim, në vend të rritej numuri i familjeve ka zbritur në 34 shtëpi.

Pra, shpopullimi përmes emigrimit ka vazhduar gjatë shumë viteve të pushtimit osman. Dihet se popullsia e këtyre anëve ka qenë dhe ka mbetur thuajse krejtësisht e krishtere. Pra, veç barrës së rëndë ekonomike dhe taksave të shumta që duhej të përballonte bujku i kësaj fushe, duhej të përballonte edhe luftën politike të pushtuesit për ta islamizuar ose për ta ndëshkuar me gjithësej si i pafe dhe i pabindur ndaj padishahut.

Kjo shtypje e dyfishtë ka shoqëruar banorët e këtyre anëve gjatë gjithë shekujve të pushtimit osman. Por, ndërsa në fshatrat dhe krahinat e tjera të vendit ky emigrim, i detyruar sidomos nga mungesat ekonomike ka vazhduar deri në dekadat e para të shekullit njëzetë, në Myzeqe, kjo plagë e rëndë shoqërore ishte më e kufizuar. Dhe kjo, ka arsyjet e veta…

Mes tokës pjellore dhe kushteve natyrore më prodhuese të gjithë vendit, bujku i këtejm mund ta siguronte kafshatën. Ndaj dhe emigrimet e banorëve myzeqarë nuk janë nxitur aq shumë nga shtrëngesat ekonomike se sa nga motivet politike.

Patrioti Jorgji Dhamo nga Libofsha, i ndjekur nga pushtuesit sepse i gjetën abetare shqip, në vitin 1906, u shpëtoi duke ikur tek bashkëvendësit e tij në Filadelfia (SHBA), prej nga erdhi dy vjet më vonë, më 1908 , gjithashtu me abetaren dhe libra shqip.

Prifti dhe mësuesi dëshmor, Papa Spiro Saqellari nga Kolkondasi, për ta shpëtuar djalin e vetëm Petron,(1903-1986), nga pengmarrja prej pushtuesve osmanë, që të bënin zap të atin, , e çon tek kushurinjtë dhe bashkëfshatarët në Bukuresht ku kaloi gjithë jetën.

Në gusht,1908, në Berat hapen dy shkolla shqipe, njerën nga të cilat e drejton Babë Dudë Karbunara. Për këtë ngjarje tepër të gëzueshme, shkruan edhe gazeta "Liria" e Selanikut:

"…Jorgji Karbunara dhe Ismail beu folën shqip secili në shkollën e tij, para autoriteteve ushtarake dhe fetare, konsullit grek dhe gjindjes së panumurt, muhamedanë dhe të krishterë…"

Korrespondenti i Myzeqesë, i qahej gazetës "Zgjimi i Shqipërisë"në Janinë, se: "…Në gjithë Myzeqenë janë dhe tri shkolla turqisht… Njerëzit janë të varfër, të zhveshur dhe fort të paditur.. (13)

Informacionet dhe dëshmitë e këtyre veprimtarive të përbashkët atdhetare janë shkrimet e shumta me autorë dhe vendnisjeje pikërisht myzeqarët dhe Myzeqenë, të cilat i lexojmë sot në gazetat që dilnin në Stamboll, Bukuresht, Kostancë, Sofie, Manastir, Boston, Selanik, Kajro, Janinë, etj. Që në vitin 1902 konsulli austriak njofton qeverinë e tij nga Durrësi se :

"…Në Fier janë grumbulluar fonde për të blerë libra dhe gazeta shqip dhe se… këtu vijnë rregullisht dhjetë ekzemplarë të gazetës "Drita" (Gazeta "Drita" dilte në Sofie, Bullgari).

Rrugëkalimet e shumta të këtejme që siguronin lëvizje për mallrat, njerëzit dhe kulturat , që në lashtësi lidhnin qendra të tilla kulturore si Apolonia, Durrësi e Berati, me degët e rrugës Egnatia me molin e Pirgut, të Spinaricës, Bashtovës, Karavastasë dhe Semanit ishin disa nga udhëkalimet e herëshme të këtyre banorëve me botën dhe kulturën e pertejdetit.

"Subashi i Myzeqesë, psh, në vitin 1907, i shkruan një letër Shoqërisë së Bukureshtit dhe pasi i uron asaj punë të mbara, i kërkon një methodë shqipe dhe një libër që i vlen bujqësisë, …

Gazeta "Drita" që botohet në Manastir, në gusht,1912, nën titullin "Ç'fund do marri kryengritja e përgjithshme?" flet për disa çeta luftëtarësh në Elbasan, Vlorë e Durrës:

"…Në Berat, Fier e Lushnjë, numuri i kryengritësve kapërxen 4000 vetë. Si komandant i kësaj ushtrie të madhe është Zija beu. Në Shqipëninë e poshtëme, nuk ka katund pa një çetë pranë vetes…"

Korrespondenti i Myzeqesë në prill, 1911, shkruan në gazetën "Zgjimi i Shqipënisë" që dilte në Janinë(Greqi), për panairin që është zhvilluar në nahijen e Fierit dhe se aty kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria e jugut dhe e mesme…

Gazeta "Shqipëria e re-Nuova Albania" që botohej në Kostancë të Rumanisë, nën titullin

"Në Myzeqe" dhe "Përshtypje nga vendi ynë" përshkruan një tablo tronditëse të gjendjes së mjeruar të fshatit dhe bujqërve të kësaj treve, në dekadën e dytë tëshekullit 20-të.

