Skip to main content

“Problemi korean” plus 4 more Telegrafi Opinione

“Problemi korean” plus 4 more Telegrafi Opinione


Problemi korean

Posted: 21 Apr 2018 07:06 AM PDT

Peter Sturm

Në Kore duket se – më shumë se diku tjetër – ekziston vetëm vështrimi bardh e zi. Vetëm pak muaj më parë thuhej që gadishulli dhe ambienti përreth ecnin pa u frenuar drejt një lufte shkatërrimtare. Kurse tani duket sikur paqja e përjetshme është vetëm një çështje kohe. Si njëra, ashtu edhe tjetra janë gabim. Por po të shikosh aktorët që veprojnë, gjen shpjegim ndonjëri nga teprimet. Si Kim Jong Uni ashtu edhe Donald Trumpi preferojnë superlativat në deklaratat e tyre. Dhe presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae In, të cilin Veriu e injoroi për një kohë të gjatë, duhet të gjejë midis gjithë kësaj zhurme ndonjë mënyrë që të dëgjohet.

Të gjithën mund ta vështroje me interes dhe (ndonjëherë) me zbavitje, po të mos ishin në diskutim kaq shumë gjëra. Po natyrisht fare pa e tepruar është një përparim që Kimi dhe Trumpi vazhdojnë të flasin (gati miqësisht) për njëri-tjetrin, por që me sa duket janë të dy të gatshëm që të nisin bisedën me njëri-tjetrin.

Tani shtrohet pyetja se çfarë mund të dalë në mënyrë realiste nga një bisedë e tillë. Amerikanët synojnë së bashku me pjesën tjetër jokoreanoveriore të botës një gadishull korean pa armë atomike. Kim Jong Uni supozohet se ndihet i detyruar ndaj këtij objektivi. Këtë e pohon të paktën Koreja e Jugut.

Por, së pari është ende krejt e pasigurtë ajo që përfytyron Kim Jong Uni në këtë aspekt. Së dyti, armët koreanoveriore janë vërtet problemi më i madh, por në asnjë mënyrë problemi i vetëm në këtë konflikt. Mund të pyeten për shembull japonezët dhe koreanojugorët si ndihen që jetojnë në rrezen e veprimit të raketave koreanoveriore. Ato janë edhe atëherë kërcënim, kur mbajnë "vetëm" koka shpërthyese konvencionale. Po edhe sikur Kim Jong Uni të hiqte dorë nga kapacitetet e tij bërthamore: së pari ai do t'i ruante njohuritë për zhvillimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të tilla bërthamore. Dhe së dyti, ai me siguri që nuk do të bjerë dakord me një çarmatim të plotë.

Nga Donald Trumpi me siguri që para takimit të mundshëm me Kim Jong Unin do të dëgjojmë edhe shumë fjalë të tjera të forta. Por në disa aspekte ai është më i dobëti i të dyve. Kimi ka edhe një as tjetër në dorën që mban të fshehur pas kurrizit. Akoma janë disa amerikanë që ndodhen në arrest (si pengje) koreanoverior. Edhe për lirimin eventual të tyre, diktatori koreanoverior me siguri që do të kërkojë çmim të lartë.

The post Problemi korean appeared first on Telegrafi.

“Beteja” Siri-Iran dhe implikimi i Shqipërisë

Posted: 21 Apr 2018 06:47 AM PDT

Heshmat Alavi

Sulmet ajrore të 14 prillit kundër infrastrukturës kimike të regjimit sirian mund t'i konsiderojmë si pikë pa kthim në lidhje me zhvillimet e ardhshme të këtij vendi. Për shumë vite, Bashar Assadi dhe Irani kanë mundur të përfitojnë maksimalisht nga politika paqëtuese e administratës së Obamës dhe kështu i hapën rrugën hyrjes së Rusisë në Lindjen e Mesme. Viktimat kryesore kanë qenë drejtpërdrejtë popujt e Sirisë, Irakut, Jemenit dhe të shteteve të tjera të rajonit.

Irani kërkon të reagojë ndaj këtyre sulmeve, si për të ngritur moralin e forcave të veta ushtarake dhe të sigurisë në mbarë vendin, ashtu edhe për balancën e pushtetit në rajon. Ndërkaq, duke u përballur me rritjen e protestave antiqeveritare dhe me pasojat e tyre, Teheranit i mungon kapaciteti për të marrë masa jashtë kufijve.

