Skip to main content

“Nderimi për Abdyl Frashërin është nderim për Atdheun” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Nderimi për Abdyl Frashërin është nderim për Atdheun” plus 2 more Telegrafi Opinione


Nderimi për Abdyl Frashërin është nderim për Atdheun

Posted: 19 Apr 2018 09:40 AM PDT

"Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta, ishte i matun dhe nuk i'a hidhte dot as mbreti as krajli, ishte i përmendur në penë dhe dije"- Faik Konica

Janë të rrallë burrat si Abdyl Frashëri që i kushtoi një jetë të tanë kombit, me dije, punë, maturi, largpamësi, luftë dhe sakrificë.

Toka jonë lindi gjigandë që lanë gjurmë dhe i lakmoi bota e që kulturat dhe popujt tjerë medoemos duan t'i përvetësojnë. Sot mund të themi që idetë e Abdylit për Shqipërinë morën jetë, sot jemi dëshmitarë të ngritjes së kombit tonë dhe rikthimit në origjinë, ku për gjysmë mileniumi u la anash, e u përndoq u luftua deri në zhdukje. Sot mund të jemi krenarë me gjithë vështirësitë, sepse kombi ynë është duke u bërë faktorë në Ballkan, sepse vetëm kështu do të arrihet një paqe afatgjate, e nënshkruar mbi gjakun, vuajtjet, mjerimin, torturën e këtij kombi sa të bekuar aq dhe fatkeq përtej kohërash.

Abdyli u lind me 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Deri në moshën 18-vjeçare jetoi në fshatin e tij të lindjes për t'u zhvendosur më pas në Janinë shkaku i punës. Me fillimin e Krizës Lindore, më 1877 erdhi në pah karakteri i Avdylit. Po atë vit formohet Komiteti Shqiptar i Janinës ku Avdyli zgjidhet kryetar, për t'u bërë hartues i projektit për mëvetësinë e Shqipërisë përmes kryengrites së armatosur antiosmane.

Qëllimi i tij ishte të merrte përkrahje nga Rivalët e Perandorisë Ruse, konkretisht shtetet evropiane të cilat dukej se kishin frikë nga mbizotërimi i Rusisë në Ballakan. Por, kjo përkrahje nuk erdhi ndaj shqiptarëve. Që nga korriku deri në dhjetor 1877 zhvilloi bisedimet me Athinën zyrtare për krijimin e një aleance politike shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane, por rezultati doli i pafavorshëm pasi Athina nuk pranoi idenë e Shqipërisë së Pavarur në kufijtë e saj etnikë.

Në fundvit 1877, Abdyli ishte deputet i Janinës në Parlamentin e Dytë Osman. Në atë kohë ai zgjedhet kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll e që njihet si Komiteti i Stambollit.

Abdyl Frashëri konkludonte se nga prirjet ekspansioniste të Rusisë dhe interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur gjallë Perandorinë Osmane, po ashtu kafshimet e fqinjëve ballkanik për ta bëre copë- copë, krijimi i një shteti autonom shqiptar nën sovranitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, do të ishte zgjidhja më e përshtatshme.

Vilajeti i Kosovës dhe ai i Janinës ishin vendet ku Abdyli zhvilloi aktivitetet e tij politike dhe patriotike.

Ishte i palëkundur në kauzën e tij për autonominë e Shqipërisë. Ishte i pranishëm në të gjitha kuvendet të cilat ishin nën organizimin e Këshillit të Përgjithshëm nga Lidhja e Prizrenit ku më pas zgjedhet kryetar i komisionit për punë të jashtme. Më 1 nëntor 1878 merr pjesë në Kuvendin e Parë të Dibrës ku në mënyrë zyrtare iu kërkua Portës së Lartë ruajtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë në një shtet autonom të vetëm.

Në janar të 1879 organizoi Kuvendin e Prevezës ku kërkohej ruajtja e Çamërisë dhe mos aneksimi i saj nga Greqia. Po në pranverë të atij viti udhëhoqi delegacionin shqiptar të Lidhjes në turneun e Evropës ku kishin një kërkesë të vetme ndaj Fuqive të Mëdha ruajtjen e territoreve shqiptare dhe kërkesën e tyre për liri dhe autonomi.