Në këtë korrespondencë të bollshme e cila, ndonëse rrok të gjitha fushat e jetës, rreh shumë më tepër problemet e çlirimit kombëtar dhe të botimeve në gjuhën shqipe, atdhetarët dhe mësuesit myzeqarë, gjejnë tek bashkëluftëtarët e tyre jashtë atdheut motivet, nxitjen dhe vendosmërinë për të mos u tërhequr nga kjo luftë atdhetarësh.

"…Priftërinjtë dhe mësonjësit grekër përpiqen t'i ftohin shqiptarët nga kombësia e tyre…-

i shkruajnë një grup myzeqarësh nga Fieri në korrik të vitit 1912, Gazetës "Drita" në Manastir (Maqedoni)

…Lidhja që kemi me ta është vetëm lidhje fetare, por gjaku që na lëvrin nëpër dej është gjak shqiptari… Neve gjer më sot kemi mbrojtur gjuhën tënë dhe tashti e paskëtaj, me këtë gjuhë të shënjtëruar që na kanë lënë prindërit, do të flasim…"

Edhe krijimet me temë patriotike të autorëve myzeqarë, siç është poezia e djaloshit libofsharak, dëshmorit të Luftës NÇl, Zoji Ndreko Libofsha (siç e shkruan ai), e botuar më 1910, në "Kalendarin kombiar" në Selanik, ndihet qartë shqetësimi i madh i autorit 21 vjeçar për fatet e vendit, rreziku dhe nga fqinjët grabitqarë. Poeti i ri myzeqar bënë thirrje për domosdoshmërinë e të mësuarit të shkrimkëndimit shqip, si mjeti i vetëm për të ruajtur identitetin kombëtar.

 "Bij të Shqipërisë jemi, shqipëtarë emrin e kemi

 Që kur linda gjer të vdes, Shqipëri ty do të thërres…!

 Në duam ty të mos harrojmë,

 Gjuhën shqipe të mësojmë…!" (20)

Është me interes të theksojmë për këtë temë edhe një shkrim të shkruar nga Faik Konica dhe të botuar në gazetën "Dielli e flamuri" në Boston (ShBA), në të cilin zoti Konica, ankohet se "myzeqarët e Filadelfisë …" nuk iu përgjigjën kërkesës së tij për ta pritur në Filadelfi, sipas bisedave që kishte parabërë. Këta, pra "myzeqarët e Filadelfias… që "shkojnë deri në 700 shqipfolës" nuk e pritën sepse nuk deshën ta ndihnin Konicën të nxirrte në Filadelfia, një gazetë shqipe e cila, siç shkruan Faiku;

"…nuk do shkruante asnjë fjalë për politikë, por do ishte fjeshtë letrare dhe historike…"

Mendojmë se arsyeja e refuzimit të myzeqarëve këtu, ndaj kërkesës së Konicës, është tjetër gjë. Këta njohin përplasjet e këtyre viteve mes dy personaliteteve shqiptare Noli-Konica, dhe nuk duan as t'i nxisin as të bëhen palë me njërën anë, pasi gazeta që do nxirrte Konica, mund të ishte kundërvënie ndaj Nolit.

Por në vështrimin tonë paraqet interes fakti tjetër; cilët qenkan këta myzeqarë që përbëjnë "më se 700 shqipfolës"-siç shkruan Konica, të cilët njohim mirë dhe përkrahin kaq fuqishëm gazetat e patriotëve shqiptarë deri në Amerikë?!

Letra e Konicës na sjellë në vëmendje se në Filadelfia (ShBA), qenkan kaq shumë myzeqarë intelektualë tek të cilët Konica kërkon dhe beson se mund të mbështetet për të botuar gazetë shqip dhe të zhvillojë veprimtari atdhetare. Të kujtojmë këtu se në vitin 1908, kur u hap shkolla e parë shqip e Myzeqesë në Libofshë, patrioti libofshar Jorgji Dhamo u kthye dhe solli libra e abetare shqip, pikërisht nga Filadelfia, ku shkoi në vitin 1906. Pra "shqipfolësit" e Filadelfisë në Amerikë ishin të njohur për intelektualët atdhetarë të Myzeqesë e pse jo, edhe bashkëvendas të tyre.Dokumente të tjerë shkruajnë edhe për organizime a grupime të banorëve në Myzeqe në përkrahje dhe mbështetje të veprimtarëve jashtë Shqipërisë. Këta marrin dhe lexojnë –madje rregullisht- botimet shqip të këtyre Shoqërive.

