Skip to main content

“Gjeopolitika globale dhe partnerët strategjikë të Shqipërisë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Gjeopolitika globale dhe partnerët strategjikë të Shqipërisë” plus 9 more - Gazeta Dita


Gjeopolitika globale dhe partnerët strategjikë të Shqipërisë

Posted: 23 Feb 2018 01:44 AM PST

 

Prof. Fatos Tarifa

 

Asnjë shtet tjetër, asnjë grup shtetesh dhe asnjë organizatë ndërkombëtare nuk ka sot atë peshë, ato mundësi dhe atë vullnet politik që ka Amerika për t'u angazhuar në zgjidhjen e problemeve të mëdha të globit dhe nuk është në gjendje që të ofrojë të mirat globale që ofron Amerika. Askush, madje, nuk i afrohet Amerikës në këtë drejtim.

 

Një rend global i fragmentizuar

Kombet e Bashkuara nuk munden, pasi kjo organizatë ka konflikte në gjirin e saj, pra i mungon aftësia të flasë me një zë të vetëm për çështjet më të rëndësishme dhe të veprojë si një forcë e vetme kur merret vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me fatet e globit.

Bashkimi Europian ka të njëjtin problem. Rusia dhe Kina, për shkak të sistemeve të tyre politikë dhe të sjelljes së tyre në arenën ndërkombëtare, nuk munden – dhe as nuk duan.

Edhe pse Amerika nuk mundet t'i zgjidhë e vetme të gjitha problemet e mëdha të globit, asnjë problem i rëndësishëm në kohën tonë nuk mund të zgjidhet dot pa pjesëmarrjen dhe lidershipin e Amerikës. Por, edhe pse Amerika vërtet nuk ka nevojë t'u marrë leje për të vepruar as Europës, as fuqive të tjera të mëdha, që të ketë sukses, ajo ka nevojë për mbështetjen e tyre.

Këtë realitet objektiv e pranon edhe vetë Shtëpia e Bardhë, e cila, në Strategjinë e Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, thekson se: "Shtetet e Bashkuara nuk mund të bëjnë shumë…në këtë botë pa bashkëpunimin e qëndrueshëm të aleatëve dhe të miqve të saj në…Europë".

Nuk ka dyshim se disa shtete të tjerë janë gjithashtu mjaft të fuqishëm sa të ushtrojnë influencën e tyre në zhvillimet politike në rajone të caktuara, ose në shkallë globale, edhe pse, në krahasim me Amerikën, ato mbeten fuqi të rangut të dytë.

Japonia dhe Gjermania, për shembull, janë fuqitë më të mëdha ekonomike në botë (pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës), por angazhimi dhe ndikimi i tyre në çështjet e mëdha të globit mbetet i kufizuar, veç të tjerash edhe për shkak se asnjëra prej tyre nuk bën pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Franca dhe Britania e Madhe, nga ana e tyre, mund të projektojnë influencë diplomatike në rajone të veçanta të globit dhe, në njëfarë mase, edhe fuqinë e tyre politike e ushtarake, por angazhimi dhe ndikimi i tyre në shkallë globale, gjithashtu, janë të kufizuar e të kushtëzuar.

Rusia ka ruajtur disa elementë si fuqi e madhe ushtarake dhe, gjatë 15 viteve të fundit ka treguar (si në rastin e Iranit, të Sirisë dhe, së fundmi, me aneksimin e Krimesë), se është në gjendje të projektojë një influencë të madhe ekonomike, politike, diplomatike dhe ushtarake në një hapësirë gjeografike shumë të gjerë rreth kufijve të saj.

Kina dhe India po shndërrohen me ritme të shpejta në fuqi të mëdha dhe rivalizojnë për përparësi gjeopolitike në Azi. Sidoqoftë, përveç ndikimit të tyre (veçanërisht të Kinës) në ekonominë, në sistemin financiar dhe në tregun botëror, as njëra, as tjetra nga këto dy fuqi të mëdha nuk është në gjendje, sot për sot, të projektojë një influencë politike e diplomatike të konsiderueshme përtej rajonit të Azisë Juglindore dhe Pacifikut.

 

Dështimi i profecive mbi finis Americae

Ndër fuqitë e mëdha të kohës sonë, vetëm Amerika ka dhe vazhdon të ruajë të gjitha tiparet e një shteti hegjemon, i cili është në gjendje të projektojë fuqinë e vet ekonomike, ushtarake, politike, diplomatike e teknologjike në të katër anët e globit. Siç vë në dukje Francis Fukuyama, "Pesha de facto e Shteteve të Bashkuara në skenën globale ka krijuar një mungesë balance inherente. Shtetet e Bashkuara mund të ushtrojnë ndikimin e tyre në shumë vende të botës, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk është në gjendje të influencojë në të njëjtën masë mbi Shtetet e Bashkuara".

Mund të duket sikur ngjarjet e 11 shtatorit 2001 i dhanë fund "shekullit amerikan" dhe se me "rënien" e supremacisë amerikane, struktura politike e sistemit ndërkombëtar ka ndryshuar. Në fakt, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia dominuese e globit, duke prodhuar gjysmën e GDP-së së tij, kjo nuk është hera e parë që mendohet se hegjemonia amerikane po merr fund. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, profecitë mbi finis Americae janë përsëritur thuajse çdo dhjetë vjet.