Duke e konsideruar veten përkrahësin kryesor të Assadit ngaqë ka shpenzuar dhjetëra miliarda dollarë në Siri, përpara këtyre sulmeve Irani ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se një iniciativë e tillë e udhëhequr nga SHBA nuk do të mbetet pa përgjigje.

Megjithatë, Teherani ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim pas sulmit ajror në të gdhirë të 14 prillit, ndërsa raportet e mëtejshme në vendet e Lindjes së Mesme tregojnë se bazat e tjera të lidhura me regjimin e Assadit dhe milicitë e mbështetura nga Irani në Siri janë në shënjestër.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, përshkroi në mënyrë të padëgjuar ndonjëherë udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar si "kriminelë", duke shkelur çdo normë diplomatike. A mund të konsiderohen këto thënie si dritë jeshile për sulme terroriste nga Irani dhe/ose bashkëpunëtorët e tij?

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve "Tasnim", e lidhur me Forcat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), thotë se Asaeb al-Haq, një grup milicie prej 40,000 vetash, i lidhur me Forcën e Mobilizimit Popullor në Irak (PMF), me marrëdhënie afatgjata me Iranin, ka disa njësi që aktualisht kanë rrethuar forcat amerikane të vendosura në bazën ajrore të Al Zahra, e cila gjendet në veriperëndim të Bagdadit.

Sundimtarët e Teheranit po e kuptojnë qartë se si ka përfunduar politika paqëtuese e Obamës përballë krimeve të këtij regjimi brenda vendit dhe atyre të milicive të lidhura me të jashtë vendit. Qëkur administrata e Trumpit ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë, kemi parë veprime të forta kundër qëndrimit luftënxitës të Iranit, që kanë dhënë rezultate të rëndësishme.

Prej kohësh nuk po dëgjojmë raporte mbi anijet e IRGC, që sulmojnë luftanijet amerikane në ujërat ndërkombëtare të Gjirit Persik. Kanë kaluar muaj që kur Teherani bëri një provë lëshimi të një rakete balistike. Në vend të kësaj, ata po përdorin houthisët e Jemenit për të lëshuar raketa iraniane në Arabinë Saudite që të mbulojnë çdo gjurmë dhe të shpëtojnë prestigjin sa për sy e faqe deri në një farë mase.

Në kryengritjet mbarëkombëtare të muajve të fundit, të cilat tronditën shumë nga shtyllat e krejt aparatit të Teheranit, populli iranian po proteston gjerësisht ndaj ndërhyrjes së regjimit në Lindjen e Mesme. Kjo, paralelisht me krizën e fundit monetare, po e pengon regjimin iranian që të ndërmarrë nisma të gjera ushtarake në rajon.

Politika e fortë e Trumpit ka detyruar gjithashtu Korenë e Veriut që të bjerë dakord për të pakësuar ndjeshëm programin e armëve bërthamore dhe raketat balistike. Rusia, duke qenë në gjendje për të paraqitur kërkesa vitet e fundit për shkak të dobësisë së Obamës dhe të marrjes së një pike të rëndësishme të Lindjes së Mesme përmes fushatës së vet në Siri, nuk pranoi t'u përgjigjej sulmeve ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër forcave të Assadit.

Irani përfitoi nga dobësia e politikës paqëtuese duke ndërmarrë sulme ushtarake, që synonin eliminimin fizik dhe gjithashtu demonizuan opozitën, ndërsa Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe në veçanti Organizata e Popullit Mojahedin e Iranit (PMOI/MEK), janë pjesëtarë të këtij koalicioni politik, që konsiderohet si alternativë ndaj regjimit iranian.

Në Irak, anëtarët e PMOI/MEK kanë qenë objektiva sulmesh të shumta tokësore dhe raketash nga milicitë e lidhura me Iranin. Teherani i përdori këto metoda për të kompensuar humbjet rajonale, duke përfshirë sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2013 ndaj bazës kryesore të PMOI/MEK në Irak, pasi negociuesit bërthamorë të Teheranit filluan bisedime sekrete për të frenuar programin e tyre bërthamor.

Pas transferimit të të gjithë anëtarëve të PMOI/MEK në Shqipërinë ballkanike, aftësia e Teheranit për të kryer sulme ushtarake kundër tyre është e kufizuar. Megjithatë, Irani ka vënë në lëvizje një makinë propagandistike shumë aktive dhe e ka zgjeruar së tepërmi misionin e Ambasadës së vet në Shqipëri.