"…Ka tri muaj që s'kishim marrë gazetën- i shkruajnë myzeqarët në një letër dërguar gazetës "Liri e Shqipërisë" në Sofie(Bullgari),pikërisht nga Libofsha, në muajin maj, 1910.

..Sot e morëm dhe të gjithë anëtarët e saj u gëzuan fort shumë…"

Përmbajtja e kësaj letre dhe e disa letrave të tilla, dëshmojnë se veprimtaria atdhetare dhe arsimore e banorëve të kësaj treve ka qënë objekt pune për ata patriotë dhe se një grup simpatizantësh këtu, shkruajnë dhe lexojnë në gjuhën shqipe e i presin me padurim…!

***

 Letra për larg nga…Myzeqeja.

 Për në Sofie, Bullgari: 15 qershor,1914

 Zoti drejtor i gazetës "Liri e Shqipërisë;

Lutem ta kini mirësinë t'u bëni vend këtyre shkrimeve në fletë-zat e z-suaj!

Disa herë kam dashur të shkruaj …për ngjarjet e Myzeqesë, për hidhërimet dhe mundimet e ndryshme, për mëmëdhenë e dashur dhe për vendasit e mjerë që po e pësojnë përditë nga të ndryshmit tiranë.

Nga të krishterët e këtyre viseve; Myzeqe, Fier, Lushnjë, Berat, qenë Papa Spiro Saqellari dhe Papa Dhima, Jani Minga, Jorgaq Semini me gjithë të shoqen, mësonjësen e shkollës të vashave në Lushnjë….z.D.Kolea, z. Zoji (Ndreko-N.K) dhe unë, i nënshkruari i kësaj letre që qemë me qeverinë shqiptare…luftuam sa u prishëm…

…Më 18 janar të vitit 1914, kur çeli shkollën shqipe Papa Spiro Saqellari në fshatin Grabian

në krye u mblodhnë djem e vasha të krishterë e muhamedanë. Por si morën urdhër nga dhespoti i Beratit, të krishterët i hoqnë fëmijtë… Papa Isaija nga fshati Shen Pjetër (Seman-Fier, N.K), çeli një shkollë shqip në katund e cila veproi mjaft kohë. Kur u hap lufta kundër rrebelëve me ta shtënë në dorë atë (Papa Isainë-N.K), e shpunë në Fier, e xhveshnë lakuriq, i varën këmborë në qafë dhe e munduan mjaft duke i thënë:

-Thuaj që jam osmanlli…! I mjeri prift përgjigjej:-Shqiptar linda, shqiptar do vdes…!

Dëshmori Papa Isaija qendroi deri në fund, i duroi të gjitha. Në fund e bënë syrgjyn…

Nga të krishterët e Beratit permend zotin Dudë Karbunara. Një plak 80 vjeç që kishte hapur shkollën shqip në qytet. Kur hynë rrebelët në Berat e munduan mjaft të gjorin plak sa u sëmurë dhe ra në shtresa. I thonin:-Thuaj që jam osmanlli!

-Jo mor burra. Unë, burrë plak t'ju rrej juve!?…Edhe ju jeni shqiptarë…! Jeni si unë…!

Nga Lam Shtëmbari ; Nahija e Lushnjes-Krutja e Poshtëme (23)

***

Letër nga Libofsha-Myzeqe

 Për në Misir, Egjypt: 05. mars, 1909

 Zoti direktor;

….Të më dërgosh fletënë "Rrufeja" se ma ka ënda të këndonj. Këtu në Libofshë-Myzeqe, kemi një Mësonjëtore ku mësohet turqishtja prej një hoxhe dhe shqipja prej një të krishteri…Në këtë shkollë bëhen ndonja njëzetë djem myslimanë e të krishterë….

Ka djem por nuk i dërgojnë se të krishterët, dëgjojnë priftërinjtë ç'u thonë.

Këta si grekomanë që janë u thonë:-Mos i dërgoni djemtë se të nxjerrë nga besa ky mësim…Kështu thotë edhe dhespot efendiu i Beratit…! Në shkollat greqisht të Fierit, mësohet edhe shqipja…..

Të falem; Jovan Kristo Ndreko, Libofshë-Myzeqe (24)

***

 Letër nga Lushnja;

 Shkëlqesisë së Tij, Uillson;

 Kryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës-Uashington,

 Lushnjë, më 17 mars, 1920

…Shqiptarët i kanë pështetun shpresat e gjallnisë mbi shtyllat e parimeve fisnike të Shkqlqesisë Suaj.

I nalti kryetar, shpëtoni nji popull qi asht m'i vjetri nëBallkan e që ka drejtue vështrimet e shpëtimit t'Ekselenca Juaj dhe mos e lini të derdh gjak e me vdek para lakmive imperialiste të fqinjëve, veç sigurimin e kufinjëve të 1913-ës.

Ju lutemi me fuqinë e shpirtit, të mos pëlqeni krasitjen e paarsyeshme si mbi Kosovë dhe Çamëri, mbi kufitë natyral dhe ethnografikë t' Atdheut tonë të cilat,pas parimeve fisnike të Shk.s'Uaj, nuk munden me qenë të ndara nga mëma e tyre, Shqipëria. Lutemi, n'emën të popullit, pranoni nderimet tona, krejt besnike.