Për herë të parë, kjo ndodhi në fundin e viteve 1950, kur Bashkimi Sovjetik lëshoi Sputnikun e tij në hapësirën kozmike dhe me këtë u besua se ky vend do t'ia kalonte Amerikës në çdo drejtim. Kjo ngjarje u pasua më vonë nga paniku, mjaft i përhapur, në fillim të viteve 1960, se Bashkimi Sovjetik e kishte lënë pas Amerikën në teknologjinë e armëve bërthamore dhe në numrin e tyre. Në fillim të viteve 1960, vetëm një dekadë pasi ekspertë dhe analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare kishin zhvilluar konceptin e "dypolaritetit", studiues të ndryshëm filluan, madje, të argumentonin se, me rimëkëmbjen ekonomike të Europës dhe të Japonisë, bota po bëhej "shumëpolare".

Për herë të dytë, kjo ndodhi në vitet 1970, pas rënies së Saigonit dhe stagflacionit në Shtetet e Bashkuara. Në atë periudhë, Richard Nixon dhe Henry Kissinger besonin se sistemit dypolar i kishte ardhur fundi dhe predikuan krijimin e një bote "shumëpolare", të drejtuar nga pesë fuqitë e mëdha të globit. Pas dështimit të Amerikës në Vietnam, ishin të shumtë ata, të cilët shpallën krijimin e një bote shumëpolare. Sidoqoftë, teksti më me influencë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në atë kohë, Teoria e Politikës Ndërkombëtare (Kenneth Ëaltz), argumentonte se, pavarësisht perceptimeve gjerësisht të përhapura mbi fundin e sistemit dypolar, një analizë e vëmendshme e strukturës materiale të botës tregonte se sistemi global vazhdontetë ishte, në thelb, dipolar.

Për herë të tretë, pikëpamja se Amerika po e humbiste rolin e saj dominues në botë u bë shumë e përhapur në vitet 1980, kryesisht si rezultat i sfidës ekonomike të Japonisë. Në atë kohë, historiani i njohur amerikan, Paul Kennedy, predikoi rënien e Shteteve të Bashkuara si pasojë e "tejshtrirjes imperiale" të saj. Në vitet 1980, shumëkush besonte se Japonia do të bëhej sunduesja ekonomike e globit. Disa blerje spektakolare që bënë kompanitë japoneze në Shtetet e Bashkuara – përfshirë edhe blerjen e qendrës së famshme "Rockefeller Plaza", në zemër të Manhatanit, si edhe "Pebble Beach" në Kaliforni – krijuan paranojën dhe mitin se "Japonia po e blen Amerikën" dhe u bënë, për një kohë, simbol i të ardhmes së Japonisë. Më 1991, Chalmers Johnson formuloi shprehjen e tij të famshme: "The Cold War is over, and Japan won" (Lufta e Ftohtë ka mbaruar dhe Japonia fitoi), e cila u bë një ndër sloganet më popullore në Europë, në Azi dhe në Amerikën Latine. "Paniku" që u krijua në atë kohë, sidoqoftë, nuk zgjati shumë kur u provua se blerjet prej kompanive japoneze ishin bërë për një vlerë më të madhe sesa vlera reale e industrive të shitura. Që nga ajo kohë dhe për shumë vite me radhë, ekonomia japoneze ka qenë pothuajse në stanjacion, ndërsa ekonomia amerikane, e cila ndërkohë zhvilloi Internetin dhe teknologjinë e informacionit, është rritur më shumë se 50 për qind.

Në të gjitha këto raste, ndryshimet që ndodhën në arenën ndërkombëtare ishin reale dhe, pa dyshim, shumë të rëndësishme. Ato sugjeronin se, në një planet, i cili përveç Amerikës popullohet edhe nga fuqi të tjera të mëdha, fuqia politike, ekonomike dhe ushtarake mund të rishpërndahej. Sidoqoftë, asnjë nga episodet e sipërpërmendura, as në vitet 1950-1960, as në vitet 1970, as në vitet 1980, nuk e transformoi strukturën e sistemit global të marrëdhënieve ndërkombëtare në një sistem shumëpolar, në të cilin tri ose më shumë fuqi, pak a shumë të barabarta, të konkurronin dhe të balanconin mes njëra-tjetrës peshën politike të globit. Deri në dezintegrimin e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës, bota mbeti dypolare. Pas kësaj kohe, pesha e gravitetit të saj politik, ekonomik dhe ushtarak filloi të bjerë – dhe vazhdon të bjerë – mbi Amerikën, e cila vazhdon të mbetet e vetmja superfuqi.

 

Gjeopolitika dhe pllakat tektonike të globit

Perceptimet mbi ndryshimin e strukturës së sistemit global janë ushqyer nga besimi se, me fuqizimin ekonomik e ushtarak të shteteve të tjera dhe me daljen në skenën botërore të fuqive të reja të mëdha, Amerika do të humbiste supremacinë e saj dhe influenca e saj në skenën globale do të balancohej nga ajo e fuqive të tjera. Mite të tilla, shpeshherë, ushqehen nga iluzioni materialist se fuqia ekonomike krijon domosdo influencë gjeopolitike dhe statusin e një "aktori polar". Japonia dhe Gjermania – dy fuqitë ekonomike më të mëdha, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës – të cilat, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, shfrytëzuan ndihmat financiare dhe ombrellën mbrojtëse të Amerikës për të rindërtuar ekonomitë e tyre moderne të industrializuara, janë shembuj të qartë që tregojnë se zhvillimi dhe fuqia ekonomike e një vendi nuk e transformojnë atë domosdoshmërisht edhe në një fuqi politike dhe ushtarake. Me fjalë të tjera, "gjeoekonomia" nuk përkthehet vetvetiu në "gjeopolitikë".