Qeveria e përkohshme që u miratua nga Kuvendi i Dytë i Frashërit ishte projekt i menduar mirë nga Abdyli. Po ashtu priu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës e cili shihte si arsye të vetme kryengritjen e armatosur për mbrojtjen nga pushtuesit.

Në Kuvendin e Dytë të Dibrës ai promovoi programin e Gjirokastrës gjë që nuk kaloi nga shumica, pas këtij zhgënjimi Abdyli kthehet në Kosovë ku së bashku me trimat dardanë vunë në funksion vendimet gjirokastrite. Më 1881 bëhet pjesë e Qeverisë së përkohshme në Prizren me qëllimin e vetëm pavarësimin e Shqipërisë dhe ruajtjen e saj nga armiqtë e kobshëm.

Me t'u shtypur Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri arrestohet nga gjyqi special Osman, ku dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet në burg të përjetshëm. Qëndroi tre vjet në burg dhe 20 muaj në internim dhe lirohet për arsye shëndetësore. Aktivitetin e tij patriotik e zhvilloi deri më 23 tetor 1892 në Stamboll ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978 për t'u rivarrosur në tokën nanë të cilën e deshi më shumë se çdo gjë.

Ky burrë i urtë dhe trim hapi rrugën e vështirë për brezat që do vijnë dhe kështu lartësoi përjetë emrin dhe veprën e tij të madhe në shërbim të kombit. Dhe si i tillë mbetet që ta nderojmë dhe admirojmë personalitetin e tij, sepse nderimi për të është nderim për atdheun.

The post Nderimi për Abdyl Frashërin është nderim për Atdheun appeared first on Telegrafi.

Nga Clintoni tek Trumpi: Kur Presidenti kërkon frymëmarrje, bombardon për zbavitje

Posted: 18 Apr 2018 12:41 PM PDT

Jacob Grandstaff

Analistët dhe mediat e shumta, gjithnjë e më tepër po ngrenë pyetjen nëse sulmet me raketa të Trump në Siri, shërbejnë për të tërhequr vëmendjen nga skandali që ka shkaktuar hetimi për përfshirje të Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Kjo ka nxitur që shumë nga të majtët të bëjnë një analogji të njëjtë me atë të filmit që shumë nga e djathta thanë dy dekada më parë, kur shumë prej tyre e panë sulmet e Bill Clinton ndaj Sudanit dhe Irakut si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Monica Lewinskyt.

Rachel Maddow komenton në shfaqjen e saj të mbrëmjes, se lajmi i 13 prillit i ngjante asaj të një skenari i filmit "Wag the dog" ("Mashtroje qenin").

"Edhe në qoftë se bishti nuk po i tundet qenit, edhe nëse i jepni presidentit çdo përfitim të dyshimit, edhe nëse ky vendim është marrë me absolutisht pa marrë parasysh çfarëdo gjëje tjetër që po ndodh në jetën e presidentit tani, sërish në mënyrë të pashmangshme, ky sulm krijon një perceptim të vërtetë rreth globit, se kjo mund të ketë qenë motivi i vërtetë i aksionit ushtarak", komenton Maddow

Ajo i referohet filmit të vitit 1997 që luajti Dustin Hoffman dhe Robert DeNiro për një president që urdhëron një ekspeditë ushtarake, të shkojë në Shqipëri për të tërhequr vëmendjen nga një skandal në të cilin ai preku një vajzë adoleshente.

Shprehja për "Wag the dog" hyri në fjalorin amerikan kur më pak se një vit pas publikimit të filmit, më 20 gusht 1998, Clinton urdhëroi sulme raketore në një fabrikë kimike sudaneze. Administrata e Clintonit pohoi se fabrika prodhonte armë kimike për Al Kaedën dhe paraqiti sulmet si shpërblim ndaj bombave të ambasadës së Al Kaedës më 7 gusht, gjë që rezultoi në një duzinë vdekjesh amerikane.