PMOI/MEK ka pritur në Shqipëri personalitete të larta amerikane, si këshilltarin e ri të Trumpit për sigurinë kombëtare, John Bolton; këshilltarin e Trumpit për sigurinë kibernetike, Rudy Giuliani; senatorin John Mcain dhe delegacione të larta të Kongresit në raste të veçanta. Lobistët e Teheranit, veçanërisht ata në SHBA, i etiketojnë këto zhvillime si "prirje e SHBA për luftë kundër Iranit". Kjo është përpjekja e Teheranit për të larguar vëmendjen nga çështja aktuale kryesore, që është ekzistenca e një lëvizjeje popullore të rezistencës dhe e një alternativë demokratike iraniane, që përfaqëson vullnetin e vërtetë të popullit iranian për ndryshimin e regjimit.

Në përgjigje ndaj figurave të larta të SHBA-ve që mbështesin PMOI/MEK dhe politikën e ndryshimit të regjimit në Iran, Teherani po i përqendron masat e tij demonizuese kundër kësaj organizate për të dëmtuar simpatinë shqiptare në lidhje me praninë e PMOI/MEK në Shqipëri dhe duke pretenduar se regjimi iranian nuk ka alternativë.

"Duke marrë parasysh përvojën e tyre me diktaturën dhe shtypjen, shqiptarët e kuptojnë dhimbjen dhe vuajtjen e PMOI/MEK", tha ish-deputeti shqiptar Namik Kopliku. "Ne jemi krenarë që u japim një strehë të sigurt PMOI/MEK, të cilat kërkojnë liri për Iranin. Nga ana tjetër, po shohim një gamë të gjerë masash nga lobistët e Iranit në mediat shqiptare, tek përpiqen të përhapin gënjeshtra dhe të dëmtojnë imazhin e PMOI/MEK në sytë e popullit tonë".

Si rezultat, ekziston mundësia që Irani t'u përgjigjet vështirësive në Siri, duke nisur një fushatë të re mediatike kundër anëtarëve të PMOI/MEK në Shqipëri nëpërmjet lidhjeve të tij me mediat perëndimore, duke u përpjekur ta delegjitimojë këtë alternativë dhe ta paraqesë çështjen e Iranit si një zgjedhje thjesht midis luftës dhe paqëtimit.

Nëse Uashingtoni synon ta konkretizojë politikën e tij të fortë në Lindjen e Mesme me rezultate të rëndësishme, duhet t'i vërë kufi Iranit. Kjo nuk është thirrje për një luftë të re dhe të panevojshme në Lindjen e Mesme. Në të vërtetë, kjo është thirrje për të mbështetur popullin iranian dhe lëvizjen e organizuar të rezistencës në protestën e vazhdueshme antiqeveritare, së bashku me vendosjen e sanksioneve dobësuese ndaj IRGC dhe Bankës Qendrore të Iranit. Sekretari amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin ka sinjalizuar kohët e fundit kthimin e mundshëm të sanksioneve "shumë të forta" kundër Iranit.

Këto masa të koordinuara do ta dobësojnë dukshëm Teheranin brenda dhe jashtë vendit dhe do të lehtësojnë ndryshimin e vërtetë nga ana e popullit iranian dhe të opozitës së qëndrueshme.

The post "Beteja" Siri-Iran dhe implikimi i Shqipërisë appeared first on Telegrafi.

Më në fund!

Posted: 20 Apr 2018 01:06 PM PDT

Majlinda Bregu

Propozimi për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Evropë është lajmi me i mirë për shqiptarët këto kohë, është drita e gjelbër në fund të tunelit të gjatë e të errët të ndarjes tonë shekullore nga Evropa!

Çka u propozua sot në Strasburg, është çfarë duhej për Shqipërinë, Maqedoninë dhe konfirmim i perspektivës jetike të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë!

Rikthimi i plotë i Shqipërisë në Evropë është e vetmja urë, e vetmja shpresë, e vetmja degë e një pemë të gjatë përpjekjesh që s'u këput kurrë, pavarësisht tronditjeve dhe krisjeve të shqiptarisë sonë.

Pas gjithë rrengjeve të hershme që historia ka përcjellë ndër shqiptarë, ca të liga e ca idiote; ca me armiq të jashtëm e ca me bashkëfajësi së brendshmi; -prej sot nis një fazë e re, në të cilën koha, (sidomos deri në qershor), nuk mund të ikë pa i thënë gjë askujt.

Do të ketë një "pështjellim" më të madh këto muaj deri në marrjen e vendimit përfundimtar për çeljen e negociatave.