Përveç kësaj, miti tashmë shumë i përhapur se "shekulli amerikan" ka mbaruar dhe se shekulli i 21-të do të jetë "shekulli kinez" mbështetet mbi një argument të rëndësishëm – por të njëanshëm – sipas të cilit, ngritja e Kinës si një fuqi e madhe po e transformon peizazhin ekonomik dhe politik të globit, pa i kushtuar vëmendjen e duhur një argumenti tjetër, po kaq të rëndësishëm. Ky argument ka të bëjë me faktin se vetë ngritja e Kinës është rezultat i ndryshimeve ekonomike, teknologjike dhe politike që po ndodhin në një botë gjithnjë e më të globalizuar, ndryshime këto, të cilat e shtyjnë Kinën jo drejt izolimit dhe autarkisë, si deri tri dekada më parë, por drejt një integrimi dhe bashkëpunimi më të madh me aktorë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, në radhë të parë, me fuqinë më të madhe politike, ekonomike, ushtarake e teknologjike të botës—Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ngritja ekonomike e vendeve në zhvillim, në radhë të parë e Kinës dhe e Indisë, dëshmon pikërisht një ndër arritjet më të mëdha të Amerikës në botën e sotme. Duke garantuar siguri, duke eksportuar kapitalin e saj, duke shitur mallra dhe shërbime dhe duke krijuar teknologji të reja, Amerika ka mundësuar realisht fuqizimin e tyre. Siç shkruan eksperti i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Rajan Menon, suksesi i këtyre vendeve, dhe veçanërisht i Kinës, i detyrohet shumë "forcës së shembullit amerikan, depërtimit të kapitalit nga Shtetet e Bashkuara (dhe nga vende të tjera kapitaliste më të zhvilluara), si edhe arsimimit që legjione të tëra kinezësh kanë marrë në universitetet më të mira amerikane".

Në ditët tona, "pllakat tektonike" të rendit global që sundoi shekullin e 20-të po zhvendosen. Drejtimi i lëvizjes së tyre nuk mund të dihet me siguri absolute. Kjo lëvizje nuk diktohet nga ligjet e gjeofizikës, por nga ligjësitë e gjeopolitikës dhe të gjeo-ekonomisë globale, të cilat sot determinohen gjithnjë e më shumë nga zgjerimi e thellimi i proceseve globalizuese. Analiza e të dhënave të këtyre të fundit nuk ka të bëjë me strukturën e brendshme të planetit tonë, por me strukturën dhe natyrën e marrëdhënieve mes Fuqive të Mëdha, të cilat, nga ana e tyre, përcaktojnë sigurinë dhe ardhmërinë e globit. Prognozat për zhvillimet e ardhshme globale i bëjnë të vështira jo vetëm sjelljet – shumë herë të paparashikueshme – të shteteve që janë aktorë të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare, por edhe pamundësia për të parashikuar zhvillime të tilla në shkencë dhe në teknologji, të cilat mund të sillnin një përmbysje të realiteteve ekzistuese dhe një botë krejtësisht ndryshe nga ajo që mund të imagjinojmë sot.

Në një intervistë botuar në fillim të vitit 2008 në The Wall Street Journal, Henry Kissinger vinte në dukje se struktura ndërkombëtare që ne kemi njohur për 300 vjet—sistemi ëestfalian që lindi pas luftërave fetare në Europë dhe që bazohet në shtetin nacional—po shembet. Efektet transformuese të globalizimit dhe të teknologjisë së informacionit, ngritja e Azisë, rënia relative e influencës së Europës në marrëdhëniet ndërkombëtare, zgjerimi i islamizmit radikal dhe rëndësia më e madhe e aktorëve joshtetërorë, të gjithë këta faktorë së bashku, po prodhojnë një rend të ri botëror, ose [ndoshta] mungesën e një rendi të tillë. Sidoqoftë, pavarësisht tërheqjes së pjesshme e të përkohshme të Amerikës nga shumë zhvillime ndërkombëtare gjatë këtyre 10 viteve të fundit të administratës së Presidentit Obama dhe të Presidentit Trump dhe përqendrimit të Uashingtonit në problemet e brendshme të shoqërisë amerikane, Amerika nuk është kthyer në politikën izolacioniste të shekullit të 19-të dhe në atë të periudhës mes dy luftërave botërore, por vazhdon të mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në zgjidhjen e problemeve të mëdha të globit. Edhe pse në ditët e sotme konstatojmë një rikthim të konkurrencës ndërkombëtare mes Fuqive të Mëdha, të cilat rivalizojnë për dominim rajonal, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe do të vazhdojnë të mbeten edhe për një kohë të gjatë fuqia e vetme hegjemone e globit në një sistem, i cili do të akomodojë në mënyrë të arsyeshme interesat edhe të Fuqive të tjera të Mëdha—në radhë të parë, interesat e Kinës, të Bashkimit Europian, të Indisë, të Rusisë e të Brazilit—pa lejuar që ato të sfidojnë seriozisht hegjemoninë e saj.