Megjithëse nuk kishte asnjë provë për të treguar se Clinton urdhëroi sulmet për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Monika Lewinsky, dëshmitë rrethanore ofruan municione të mjaftueshme për kundërshtarët e tij për të bërë këtë argument. Tre ditë më parë, Lewinsky kishte dëshmuar para jurisë.

Në të njëjtën ditë, Clinton kishte dëshmuar përpara këshilltarit të veçantë të Pavarur, dhe pranoi publikisht këtë çështje. Jim Gibbobs në mënyrë eksplicite i krahasoi bombardimet me filmin, ndërsa gazetarët bombarduan si prodhuesit e , ashtu edhe Shtëpinë e Bardhë me pyetje rreth lidhjeve të mundshme.

Kohët e fundit, hetimi special i Robert Mueller mbi bazën e Trump dhe bastisja e FBI-së nga banesa e avokatit të Trumpit, Michael Cohen, krijoi një breshëri të vazhdueshme negative. Kjo nga ana tjetër, hedh dyshime mbi pafajësinë e Trump ose së paku pafajësinë e njerëzve me të cilët ai rrethon veten.

Ainsley Earhardt nga Fox & Friends, një nga emisionet më të preferuara të Trumpit, sugjeronte Geraldo Rivera në mëngjesin e grevave:

"Nëse presidenti, Franca dhe Britania e Madhe vendosin të sulmojnë Sirinë, a nuk mendoni se kjo histori do të ishte një histori e madhe se libri i Comey që është lëshuar të martën"?

Jeet Heer i gazetës New Republic, megjithatë, mori një qasje më holistike. Ai e sheh sjelljen e Trumpit si një mjet për tu shkëputur nga lajmet e pakëndshme. Heer vuri në dukje se si Washington Post vërejti se një breshëri "tweet"-erash, në dukje kontradiktore drejt Rusisë, synonin të krijonin konfuzion për stafin e tij të sigurisë kombëtare.

Një zyrtar i administratës i tha CNN-së se kur Trump bëri statusin për Rusinë dhe Sirinë me raketa "të bukura, të reja dhe të zgjuara", ai në thelb kishte "detyruar këta shtete të pranonin një sulm të pashmangshëm".

Postimet e Trumpit minuan jo vetëm stafin e tij, por disa qëndrime të përcaktuara mirë të politikës së jashtme të fushatës së tij presidenciale. Revista Time zbuloi se Trump kishte "tweet"-uar më parë të paktën 18 herë se SHBA nuk duhet të sulmonin Sirinë. Si kandidat, ai hodhi poshtë thirrjet për të përmbysur Asadin, duke argumentuar se ISIS, e cila ende ekziston në Siri, është kërcënimi real.

Nëse Trump shpërtheu me politikën e tij të mëparshme të jashtme për të "mashtruar qenin", problemet e tij me FBI-në dhe Muellerin nuk do të largohen. Por, nganjëherë një pushim në ciklin e lajmeve është gjithçka që një president ka nevojë për të marrë pak frymë.

Clinton mori një "erë të dytë" më 16 dhjetor 1998 kur autorizoi bombardimin e Irakut për katër ditë gjatë Operacionit Desert Fox. Dita e mëparshme, Dhoma e Përfaqësuesve kishte lëshuar një raport, duke e akuzuar Clinton për "krime të larta dhe kundërvajtje" për gënjeshtrën e tij lidhur me çështjen Lewinsky.

Dallek argumentoi se "një president i plagosur, kredibiliteti i të cilit është shkatërruar nga gënjeshtrat e tij dhe keqtrajtimet thjesht nuk është në një pozitë të mirë për të kryer një politikë të jashtme".

Kolona e tij në vitin 1998 tregon një mënyrë në të cilën Clinton dhe tani Trump po bombardojnë për zbavitje.

"Si president dhe komandant i përgjithshëm, Clinton mban fuqinë për të urdhëruar veprimet ushtarake të nevojshme për sigurinë kombëtare. Por, politikat e jashtme dhe të mbrojtjes në demokracinë tonë, veçanërisht ato që paraqesin kostot në gjak dhe thesar, kërkojnë një konsensus kombëtar". /GSH/

The post Nga Clintoni tek Trumpi: Kur Presidenti kërkon frymëmarrje, bombardon për zbavitje appeared first on Telegrafi.