Do të ketë nevojë së pari për të shënuar progres dramatik në zbatimin e ligjit si shenja më bindëse e dëshirës tonë për të qenë evropianë. Akoma më shumë do te ketë nevojë për gjakftohtësi përtej përdëllimit tonë të zakonshëm poetik apo vandalizmit politik; për zhdehje nga paranojat me armiq të brendshëm e të përbotshëm. Do të lipset të qartësohet një proces gradual, strategjik dhe i qëndrueshëm që të mundësojë suksesshëm kryerjen e negociatave të anëtarësimit.

Evropa ju shkon shqiptarëve!

Megjithë hambarin tonë plot me shqiptarë të mirë, por edhe delirantë, Haxhi Qamilë, pro injorantë, vullnetshkatërrues, revanshistë, megjithë zymtinë e realitetit, Evropa prodhon hapje jo mbyllje, liri jo robëri, drejtësi jo padrejtësi.

Urime çdo shqiptari me bindje e identitet të patronditur evropian!
Mirënjohje për miqtë e Shqipërisë në ditë të mira e të vështira!

Ngushëllime të sinqerta edhe për ata vogëlsira politike apo profesionistë të shtjellave të marra, të cilët gjatë këtyre viteve, qëndrimin tim të pandryshuar PRO çeljes së negociatave e quajtën shkelje të parimeve të demokratit të denjë apo partiakut ushtar dhe sot ngrenë si të paqënë flamurin e luftëtarit më të denjë pro evropian!

Kushedi çdo të sjellin erërat për fatin e tyre të gremisur!

The post Më në fund! appeared first on Telegrafi.

Para, pushtet e femra…

Posted: 20 Apr 2018 12:45 PM PDT

Elona Zhana

Gjuetia e shtrigave dhe gjuetia e gjuetarëve të gjuetisë së shtrigave që pasoi vizitën e Ornela Vorpsit në Tiranë më bëri krejt naivisht t'i drejtoja vetes pyetjen: "A më pëlqen mua Ornela Vorpsi?".

M'u kujtua që kisha lexuar librin e saj të parë me një frymë, ndërsa të dytin e kisha braktisur pas faqes së parë. Kam ndjekur pak fare nga punët e saj pamore dhe më përcjellin një ndjenjë mes pasigurisë, dhimbjes e hakmarrjes. Por nuk është se jam ndonjë njohëse e madhe e artit pamor.

M'u kujtua po ashtu që dikur pasi kishte nxjerrë librin e dytë kam patur një bisedë të muskuluar këtu në Bruksel gjatë të cilës realisht mbroja Ornelën, ose gruan, ose artisten bukuroshe grua që ishte Ornela. Bëhej fjalë që ajo kishte thënë se shqiptarët nuk ishin ende gati për të lexuar librat e saj ndaj edhe ajo nuk i përkthente në shqip. Nuk jam tifoze e teorisë së botës bardhezi, mendoj që kishte edhe atëherë shqiptarë që do ta pëlqenin siç rezultoi që kishte edhe sot që nuk do ta pëlqenin fare. Dhe më mirë kështu, është pikërisht ky dualitet esenca e nevojës për art.

Kur gëluan portalet nga një intervistë që kishte dhënë, u bëra kurojze dhe e kërkova në youtube. Kam vendosur të çliroj veten nga diktatura e medias dhe ndaj jam shumë pak ndjekëse live e tyre. Pashë intervistën dhe ishte tërësisht siç e prisja unë para gati 10 vitesh. Ornela ishte sërish shumë e bukur, e largët, mosbesuese, me një stil të sajin por edhe me një karakteristikë që ne humanët e kemi të përbashkët, atë të nevojës për të na dashur.

Që ajo do të gjykohej ishte një evidence ende pa hapur gojën. Por ajo gjuajti edhe dy nga tre përbërësit e trekëndëshit skandal -shpjegues: Para, Pushtet e Femra. Në mos fare të tre! Fakti që foli për dashurinë e saj platonike ndaj Ramës, bëri që të drejtoheshin ndaj saj shtizat e atyre moralistëve që duke qenë klonim i mendësisë otomane më atë të një qytetarizmi ala komunist, i kanë marrëdhëniet shumë të kompleksuara së pari, me trupin e lë pastaj me dashurinë. Lind pyetja a do të gjykohej Ornela nëse do të kishte patur një dashuri platonike me një jo-Ramë? Po, por sigurisht më pak. Ky ishte këndi: Femra (mashkulli në këtë rast çfarë e bën situatën edhe më atipike).