 

Pax Americana

Amerika vazhdon të ruajë ndaj shtetit më të fuqishëm që vjen pas saj, ose ndaj të gjitha fuqive të mëdha të kohës, të marra së bashku, një "akumulim disproporcional të fuqisë" në tokë, në ajër dhe në dete dhe një superioritet më të madh se ç'ka pasur ndonjëherë, gjatë tre shekujve të fundit, ndonjë fuqi e madhe e vetme ndaj fuqive të tjera të mëdha. Përveç kësaj, teknologjia amerikane është, sot për sot, e paarritshme. Asnjë fuqi tjetër në kohën tonë nuk mund të krahasohet me Shtetet e Bashkuara në aplikimin e teknologjive më të avancuara të informacionit dhe të komunikimit për nevoja civile e ushtarake. Madje, Amerika po e bën gjithnjë e më të vështirë për fuqitë e tjera që të konkurrojnë me të në këtë aspekt, për shkak se shpenzimet e saj për kërkim dhe zhvillim (R&D) janë tri herë më të mëdha sesa ato të gjashtë fuqive të tjera të mëdha që vijnë pas saj, të marra së bashku. Në "koncertet" e mëparshme, Fuqitë e Mëdha kanë qenë aktorë thuajse të barabartë me njëri-tjetrin, ndërsa statusi i sotëm i Shteteve të Bashkuara ndryshon shumë nga ai i një fuqie të madhe "të barabartë" me fuqitë e tjera. Amerika nuk mund të konsiderohet një primus inter pares, sepse ajo qëndron, nga çdo pikëpamje, mbi të gjitha fuqitë e tjera të mëdha, pra është e pabarabartë me to.

Edhe pse Bashkimi Europian, Rusia, Kina dhe India mund të luajnë në të ardhmen një rol të rëndësishëm në sferat e tyre rajonale të influencës, ato nuk do të mund të bëhen dot, për një kohë relativisht të gjatë, më shumë se hegjemonë rajonalë, ndërkohë që Amerika do të vazhdojë të mbetet i vetmi vend hegjemon në shkallë globale, apo "hegjemoni global i të gjithë hegjemonëve të tjerë" rajonalë. Analisti i njohur amerikan, Robert Kagan, vë në dukje se "hegjemonia amerikane nuk ka të ngjarë të marrë fund edhe për një kohë të gjatë [veç të tjerash edhe] për shkak se një pjesë e madhe e botës, në të vërtetë, nuk e dëshiron këtë". Pavarësisht kritikave që i bëhen politikës së jashtme amerikane në Moskë, në Pekin apo në Bruksel, Amerika mbetet "garantuesi kryesor i sigurisë globale" dhe, prandaj, "ajo që i shqetëson shumë vende, nuk është dominimi amerikan, por tërheqja dhe mosangazhimi i Amerikës" (Rajan Menon) në çështjet e mëdha të globit. Këtë përfundim e mbështeste në mënyrë mjaft të argumentuar një ndër mjeshtrit më të mëdhenj të gjeopolitikës, i ndjeri Zbigniew Brzezisnki, i cili shkruante: "Asnjë fuqi tjetër nuk është e aftë të luajë rolin që potencialisht mund dhe duhet ta luajë Amerika. Europës ende i mungon uniteti dhe vullneti politik, që janë esencialë për të qenë një fuqi globale. Rusia nuk mund të vendosë nëse ajo dëshiron të jetë një shtet euroaziatik autoritarist, imperialist dhe i prapambetur nga pikëpamja sociale, apo një demokraci e vërtetë moderne europiane. Kina po zhvillohet shpejt si fuqia kontinentale dominuese në Lindjen e Largët, por ajo ka Japoninë si rivale të saj dhe ende nuk është e qartë se si ajo do ta zgjidhë kontradiktën kryesore midis momentumit ekonomik dhe centralizmit burokratik të sistemit politik të saj. Indisë i duhet ende të provojë se, edhe nëse diversiteti i saj fetar, etnik dhe linguistik ngarkohet politikisht, ajo do të jetë në gjendje të ruajë unitetin dhe demokracinë e saj. Amerika ka monopolin e fuqisë ushtarake që mund të shtrihet në të gjithë globin, një ekonomi dhe inovacione teknologjike, të cilave nuk u afrohet asnjë vend tjetër. Të gjitha këto i japin asaj një autoritet politik të paparë në mbarë globin. Për më tepër, ekziston një bindje praktike, e cila, edhe pse e pashprehur, është kudo e përhapur, se sistemi ndërkombëtar ka nevojë për një fuqi stabilizuese efektive, dhe se, në një perspektivë të afërt, alternativa më e mundshme ndaj rolit konstruktiv global të Amerikës është kaosi".

 

* * *

Historia ofron një mësim të madh për të gjithë, i cili mund të formulohej kështu: Të suksesshme kanë qenë dhe mbeten vetëm ato shoqëri, të cilat konsideratat dhe preferencat e tyre politike dhe ekonomike të sotme i kanë vënë dhe i vënë në shërbim të interesave të së ardhmes. Nëse Amerika është sot shoqëria më e zhvilluar, më kreative, më dinamike dhe më e suksesshme që ka njohur historia e njerëzimit, kjo ka ndodhur për shkak se, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, ajo e ka aplikuar këtë parim qytetërues më mirë se çdo shoqëri tjetër moderne. Madje, pikërisht për këtë shkak, Amerika ka qenë dhe është në gjendje të luajë rolin e lidershipit botëror, duke përcaktuar drejtimet themelore të zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor në kohën tonë.

 

(vijon nesër)

 

Rikthim i frikshëm i skenave migjeniane!

Posted: 23 Feb 2018 01:39 AM PST

 

Mbas viteve Nëntëdhjetë,
Shqipëria nisi të numëronte milionerët,
po në anën tjetër të medaljes,
u shumëfishuan të varfërit dhe të mjerët!

Ndofta dikur historia do shkruaj:
"Në kohën kur jetonte Arben Duka,
në shumë familje shqiptare,
mungonte dhe uji dhe buka"!

Skenat e vitit Dymijë e Tetëmbëdhjetë,
me skena filmike do rrëfehen,
burra dhe gra duke qarë,
se s'kanë me se të ushqehen!

Politikanët antipopullorë,
vazhdojnë pa fund sherret politike,
dhe këtu mjerimi njerëzor,
arriti në përmasa katastrofike!