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”

Posted: 18 Apr 2018 12:35 PM PDT

Shqipëria është një shtet 100 vjeçar, që po t'i heqësh nuancat patetike që i veshin artikullshkrues të ndryshëm, duhet quajtur vend i maturuar. Ka institucionet e veta, por më shumë se kaq brenda historisë së saj ka hartuar politikën e vet në interes të ekzistencës, por edhe klasave që e kanë qeverisur. Shpesh me një lloj padrejtësie dhe si revansh ndaj të tjerëve të llojit. Rezultati mijëra e mijëra të vdekur më kot. Miliona e miliona të zhdukura dhe të qeverisura kot. Nuk duhet të harrojmë se ky shtet ka kaluar në tre regjime politiko social-ekonomike të ndryshme. Ka qenë Monarki, ka qenë Republikë Socialiste dhe tashti është një lloj formacioni Demokratik.

Nëse këtyre do t'u shtonim dhe një periudhë Kolaboracionizmi 1939-1944 dhe një tjetër me një regjim miks pas viteve '20, por si Republikë Parlamentare, Shqipëria mund të quhet një vend i vërtetë eksperimental ballkanik.

"Nëqoftëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët". Kjo thënie Faik Konicës mund të thuhet se është nga më të goditurat sa i përket qartësisë së shprehjes por edhe realitetit të krijuar nga bashkatdhetarët e tij. Ai, vetë, ka kontribuar jo pak në kaosin shqiptar, kurse me ulje-ngritjet personale ka treguar hiç më shumë se ishte pjesë e këtij realiteti.

Shqipëria është konsideruar si një nga vendet më të begata dhe me resurset e mjaftueshme për ekzistencën e saj, porse menaxhimi ynë dhe mënyrat që kemi ndjekur përgjatë 10 dekadave jo thjesht kanë lënë shumë për të dëshiruar por ato na kanë treguar sesa i mungon individit shqiptar gjetja e mënyrës së duhur për të mbijetuar dhe për t'i shërbyer jetës më të mirë.

Më në fund, ja ku jemi në Pranverën e vitit 2018, kur Shqipëria ka marrë rekomandimet më të mirat ndonjëherë për anëtarësim, por tashmë do t'i duhet mbështetja njëzëri në qershor e të gjitha vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit Evropian. Për fat të keq, shtetet anëtare s'e kanë atë vrull që po na tregojnë politikanët shqiptarë, e këtë e ndjen nga predispozita që mbizotëron tek të dy vendet kryesore, Gjermania dhe Franca.

Presidenti francez Macron u shpreh hapur dhe tejet skeptik para disa orësh lidhur me të ardhmen e zgjerimit, kurse Gjermania është duke kërkuar shumë për vendet që e marrin vetëm një herë statusin e kandidatit, por që duhet ta tregojnë shumë. Në radhë, Vuçiq sapo e ka marrë dozën e kritikës dhe prej ditësh nuk ndihet në shtyp prej kërkesës që i është bërë për Kosovën, kurse Rama do të njihet me të njëjtën masë por për realitete të tjera në Berlin, pak ditë më vonë. Kuptohet se nga vendi i shpresuar kandidat deri në anëtarësim do shumë kohë dhe me gjithë ekspozetë e shqiptarëve, duhet të provojmë se kemi bërë realisht shumë.

A mundesh Shqipëria, përgjatë 30 viteve demokraci, të bënte më shumë për të pasur udhë dhe agjendë tjetër?! Të gjithë bien dakord, por sot e kësaj dite problemi i pronës, nga më akutët në kapitalizëm, është i pazgjidhur, kurse ende Shqipëria vuan problemet e Kujtesës e shumë të tjera.