Ornela qëlloi edhe këndin e Pushtetit. Ajo u shpreh se Rama, kryeministri shqiptar kishte mahnitur Parisin me artin e tij. Nuk duhen shumë neurone për të kuptuar që po mahnite Parisin të ka ardhur radha të nisesh të pushtosh e mahnitësh Los Angelos e jo të kthehesh në Shqipëri. Por a nuk mund të dakordohemi ne që realisht Vorpsi ka të drejtën e saj të mendojë që Rama ka mahnitur Parisin?

Edhe këndi i tretë: Para, nuk u kursye gjatë kësaj gjuetie. Dhe flas për para nga këndvështrimi i Vorpsit në këtë rast pasi në të kundërt do të ngatërrohej me pushtetin. Ekspozita e saj u mundësua nga kryeministri. Tërësisht normale, është një teknikë e marketingut politik dhe është po aq e vjetër sa edhe strukturimi i dëshirës së njeriut për pushtet. Personalisht m'u duk shumë idiote teza komplotuese sipas të cilës asaj i ishte kërkuar të fliste për Kryeministrin gjatë intervistave të asaj. Vorpsi çmimin e paguante me ekspozitën e saj në COD, kaq!

Dhe si përfundim moj vajzë të pëlqen Ornela Vorpsi, ty apo jo?, i them vetes. Meqë po flasim për profesorë një i imi këtu në Bruksel, jo aq i pashëm dhe as aq ambicioz sa Rama; na thoshte: "Mos prit një përgjigje të duhur kur ke bërë pyetjen e gabuar".

The post Para, pushtet e femra… appeared first on Telegrafi.

Takimi i shpresës

Posted: 20 Apr 2018 12:25 PM PDT

Hekuran Nikçi

Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri koreano-verior Kim Jong-un, do të takohen së shpejti. Por, pyetja shtrohet: ku do të mbahet ky takim.

Disa analistë të Azisë veriperëndimore kanë propozuar që takimi të mbahet në vendet, si: Pheniani, Panmunjomi, Ulan Batori (kjo propozuar nga presidenti mongoli, Khaltmaagiin Battulga)… apo në luftanijen amerikane afër brigjeve të Koresë Veriore… pastaj në Pekin, në Gjenevë, në Stokholm…

Në Phenian, në Panmunjom, në luftanijen amerikane afër brigjeve te Koresë së Veriut dhe në Pekin, ky takimi nuk do të mbahet për këto arsye:

"Rasti" i parë, Pheniani: edhe pse koreano-veriorët kanë propozuar që takimi të mbahet në kryeqytetin e tyre, amerikanët këtë propozim nuk do ta pranojnë për një arsye të vetme dhe të thjesht: kundërshtimi i përdorimi të takimit për propagandë kombëtare dhe ndërkombëtare të “kultit” të Kim Jong-unit.

"Rasti" i dytë, Panmunjomi: Ky vend ndodhet në zonën e demilitarizuar në Korenë e Jugut. Ndaj, takimi nuk ka shumë gjasa të mbahet aty.

"Rasti" i tretë, në luftanijen amerikane: Amerikanët do ta preferonin që takimi të mbahet në "tokën" e tyre lundruese, por ky vend do të ngjallte dyshime dhe pasiguri te koreano-verioret. Për më tepër, ky lokacion do të dëshmonte forcën dhe aftësitë ushtarake amerikane, gjë që koreano-veriorët nuk i duan.

"Rasti" i katërt, në Pekin: Pekini është tërheqës për Korenë e Veriut, për shkak të raporteve të mira që ka me Kinën. Por, një takim mes presidentit amerikan dhe liderit koreano-verior aty do të jetë i paarritshëm, sepse kinezët do të shfaqeshin si “Vëllai i Madh" e koreano-veriorët si i “Vogli” që pret të këshilla.

Pra, takimi mund të mbahet në Mongoli, meqë ky vend ka asistuar dhe promovuar takimin mes Japonisë dhe Koresë së Veriut; në Gjenevë, pasi Zvicra konsiderohet si territor “neutral” ku Kim Jong-uni do të ndihej rehat për faktin se ka "studiuar" aty; dhe në Stokholm meqë Suedia ende e ka Ambasadën e saj në Phenian dhe meqë suedezet shërbejnë si "forcë mbrojtëse" e amerikanëve në Korenë e Veriut.

Sidoqoftë, kudo e kurdo që të mbahet ky takim, ai takim do të jetë historik dhe do të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve Amerikë-Kore e Veriut, si dhe në lehtësimin e sanksioneve amerikane për të mirën e gjithë gadishullit korean.

The post Takimi i shpresës appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more