Shteti-Atdheun e shkretë,
e zhyti në gropa gjirizi,
dhe mbasi u mori gjithçka e gjithçka,
njerëzit për turp i braktisi!

Në ekrane shkëlqejnë dritat e mashtrimit,
dritat e mashtrimit dhe hipokrizisë,
si sfidë e hapur kundër ferr-mjerimit,
promovimi i injorancës dhe i kurvërisë!

Në të gjitha qarqet e pushtetit,
korrupsioni kurrë nuk u zhduk,
njerëzit arritën në ditë të kiametit,
në vitin Dymijë e Tetëmbëdhjetë nuk kanë bukë!.

ç'nevojë ka të bëhen sondazhe,
asnjë qeveri këtu s'ka qënë e mirë,
se një nga vendet më të begata të Botës,
e kanë kthyer në një shkretëtirë!.

Miliarda dollarë dalin jashtë,
se të huajt vjelin gjithë të ardhurat strategjike,
dhe të varfërve u merren qindarkat,
qindarkat e ndihmës ekonomike!

Në vila luksi rrojnë maskarenjtë,
dhe mbi varfërinë asetet i shtojnë,
në tragjedi janë zhytur fukarenjtë,
dhe vdekjen përsëgjalli jetojnë!

Situata bëhet edhe më kritike,
nga ky pushtet-kjo politikë,
dhe na flasin për rritje ekonomike,
që u rëntë kanceri në grykë!

Këtu u nxinë fatet njerëzoré,
jetojmë në kohë mjerane,
drejtojnë vendin njerëzit më mizorë,
që rikthyen skenat migjeniane!

A.DUKA

Keni parë ndonjë kotele më të veçantë se kjo?

Posted: 23 Feb 2018 01:38 AM PST

Njihuni me Narnian,kotelen e cila është më pak se 1 vjeç dhe që ka fituar zemrat e shumë njerëzve.

Arsyeja kuptohet sapo shikon këtë foto të saj.

Me origjinë nga Britania por rezidente në Francë,kjo kotele ka tërhequr vëmendjen për sytë e saj të shkruar por më tepër për fytyrën e saj e cila është e ndarë në dy gjysma të ndryshme.

Ne mendojmë që nuk mund të ishte më e adhurueshme se kaq.

a.k/dita

Qeveria mblidhet në Berat

Posted: 23 Feb 2018 01:35 AM PST

Këshilli i ministrave do të mblidhet këtë të premte në Berat.

Para mbledhjes së orës 16.00 dhe një orë më pas që do të mbahet konferenca e kryeministrit, kabineti do të inspektojë punimet në përfundim të aksit rrugor Ura-Vajgurore- Kuçovë, Dragot, rreth 13 km.

Më pas do të diskutohen dhe planet e zhvillimit të qarkut të Beratit. Ndërsa të shtunën i gjithë kabineti do të mbjellë pemë në zona të ndryshme të qarkut, e më pas do të jetë takimi me drejtues të administratës vendore e qendrore ku do të diskutohet për shërbimet publike, reformën e ujit, skemën mbështetëse në bujqësi dhe prioritetet rajonale.

l.h/ dita

Libri që po trondit Amerikën mbërriti në Shqipëri

Posted: 23 Feb 2018 01:26 AM PST

Shtëpia botuese BOTA SHQIPTARE sapo ka vënë në qarkullim librin e famshëm "Zjarr dhe Tërbim" të autorit Michael Wolff, libri që po shkund Shtëpinë e Bardhë, një libër i quajtur si fenomeni i botimeve të këtij fillim-viti.

Libri, i dalë në SHBA më 5 janar dhe i shitur fillimisht në 150.000 kopje, ka arritur tashmë 2 milion kopje të ezauruara fizike – me lexuesit që mbajnë radhë gjatë natës përpara librarive si në kohën e Harry Potter-it – përveç qindra mijëra kopjeve në versionin e-book dhe audio. Në Angli, brenda pak ditësh, madje edhe para ardhjes në librari më 10 janar, u shitën 400,000 kopje dhe tashmë më shumë se 35 vende kanë marrë të drejtën për ta botuar. Në Francë, libri, siç njoftohet nga gazeta "Le Figaro", ka dalë më 22 shkurt nga botimet Laffont.

"Ndjehemi të ngazëllyer dhe krenarë që po i ofrojmë publikut shqiptar, vetëm një muaj e pak pas daljes në Amerikë, librin "Zjarri dhe tërbim", shprehet drejtori i Botës Shqiptare , Genti Gjonaj. Në kohë rekord siguruam të drejtën e autorit, e përkthyem dhe e botuam. Jemi në njëkohshmëri me Italinë, Spanjën, Gjermaninë dhe Francën ku "Zjarr dhe Tërbim" e pa këtë javë dritën e botimit në këto vende.

Gënjeshtra? "Gjithçka është e vërtetë," siguron autori Michael Wolff, i cili fillimisht e ideoi librin si një vlerësim të 100 ditëve të para në Shtëpinë e Bardhë me synimin për ta botuar në vitin e parë të presidencës Trump por, më pas, krejtësisht papritur, pati qasje te Presidenti dhe te anëtarët më të lartë të stafit të tij, përfshirë Stiv Benon, gjatë 18 muajve (intervista e parë u zhvillua në maj 2016), duke u bërë një "depërtues i vazhdueshëm" në Shtëpinë e Bardhë.

Wolff vëzhgon nga një perspektivë e veçantë kaosin e Zyrës Ovale dhe nxjerr nga duart një libër shpërthyes, të pasur me prapaskena të padëgjuara.