Kryetar i Katunderisë Lushnjes

Rrymat e Atlantikut po ndalen, shkencëtarët: Rrezikohet epoka e akullnajave

Posted: 20 Apr 2018 02:09 AM PDT

 

Rrymat oqeanike që mbajnë të ngrohta brigjet e Atlantikut në Europë dhe në Amerikën e Veriut kanë ngadalësuar ndjeshëm që prej vitit 1800 dhe tani janë më të dobëtat në 1600 vitet e fundit.

Një grup paleoqeanografësh, të udhëhequr nga Peter Spooner i Universitetit të Kalifornisë thonë se ky dobësim i dy rrymave kryesore, njëra e ngrohtë dhe tjetra e ftohtë ka një rol thelbësisht të rëndësishëm sa i takon klimës globale.

Bëhet fjalë për një sistem natyror, ku uji i ngrohtë transporton kripën dhe të ngrohtin drejt veriut të Atlantikut. Pasi ftohet ky ujë bie në fund të oqeanit dhe udhëton sërish për në jug dhe vazhdon kështu pambarimisht. I gjithë efekti që shkakton ky proces është një temperaturë e ngrohtë në brigjet e Amerikës së Veriut dhe të Europës përfshirë këtu edhe rajonin tonë me Mesdheun, por me ndikim të fortë edhe në klimën globale.

Rrymat Oqeanike

Për këtë dobësim shkencëtarët fajësojnë ngrohjen.

"Qarkullimi i këtyre dy rrymave është thelbësor për klimën. Ngadalësimi i tyre mund të ketë nisur natyralisht, por me gjasa është përforcuar nga ndryshimet klimatike dhe çlirimi i gazrave të dëmshëm në atmosferë", thotë Spooner.

Më tej ai paraqet një skenar apokaliptik, të ngjashëm me atë të portretizuar nga Hollivudi në filmin "The Day After Tomorrow".

"E dimë që gjatë epokës së fundit të akullnajave luhatjet e forta të rrymave të ajrit çuan në kushte ekstrem dhe radiale të motit në shkallë globale. Duket e ekzagjeruar, por një rast i tillë është përshkruar më së miri në filmin e vitit 2004 The Day After Tomorrow",shton ai.

Studiuesit thonë se një shkak tjetër i ngadalësimit të dy rrymave kanë qenë temperaturat rekord të larta të regjistruara në veri të Atlantikut.

a.s/dita

Meta, kafe me legjendën e volejbollit, Vangjel Koja

Posted: 20 Apr 2018 02:02 AM PDT

 

Kreu i shtetit Ilir Meta ka preferuar ta pijë kafen e mëngjesit këtë të premte me profesor Vangjel Kojën, ish-trajner volejbolli, i cili mbush 85 vjeç.

"Sot me Profesor Vangjel Kojën, trajnerin kampion të volejbollit tonë, për t'i uruar 85-vjetorin e ditëlindjes dhe për t'i shprehur mirënjohjen më të thellë për arritjet historike të volejbollit në të kaluarën", shkruan Meta.

Ai thotë se volejbolli kërkon më shumë mbështetje për ta rikthyer këtë sporti në pjesë të krenarisë kombëtare.

"Tradita e shkëlqyer në volejboll kërkon më shumë mbështetje për ta rikthyer këtë sport jo vetëm në pjesë të krenarisë kombëtare, por edhe duke përfshirë më shumë fëmijët e të rinjtë në këtë sport të bukur e me frymë ekipi", shkruan Meta.

a.s/dita

“Politika sot bëhet; kush shkon më shumë tek zyra e kryetarit”

Posted: 20 Apr 2018 01:51 AM PDT

 

Një gruaje i duhet dy herë më shumë punë për t'u evidentuar në politikë! Shumë gra në vendin tonë kanë bërë karrierë në këtë fushë, por nuk kanë dalë pa kosto nga kjo sipërmarrje. Disa të tjera janë “divorcuar” nga politika duke mos e përballur dot presionin e saj… Sot në "Dita" po sjellim një intervistë të ish- deputetes së PD-së, Arbjola Halimi, e cila nuk është ndarë, por është distancuar për pak kohë nga kjo fushë e "minuar" me paragjykime mbi gratë…

 

Nga Entela Resuli

Arbjola Halimi provoi të ishte deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo përfaqësoi Partinë Demokratike mandatin e kaluar e zgjedhur në Qarkun e Elbasanit.

Halimi vinte nga fusha e psikologjisë dhe pedagogjisë.

Ajo është doktoruar për psikologji dhe jep mësim në Fakultetin e Shkencave Sociale.

Me dëshirë për të dhënë kontributin e saj në zhvillimin e vendit ajo mendoi se rruga më e mirë për ta bërë këtë ishte nëpërmjet politikës.

E provoi, por mesa duket nuk doli fort e kënaqur.