Që para luftës së Dytë Botërore Shqipëria u orientua gabim dhe kreditë e frikshme që mori nga Italia i ndërruan fatin vendit, që u pushtua prej saj, e nga ana tjetër iu dorëzua për inerci Komunizmit një ideologji, që sot e kësaj ditë nuk është çrrënjosur.
Ajo që ndodhi pas Luftës së Dytë është e dhimbshme edhe pse do të ketë deridiku rezultate pozitive. Shqipëria mbart pesëmbëdhjetë vjet të mrekullueshme miqësi me Bashkimin Sovjetik atëherë liderin e jashtëzakonshëm të Lindjes, kredibiliteti i të cilit ishte ngritur sidomos pas fitores mbi Nazizmin. Pati gati po kaq kohë me Kinën, për t'iu dorëzuar pa kushte dhe duke arritur deri në nivel absurd marrëdhënie, duke e imituar deri në budallallëk. Dhe, shkoi më tej në vitet '80, kur filluan bisedimet e reparacioneve të luftës me Gjermaninë, kur u paraqit për herë të fundit momenti i artë për të bërë largimin e butë nga absurdi e për të kaluar në një kamp, që do t'i jepte mundësisë që tranzicionin demokratik ta bënte që në kohën e Perdes së Hekurt.

***

Megjithë gjërat që i mveshin, Shqipëria nuk mundi, sepse njerëzit e saj kur nuk e kanë parë Evropën si shtëpinë e tyre zyrtare. Është e vërtetë se në anketime janë mbi 80 për qind të shqiptarëve që e duan përkatësinë evropiane, ashtu si të gjithë ballkanasit, porse në praktikë neve e kemi të përcaktuar dhe e ndjekim shembullin lindor. Osmanizmi është ende i pa avulluar nga poret tona ballkanike.

Sot konjuktura e kërkon Ballkanin dhe Shqipërinë të jetë pjesë e BE-së, kur të plotësojë kushtet, por edhe në Bruksel janë të bindur se vendasit e kanë të pamundur. Krimi i organizuar dhe droga janë të papërballueshëm nga strukturat vendase kurse Shqipëria s'ka as kapacitete ta luftojë, përpos që informaliteti e ndih të bëjë këtë zhvillim kaotik, të cilit i leverdis.

Mbi të gjitha, klasa politike është e kapur kaq shumë saqë rruga evropiane do të zgjatet pafund. Vetëm se Evropa me hapjen e negociatave, i ka dhënë një sinjal vendit se Shqipëria nuk do jetë e vetme, porse do asistohet që sensi i saj pozitiv sa i përket Evropës, do të shpërblehet. A do mundet Shqipëria të orientohet këtë herë si duhet drejt Evropës? Me sa duket trendi ballkanik e ka këtë vështrim, porse vetë Evropa duket se po shpërbëhet. Rasti i Brexit mund të pasojë në të ardhmen në një frymë më të ngritur të skepticizmit evropian. Dhe, në këtë rast Shqipëria me vendet e tjera do ta ndjenin veten si në shkuarje të askundit, ashtu si u tall pak kohë më parë dikush nga zyrtarët evropianë kur thoshte se hyrja e Shqipërisë është fundi i BE-së. Në fakt ka një të vërtetë, sepse njerëzit më të interesuar që të zgjatet ky realitet në Shqipëri dhe Ballkan janë grupet politike dhe financiare që do kenë më shumë mundësi për të na i kufizuar liritë dhe të drejtat tona civile (siç e bëjnë rëndom), për të na marrë pronat me lloj-lloj marifetesh, apo për të na marrë nëpërkëmbur ashtu edhe si po ndodh.

Me pak fjalë, Shqipëria ka ditur të ecë gjithnjë në rrugë të gabuar sepse pas atyre bëmave që i dedikojmë vetes, u jemi dorëzuar osmanëve, italianëve, gjermanëve, sllavëve, kinezëve dhe në të gjitha rastet, Shqipërinë e kanë sunduar të fortët. Ata, që ne i identifikojmë më së shumti me politikanët në fuqi, që i imitojmë dhe që na marrin jetën nga pak për çdo ditë. Të paktën, në këto pak ditë, na duhet të gëzohemi me Rekomandimin. Sepse vërtetë si në Himnin Kombëtar: Zoti lidhet me Shqipërinë, por deri më sot na ka ruajtur rastësia, pasi vendin tonë po e vdesin për çdo ditë e nga pak politikanët. /Homo Albanicus/

The post "Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët" appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more