 

Disa nga pyetjet më të nxehta që marrin përgjigje në libër:

Ø A mendonte vërtet Trampi se do të fitonte? E donte vërtet këtë? Cilat janë qëllimet e "Xhervankës", krijesa dykokëshe e përbërë nga e bija, Ivanka, dhe dhëndri Xherid Kushner?

Ø Pse u shkarkua shefi i FBI-së Xhejms Komi dhe, pas tij, shefi i stafit Rins Pribus?

Ø Pse u shkakrua Stiv Benoni, strategu (dhe shpirti i zi) që i dha fitoren Trampit?

Ø Kysh është 'zëri' që tregon për takimet mes stafit të Trampit dhe rusëve?

Ø Pse është e kotë t'i ofrosh Trampit relacione, analiza dhe çfarëdolloj teksti të shkruar?

Ø Kush e drejton vërtet Shtëpinë e Bardhë?

 

"Zjarr dhe Tërbim" është libri që Trampi u përpoq më kot ta bllokonte, një fenomen botëror që tregon historinë pasionante të një mandati të paparashikueshëm dhe të vrullshëm si vetë presidenti.

 

Vlerësime për 'Zjarr dhe Tërbim'

"Ajo që e bën të rëndësishëm librin "Zjarr dhe Tërbim" nuk është fakti se i kushtohet Trampit, por se i përket së njëjtës kulturë si ajo që prodhoi Trampin: është gazetari "realiste", njësoj siç është Trampi një personazh "realist"."

– The Atlantic

"Ky nuk është vetëm një libër. Është vetë libri. Nëse ka vetëm një libër që gazetarët politikë të Uashingtonit duhet të lexojnë këtë vit… atëherë është ky. [Wolff] është një stilist i shkathët dhe vëzhgues i hollë, me një emër që e meriton në qasjen e subjekteve me dhëmbët nxjerrë dhe kthetrat mprehur… Një sistem i përsosur karmik paraqitjeje".

– The Weekly Standard

"Arritja e fundit e Wolff këtu nuk përbëhet nga zbulimet që duhet të kapin kryetitujt e faqeve të para, por mënyra e shkathët, mahnitëse dhe tejet e tmerrshme me të cilën përshkruan personazhet e pakualifikuara, të papërgatitura dhe të pazakonta që enden sallave të Shtëpisë së Bardhë prej gjysmës së parë të vitit 2017, si dhe konfliktet e tyre gati luftarake".

– Entertainment Weekly

"Një kronikë pikante në mënyrën më të pamohueshme mbi një administratë presidenciale që, në vetëm një vit, është rrethuar nga skandale dhe kriza të shumta… [Wolff] i jep lexuesit një ndjesi sikur gjendet edhe vetë brenda këtyre ngjarjeve pa hequr dorë nga një stil dramatik të shkruari".

– The San Francisco Chronicle

 

SHËNIM I AUTORIT

Michael Wolff: Pse e shkrova këtë libër

Arsyeja pse e shkrova këtë libër nuk ka se si të jetë më e qartë. Me përurimin e Donald Trampit më 20 janar 2017, Shtetet e Bashkuara hynë në qendër të stuhisë më të jashtëzakonshme politike që nga skandali i Uotergejtit. Me afrimin e ditës, vendosa ta tregoja këtë histori sipas një mënyre sa më të njëkohshme të ishte e mundur dhe të përpiqesha ta shihja jetën në Shtëpinë e Bardhë të Trampit me sytë e njerëzve sa më pranë saj.

Fillimisht, e konceptova si një rrëfim për administratën Tramp për njëqind ditët e para, piketa më tradicionale e një presidence. Por ngjarjet rrodhën pa ndërprerje të natyrshme për më shumë se dyqind ditë dhe perdja e aktit të parë të presidencës Tramp ra vetëm me emërimin e gjeneralit në pension Xhon Keli si shef të stafit në fund të korrikut dhe me largimin e shefit të strategjive Stiven K. Benon tri javë më vonë.

Ngjarjet që kam përshkruar në këto faqe mbështeten në biseda të ndodhura gjatë një periudhe prej tetëmbëdhjetë muajsh me presidentin, me shumë prej anëtarëve të stafit të tij të ngushtë, disa prej të cilëve kanë folur me mua me dhjetëra herë, dhe me shumë njerëz me të cilët kanë folur ata. Intervista e parë ndodhi kohë përpara se ta kisha përfytyruar një Shtëpi të Bardhë të Trampit, lëre pastaj të shkruaja libër për të, në fund të majit 2016, në shtëpinë e Trampit në Beverli Hills, ku kandidati i atëhershëm shijonte akulloren me vanilje Hagen–Das dhe shpaloste hapur e me përtaci opinionet e tij mbi një varg temash, ndërsa ndihmësit e tij, Hop Hiks, Korej Levandovski dhe Xherid Kushner hynin e dilnin nga dhoma. Bisedat me pjesëtarët e ekipit të fushatës vazhduan gjatë Kuvendit Republikan në Klivlend, kur ende dukej tepër e zorshme të perceptohej zgjedhja e Trampit. U zhvendosën pastaj në Kullën Tramp me gjuhëbriskun Stiv Benon, para zgjedhjeve, kur ai dukej ende si një çudi zbavitëse dhe, më vonë, pas zgjedhjeve, kur dukej si një mrekullibërës.

Pak pas 20 janarit, zura një vend si gjysmë të përhershëm në një kolltuk në Krahun Perëndimor. Deri atëherë, kisha kryer më shumë se dyqind intervista.