Sot Halimi është jashtë parlamentit dhe e distancuar nga politika, por jo e ndarë përgjithmonë.

Lidershipi i partisë që ajo mbështet, sipas saj nuk është në rrugën e duhur.

Ajo ka humbur besimin tek ai dhe për pasojë do të refuzonte çdo ofertë që do i vinte nga kreu aktual i PD-së.

Jemi ndalur te Arbjola për të sjell këtë rrëfim në Dita, mbi sfidat e një gruaje në politikë dhe çfarë e ka shtyrë atë të distancohet prej saj.

Nëse politika është një terren i ashpër për gratë dhe një rrugë e shtruar për burrat, do e kuptojmë nëpërmjet kësaj bisede me pedagogen Arbjola Halimi…

 -Zonja Halimi, futja juaj në politikë ishte e rastësishme, apo një dëshirë e juaja e kahershme?

Nuk mund të them se ishte e rastësishme por as edhe jo dëshirë e kahershme e imja. Në fakt unë as që e kisha menduar ndonjëherë përfshirjen time në politikën aktive pasi i isha dedikuar tërësisht karrierës sime profesionale. Unë kisha marrë pjesë në disa takime të partisë ku aderoj pas ftesave që më bëheshin, duke qenë se njiheshin pak a shumë bindjet e mia politike, edhe pse nuk shprehesha shumë në lidhje me to. Mendoj se çdo njeri në një farë mënyre është i lidhur me politikën në diskutimet që ngre mbi jetën, njerëzit, etj, pavarësisht udhëtimit që ka ndërmarrë në jetë.

-Sa kohë qëndruat në politikë dhe çfarë mësuat prej saj?

Për të qenë të saktë nuk kam deklaruar në asnjë moment largimin apo shkëputjen prej saj. Edhe po të dua të largohem nuk është e thjeshtë, pasi njerëzit të identifikojnë si pjesë të saj gjatë gjithë kohës. Jam pak më e distancuar po mund të them, për shkak të angazhimeve të tjera por jam mjaft e kujdesshme dhe vigjilente me të gjitha zhvillimet politike që ndodhin sot në vend. Është diçka që brendësohet, bëhet pjesë e jotja dhe nuk i largohesh dot më. Koha si person i mandatuar në Kuvend ka qenë e shkurtër, rreth 2 vjet e gjysmë, por besoj se e kam shfrytëzuar më së miri në detyrën që kam pasur. Nuk kam pishmane. Sa i përket kohës së angazhimit aktiv, ku unë kam pasur edhe role të rëndësishme (si anëtare ka qenë shumë më herët) në PD, kjo ka ndodhur gjatë fushatës së 2013-s dhe gjithë të tjerave në vazhdim, deri më sot. Sot për të qenë të drejtë jam pak më e tërhequr nga pjesëmarrja aktive, por kjo ka ardhur më shumë si një pasojë jo si diçka e dëshiruar.

Mësime merr shumë, mëson shumë. Së pari, sidomos gjatë fushatave njihesh dhe takohesh me shumë njerëz, njihesh me hallet dhe shqetësimet e tyre nga afër dhe bëhet më e prekshme. Mëson se sa më lart të ngjitesh aq më shumë goditesh. Jemi një vend në të cilin nuk vlerësohesh për arritjet por sulmohesh vazhdimisht. Kam mësuar edhe se koncepti ynë mbi politikën në tërësi, partitë, domethënien mbi shtetin, ligjin e të drejtat nuk ka ndryshuar shumë përgjatë viteve. Krijon edhe një përvojë, të mësuar, mbi ligjet. E keqja është se sa fillon të mësosh, disi mund të largohesh, dhe përvoja nuk të ka shërbyer për asgjë se edhe tjetri që do vijë do t’i duhet të mësojë fillimisht si ti. Nuk është se mund të japim shumë kontribut kështu, pasi për të qenë politikan duhet të bëhesh fillimisht një profesionist i politikës, gjë që vjen me kohën dhe jo menjëherë. Kam mësuar edhe se gratë e bëjnë politikën më mirë…shaka kjo, por edhe e vërtetë.

-A është politika një terren i vështirë për gratë, pse?

Në kontekstin shqiptar po. Gratë kanë shumë më pak terren për t’u përfshirë dhe për të pasur sukses në politikë. Burrat në Shqipëri janë shumë të ashpër me gratë që merren me politikë. I shohin me xhelozi të madhe, jo si bashkëpunëtore. Ka një diskriminim të dukshëm sidomos të atyre grave që reflektojnë nivele të larta aftësish. Sa më e aftë gruaja, aq më shumë sulmohet. Këtu ende kanë kompleksitetin e të besuarit se politika “është për burra”. Ndërsa unë mendoj, pa rrezikuar të bëhem feministe se nuk jam, se gratë e zbusin shumë ashpërsinë politike dhe sigurisht që kanë po aq kapacitete dhe aftësi si edhe burrat.

-Ju ikët me dëshirë nga politika apo ju "spostuan"?

Pati një mosrikandidim i cili u lexua si largimi im nga politika, por nuk është kështu. Unë vazhdoj të merrem me politikë, ashtu si e gjykoj unë. Gjithnjë brenda të njëjtës forcë politike. Kam pasur pakënaqësitë e mia dhe i kam me lidershipin, por kjo nuk të largon nga politika. Mundet që moskandidimi të lidhet me përpjekjen për "spostim", nuk e di me saktësi këtë, por kjo nuk ka ndodhur. Sigurisht kur humbet statusin, humbet edhe disa funksione të tjera politike.

-Pse ndodhi kjo?

Ka pasur shumë diskutime për këtë. Disa janë edhe publike. Ende sot nuk kemi një shpjegim të qartë të këtij largimi, pasi ka mospërputhshmëri të theksuar midis deklaratave të lidershipit të partisë ku bëj pjesë para zgjedhjeve të 2017-s në lidhje me kriteret e kandidatëve që mund të vazhdonin "garën". Kështu p.sh mbahej një qëndrim i qartë mbi pastërtinë e figurës, të qenurit i ri në politikë dhe konsekuent me qëndrimet e grupit. Një pjesë e mirë e të larguarve jo vetëm që i plotësonin por ishin zgjedhur pikërisht mbi këto kritere, dhe ende sot nuk më del i qartë largimi i tyre, arsyet e largimit më saktë. Nuk ka pasur as sot një sqarim mbi këtë pikë, dhe secili nga ne është shoqëruar me një lloj konfuzioni mbi arsyet e largimit. Po kjo i përket së shkuarës tashmë. Më vjen keq ta them po politika sot bëhet ende "kush shkon më shumë tek zyra e kryetarit" dhe jo kush i ka vërtetë cilësitë. Gjithsesi theksoj se gëzoj respekt për disa prej kolegëve të mi që janë sot aktivë në PD.

-Me çfarë sfidash përballet një femër në politikë?

Janë shumë. Nuk numërohen. E para duhet mësuar " me ngrit dolli". Shaka kjo. Më kanë mbetur në mendje mjaft takime ku pjesëmarrja ishte kryesisht me burra, dhe që për respekt ngandonjëherë duhet të bëheshe pjesë e "dollisë". I kujtoj me nostalgji se mirëkuptohesha gjithnjë. Nga ana tjetër, kur je grua në politikë je pak më vetëm. Burrat janë më shumë në numër, gratë më pak. Kur je grua sulmohesh sepse të perceptojnë si më të dobët dhe ti duhet të luftosh dyfish për të treguar se je e fortë. Ke dhe një mal me halle të tjera që kanë të bëjnë me imazhin tënd të jashtëm, tortura për veshjen, hair-maker, make-up….! edhe shumë të tjera për shkak të rolit që ka gruaja në familje, por po ndalem me kaq.

-Me çfarë merreni aktualisht, zonja Halimi?

Aktualisht unë i jam rikthyer profesionit tim, por më duhet të theksoj se nuk ka qenë e lehtë për shkak të luftës e sulmeve të ashpra që kam pasur nga të qenurit në politikë. Akoma nuk është e lehtë pasi vazhdoj ende të luftoj për të drejtat e mia që më takojnë. Janë përpjekur në maksimum të më shkatërrojnë karrierën profesionale. Në radhë të parë se jam grua, në radhë të dytë për shkak se të xhelozojnë jashtëzakonisht dhe e treta edhe për një lloj hakmarrje politike. Edhe pse harrova ta theksoj më lart, kjo është sfida më e rëndë me të cilën përballet një femër që merret me politikë në Shqipëri. Këshilla që kam për të gjitha gratë që sulmohen është të qëndrojnë të forta e nuk do mposhten.

-Si ju duket politika tani që e shihni nga jashtë?

Politika është një sfidë. Është një mundësi për të kapërcyer vetveten. Ka shumë vështirësi. Por me durimin, pasionin për të bërë gjëra të mira mund të kontribuohet. Edhe një lloj ideali duhet ç'është e vërteta. Do doja vetëm që politikanët të jenë më afër njerëzve. Kaq!

-Tani që e mendoni, bëtë mirë apo ishte një gabim përfshirja juaj në politikë?

Nuk jam penduar asnjëherë. Sado që m’u rrezikua gjithë karriera profesionale, nuk jam penduar asnjëherë. Të njëjtën gjë do bëja. Mendoj se çdo kush që ka mundësinë është mirë të japë kontributin e tij në politikë. Kështu i shërbejmë vetes edhe vendit. Kam bërë shumë mirë që e kam pranuar ftesën pasi ishte një leksion dhe shkollë e dytë për mua. Sot jam tjetër njeri, edhe më e fortë sigurisht.

– Nëse do ju jepet mundësia, ka shanse për rikthim apo jeni ndarë përfundimisht me politikën?