Ndërkohë që administrata Tramp e kishte kthyer armiqësinë ndaj shtypit në politikë virtuale, njëherësh ishin më të hapur ndaj medias se çdo Shtëpi e Bardhë në kujtesën e vonë. Në fillim, kërkova një nivel formal hyrjeje në Shtëpinë e Bardhë, një lloj statusi "hije". Vetë presidenti e mbështeste këtë ide. Por, duke parë se shumë çifligje të Shtëpisë së Bardhë Tramp hynë në konflikt të hapur që në ditët e para të administratës, dukej se nuk gjendej asnjë njeri që të ma siguronte këtë. Po ashtu, nuk dilte askush që të më thoshte "Largohu". Kështu që u bëra më tepër si një furracak i përhershëm sesa si një mysafir i ftuar, diçka që i afrohej statusit të "hijes" që kisha dashur, duke mos pranuar njëherësh rregullat dhe duke mos bërë asnjë premtim për atë që mund të shkruaja ose mund të mos shkruaja.

Shumë nga historitë lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë Tramp bien në kundërshti me njëra–tjetrën, shumë të tjera, sipas modelit Trampian, janë tepër të pavërteta. Këto kundërshti dhe kjo dorë e lirë ndaj së vërtetës, në mos me vetë realitetin, përbëjnë një fije elementare të librit. Ndonjëherë i kam lënë lojtarët të ofrojnë variantin e tyre, duke lejuar njëherësh lexuesin t'i gjykojë. Në raste të tjera, përmes një vijimësie në rrëfime dhe përmes burimeve të besueshme, kam ndërtuar një variant ngjarjesh që kam besuar se është i vërtetë.

Disa nga burimet më kanë folur mbi të ashtuquajturin "sfond i thellë", një traditë e librave bashkëkohorë politikë e cila lejon një përshkrim të hallakatur të ngjarjeve, të cilat ua kanë thënë dëshmitarë pa emër. Po ashtu, jam mbështetur në intervista të paregjistruara, duke i lejuar burimit të japë citime të drejtpërdrejta, me kusht që nuk do t'ia vesh atij këto citime. Burime të tjera kanë folur me mua me mirëkuptimin që materiali i intervistave nuk do të bëhet publik para daljes së librit. Së fundi, disa burime kanë folur hapur, drejt në regjistrim.

Njëkohësisht, ia vlen të përmenden disa çështje të vështira gazetareske me të cilat  u përballa ndërkohë që merresha me administratën Tramp, shumë prej të cilave rridhnin nga mungesa në Shtëpinë e Bardhë e procedurave zyrtare dhe nga mungesa e përvojës së drejtuesve. Këto sfida përfshinin materialet e paregjistruara dhe ato të sfondit të thellë që, më pas, ishin regjistruar rastësisht; burimet që ofronin rrëfime në konfidencë dhe, më pas, i përhapnin vetë më gjerë ato, si të ishin çliruar nga shqiptimi i tyre për herë të parë; një mungesë e përhershme vëmendjeje në përcaktimin e parametrave për përdorimin e një bisede; pikëpamje të burimeve që diheshin hapur dhe më pas përhapeshin më gjerësisht duke u bërë kështu edhe qesharake po të mos ua përmendje emrin; si dhe përhapja gati e fshehtë, ndonjëherë gojë më gojë, e bisedave private dhe të mbyllura. Dhe kudo në këtë histori gjendet zëri i përhershëm, i palodhur dhe i pakontrolluar, publik dhe privat, i presidentit, i përsëritur nga të tjerët përditë, ndonjëherë virtualisht, siç e quan ai.

Për çfarëdo lloj arsyeje, gati të gjithë që kontaktova, pjesëtarë të lartë të stafit të Shtëpisë së Bardhë si dhe vëzhgues të përkushtuar të saj, kaluan mjaft kohë me mua dhe më ndihmuan të hidhja dritë mbi natyrën e veçantë të jetës brenda Shtëpisë së Bardhë të Trampit. Në fund, ajo që dëshmova, ajo për të cilën flet edhe ky libër, është një grup njerëzish që janë përpjekur, secili sipas mënyrës së tij, të kuptonin ç'do të thotë të punosh për Donald Trampin.

Atyre u detyrohem jashtëzakonisht shumë.

 

Trump: Nuk jam inteligjent, por gjeni!

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas publikimit të librit të Michael Wolff ku bihet në dyshim shëndeti mendor i kreut të Shtëpisë së Bardhë. Trump shkruan se ai nuk është inteligjent por thjesht një gjeni.

"Nuk jam inteligjent, jam një gjeni".

Trump shkruan se si nga një sipërmarrës i suksesshëm u bë një yll televizioni, dhe më pas president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që në përpjekjen e parë dhe kjo sipas tij nuk është meritë e një njeriu inteligjent por e një gjeniu.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruan ndër të tjera, se pas shuarjes së skandalit për hakerimin rus. pas një viti hetimesh, demokratët dhe shërbyesit e tyre, mediat që prodhojnë lajme të rreme, kanë nisur të përdorin manualin e Ronald Reagan duke e akuzuar atë për mungesë inteligjence

Sipas Trump dhe ish-sekretarja amerikane e shtetit Hilary Clinton ishte përpjekur të luante këtë lojë.

Duke e cilësuar si një të korruptuar Trump thotë se Clinton dogji duart duke luajtur me zjarrin, ndërsa karta e tij më e fortë mbetej pikërisht inteligjenca e lartë.

 

10 zbulimet më tronditëse të librit

Libër i gazetarit Michael Wolff, i titulluar "Zjarr dhe Tërbim: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump", ka shkaktuar shumë polemika. Një analist politik i BBC, Anthony Zurcher, ka listuar 10 zbulimet më tronditëse. Sipas librit, ish shefi strategjik i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon mendoi se një takim midis Donald Trump Jr dhe një grupi rusësh ishte "tradhëti". Zyrtarët nga Moska i kishin ofruar Trump Junior informacione të dëmshme për Hillary Clinton në takimin e qershorit 2016.