Kjo pyetje në fakt ngre disa shpjegime. Së pari unë kam qenë dhe jam pjesë e PD dhe nuk e mendoj për asnjë moment të vetëm largimin në një tjetër forcë politike. Jam pjesë e saj gjithnjë, në çdo kohë. Mirëpo kam një problem të madh të besueshmërisë me lidershipin e PD. Një hendek që u krijua pas ngjarjeve të majit, qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar. Në këto kushte, nëse do të më vinte një ftesë nuk besoj se do pranoja për të pasur një bashkëpunim me këtë lidership. Do ta kisha shumë të vështirë për të rifituar besimin. E nëse nuk kam besim në diçka nuk e mbroj. Nuk do bëja dot fushatë p.sh. Jam gjithnjë e vërtetë me veten e të tjerët. Nëse në të kundërt do të kishte një ndryshim të lidershipit, gjithnjë edhe ky nëse do të ishte i besueshëm dhe do të udhëhiqej nga disa parime atëherë mund ta pranoj një ftesë për bashkëpunim apo rikandidim.

Pesë këshilla që prindërit e përgjegjshëm milionerë u japin fëmijëve të tyre

Posted: 20 Apr 2018 01:40 AM PDT

Shumica e prindërve i cekin shumë pak njohuritë financiare kur vjen puna tek mësimet e jetës që u japin fëmijëve të tyre, por duket se prindërit e pasur bëjnë ekzaktësisht të kundërtën.

Këtë sekret, Steve Siebold e zbuloi pasi kaloi 34 vite duke intervistuar dhe vëzhguar më shumë se 1200 milionerë të bërë vetë.

Më poshtë janë disa prej këshillave më të rëndësishme të prindërimit, nga ata që kanë patur sukses financiar në jetë, dhe që Siebold i bëri të ditura për CNBC – shkruan The Independent cituar nga bota.al

1-Rrethohuni nga njerëz të suksesshëm

Kjo ju krijon shanse rrjetëzimi, këshillon Siebold. Duhet të keni miq të pasur. Ekspozimi ndaj vetëdijësimit të tyre të lartë për çdo gjë që lidhet me pasurinë, do të zgjerojë në mënyrë dramatike mënyrën se si mendoni.

2-Fitoni para duke zgjidhur probleme

Nëse ndihmoni për të zgjidhur një problem të përhapur, kjo është një mënyrë e sigurtë për të fituar para. Siebold tha për CNBC: "Nëse kaloni kohë vetëm në argëtim, do të vuani financiarisht gjithë jetën. Investojeni kohën tuaj duke krijuar zgjidhje për problemet e njerëzve".

3-Zgjidhni një karrierë që e doni

Do të jeni shumë më të motivuar nëse fitoni para duke bërë një punë që e doni, se sa një që e urreni. Por kjo gjë harrohet shumë kollaj gjatë garës për t'u pasuruar. Siebold i tha CNBC: "Eshtë e vështirë të harxhosh kohën dhe energjinë e nevojshme për një profesion që të mërzit. Të zgjohesh përditë i ngazëllyer që po shkon në punë, kjo është rrugë për bollëk financiar, përmbushje emocionale dhe kënaqësi në jetë".

4-Shpenzoni me kujdes

Edhe nëse paga juaj është e madhe, buxhetimi është sërish shumë i rëndësishëm që të mbeteni të pasur. Siebold i dha një paralajmërim CNBC: "Shpenzimet e tepruara të shkatërrojnë pa e kuptuar. U ndodh përditë njerëzve që kanë miliona në dispozicion".

5-Ju meritoni t'ia dilni

Më e rëndësishmja, mos e harroni kurrë se ju e meritoni begatinë. Ajo nuk është e rezervuar vetëm për njerëz me një të kaluar të caktuar. Të besosh tek vetja, kjo e bën të mundur, argumenton Siebold. "Të vetmit që thonë se nuk e meritoni, janë ata që nuk ia kanë dalë dot për vete".

n.s. / dita

Mbërrijnë në Shkodër 11 kuksianët e arrestuar, pritet masa e rivlerësimit

Posted: 20 Apr 2018 01:37 AM PDT

 

11 kuksianët e arrestuar pas protestës së dhunshme në Rrugën e Kombit, kanë mbërritur të premten në Gjykatën e Apelit në Shkodër, ku pritet të njihen me masën e rivlerësimit.

Forca të shumta policie në Shkodër kanë vendosur perimetrin e sigurisë dhe kanë marrë masa për të mbajtur njerëzit larg godinës së Gjykatës së Apelit.

Në kryeqendrën e veriut ndodhen sot familjarë të të arrestuarve dhe qytetarë të ndryshëm.

Edhe përfaqësues të opozitës shqiptare pritet të jenë në mbështetje të familjarëve që kërkojnë lirimin e menjëhershëm të protestuesve.

a.s/dita

Kotzias, optimist për negociatat me Shqipërinë: Do befasoheni

Posted: 20 Apr 2018 01:33 AM PDT

 

Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias është shprehur optimist se negociatat me Shqipërinë do të jenë finalizuar deri në fund të muajit të ardhshëm.

“Kur të diskutohet në parlament, do të befasoheni”, ka paralajmëruar Kotzias gjatë një interviste radiofonike, sipas gazetarit Robert Goro të Ora News.

I pyetur nga gazetarët nëse negociatat janë pezulluar, Kotzias ka thënë se "ndodhemi në një çështje të fundit", ndoshta duke nënkuptuar pjesën e negociatave që lidhet me "Paktin Detar".

"Këtë po e shqyrtojmë", ka vazhduar ministri i jashtëm grek, i cili ka shtuar: "Do të kemi mbledhje javët e ardhshme, ashtu siç parashikon Kushtetuta e vendit mik dhe komunikimi që bëri presidenti Meta me qeverinë e atjeshme. Kanë një procedurë të brendshme të vështirë. Besoj se deri në fund të majit do të jenë mbyllur esencialisht dhe formalisht edhe çështjet e fundit të hapura. E dini, janë probleme që ekzistojnë që prej 70-80 vjetësh.

Kur të vijë për diskutim në parlament do të befasoheni me ato që do të dëgjoni dhe me budallallëqet që bëhen nga të dy palët".

Në këtë theksim të fundit, ministri ka shënjestruar opozitën vendase si dhe disa media, që siç lë të kuptohet Kotzias, deri tani kanë shkruar gjëra të paqena.

Dhe kjo, gjithmonë sipas ministrit të jashtëm grek, ngase ekspertët e tij që marrin pjesë në negociata e kanë ruajtur fort konfidencialitetin e këtyre negociatave dhe nuk i kanë dekonspiruar ato.

Më tej në intervistë, Kotzias ka mohuar edhe një herë se pala shqiptare ka shtruar në negociata çështjen çame.

"Askush në këto negociata ka shtruar çështjen çame, nuk kemi pranuar që të shtrohet një çështje e tillë në negociatat.

Për pasuritë, të vetmet pasuri që ekzistojnë, janë ato që kanë të bëjnë me ligjin e luftës. Formalisht, në një sens, jemi akoma në luftë me Shqipërinë. Përderisa nuk bëhet me mjaftueshmëri juridike abrogimi i ligjit të luftës, këto pasuri mbeten të konservuara në duart e shtetit grek.

Që nga shpallja e luftës kundër Greqisë, nga Italia dhe Shqipëria që atëherë ishin bashkuar në një mbretëri. Këto janë që nga lufta, nuk kanë të bëjnë me çamët. Për çamët janë vendimet gjyqësore dhe janë vendime të parevokueshme", ka përfunduar ministri i jashtëm grek.

a.s/dita

Ku u hap shtypshkronja e parë në Shqipëri?

Posted: 20 Apr 2018 01:31 AM PDT

Në Voskopojë afër Korçës është vendosur shtypshkronja e dytë në gjithë Perandorinë Osmane, pas asaj në Konstandinopojë.

Voskopoja është sot një komunë që ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit.

Por ajo ka qenë dikur një qendër shumë e zhvilluar kulturore e themeluar në vitin 1330 dhe e përbërë nga shqiptarë, arumunë dhe grekë.

Veç shtypshkronjës së sipërcituar, atje u themelua Akademia e Re, një jetimore (e para në botën post-Bizantine), një spital si dhe 24-30 kisha unikale.

Voskopja u shkatërrua nga disa djegie të njëpasnjëshme: në 1769 nga osmanët, në 1788 nga trupat e Ali Pashës që e rrafshuan përfundimisht.

n.s. / dita

“Mesnata” shkatërron grupin e hajdutëve në Vlorë, 6 në pranga

Posted: 20 Apr 2018 01:29 AM PDT

 

Policia e Vlorës ka arrestuar 6 persona të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një numër të madh vjedhjesh në qytetin bregdetar.

Ata kanë kryer 12 grabitje të ndryshme në Vlorë brenda 4 muajsh, nga muaji janar deri në prill.

Sipas raportimit të policisë, shënjestrat e tyre ishin më së shumti bizneset, ku mbizotërojnë lokalet.

Numri më i lartë i vjedhjeve është kryer gjatë muajit prill, ku janë realizuar 6 grabitje nga 12 në total.

Të arrestuar janë Eduart Murati, 45 vjeç, Beqir Murati, 22 vjeç, Olsian. A., 18 vjeç, Arklejd. M., 18 vjeç, Markel Stara, 21 vjeç, dhe I.T., 16 vjeç.

Si dhe u proceduan në gjendje të lirë, për shkak të moshës së mitur, M.L., dhe A.V., të dy banues në Vlorë.

"Policia e Vlorës pas një pune intensive dhe profesionale, ka bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një sërë vjedhjesh të kryera prej shtetasve të mësipërm, të cilët vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dhe konkretisht:

Më datë 19.04.2018, në lagjen "Isa Boletini", kanë vjedhur me thyerje, lokalin Bar-Kafe në pronësi të shtetases A.L., ku kanë marrë sende të ndryshme, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale", thotë policia e Vlorës.

Ata kanë vjedhur kryesisht banesa, servise makinash dhe markete, dhe janë dokumentuar 11 vjedhje.

Materialet hetimore do t'i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale "Vjedhja, kryer në bashkëpunim".

a.s/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more