  1. Wolff shkruan se çfarë i tha Bannon për takimin: "Tre zyrtarë të lartë në fushatë menduan se ishte një ide e mirë për t'u takuar me një qeveri të huaj brenda Trump Tower në sallën e konferencave në katin e 25-të, pa avokatë. As ata nuk kishin avokatë. Edhe nëse ju mendoni se nuk ishte tradhti, ose jopatriotik, unë mendoj se ishte, dhe ju duhej të kishit thirrur menjëherë FBI-në".

Bannon thotë se hetimi i Departamentit të Drejtësisë për lidhjet midis fushatës së Trump dhe Moskës do të përqëndrohet në pastrimin e parave. "Ata do ta shtypin Don Junior si një vezë në televizionin kombëtar", shprehet ish-zyrtari i administratës Trump.

  1. Sipas librit të Wolff, Trump është tronditur dhe frikësuar nga fitorja e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2016.

"Menjëherë pas orës 20 në ditën e zgjedhjeve, kur trendi i papritur – se Trump mund të fitonte – dukej i konfirmuar, Don Jr i tha një miku se babai i tij, ose DJT, siç e quan ai, dukej sikur ai kishte parë një fantazmë. Melania ishte në lot dhe nuk ishin lot gëzimi. Në harkun kohor të një ore u panë, sipas vëzhgimit jo entuziast të Steve Bannon, një Trump i trullosur që kaloi në një Trump mosbesues dhe më pas në një Trump të tmerruar. Por duke ardhur ishte dhe transformimi përfundimtar: Papritur, Donald Trump u shndërrua në një person që besonte se meritonte të jetë dhe ishte plotësisht i aftë të bëhej, presidenti i Shteteve të Bashkuara", shkruhet në libër.

  1. Sipas autorit Wolff, Trump ishte i zemëruar në ditën e inagurimit.

"Trump nuk e ka shijuar inaugurimin e tij. Ai ishte i zemëruar se yjet e nivelit të lartë e kishin shpërfillur eventin, i pakënaqur me strehimin në 'Shtëpinë Blair' dhe dukshëm ishte zënë me gruan e tij, që dukej në prag të lotëve. Gjatë gjithë ditës, ai kishte veshur atë që për disa nga personat që i rrijnë afër është quajtur fytyra e tij të golfit: i zemëruar dhe i inatosur, supet e përkulura, krahët e lëkundur, vetullat e ngrysura dhe buzët e shtrënguara".

Por zyra e zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara ka rrëzuar këto pretendime të librit.

  1. Sipas autorit të librit, Trump e cilëson Shtëpinë e Bardhë si "të frikshme". Në ditët e para, ai porositi vendosjen e dy ekraneve televizive përveç atij që ishte atje dhe një bllokadë në derë, duke shkaktuar një ndalesë për Shërbimin Sekret, i cili këmbënguli që ata të kishin qasje në dhomë".
  2. Në librin aq të diskutuar, Wolff shkruan se vajza e Trump dhe burri i saj Jared Kushner dyshohet se arritën një marrëveshje që nëse dikush do të kandidojë për president në të ardhmen, ajo do të ishte Ivanka. Gjithashtu pretendonte se presidneti i parë femër në historinë e SHBA do të ishte Ivanka Trump dhe jo Hillary Clinton. Në libër thuhet se Bannon ishte tmerruar pasi kishte marrë vesh për marrëveshjen mes çiftit.
  3. Sipas librit, Ivanka është tallur me babain e saj lidhur me dyshimet se mban paruke. Madje në prani të miqve të saj ka thënë se Trump ka bërë operacione për mbjellje dhe ngjyra e flokëve paraqet një efekt komik.
  4. Katie Walsh, zëvendësshefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, e pyeti Kushner, këshilltarin e lartë të presidentit, se çfarë dëshironte të arrinte administrata. Sipas librit, dhëndërri i Trump nuk ka dhënë ndonjë përgjigje. Kjo tregon se Shtëpia e Bardhë është e pasigurtë për prioritetet e saj, sipas analistit të BBC.

8, Sipas autorit të librit, Trump ka një konsideratë të lartë për manjatin mediatik Rupert Murdoch. "Ai është një nga të mëdhenjtë, i fundit i të mëdhenjve", citohet presidenti amerikan në librin e Wolff, i cili më përpara kishte shkruar biografinë e Murdoch.

  1. Por admirimi nuk ishte i ndërsjelltë, sipas Wolff që shkruan për një telefonatë midis mes tyre lidhur me takimin e presidentit me drejtuesit e "Silicon Valley". Murdoch i ka kërkuar Trump që të ketë një politikë më liberale për programin e vizave të punës, por presidenti amerikan pretendonte të kundërtën. "Çfarë budallai", ka thënë Murdoch pasi kishte mbyllur telefonin.
  2. Ish-këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Mike Flynn e dinte se pranimi i parave nga Moska për një fjalim mund ta rrënonte atë, sipas librit. Wolff shkruan se para zgjedhjeve "miqtë i kishin thënë Flynn se nuk ishte një ide e mirë për të marrë 45.000 dollarë nga rusët për një fjalim. Ndërsa përgjigja e tij ishte kjo: "Kjo do të ishte një problem vetëm nëse do të fitojmë".

Ndërkohë, libri i Michael Wolff është bazuar në më shumë se 200 të intervistuar, që konsistojnë në zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe administratës së Trump apo persona të afërt me të.

Arrestohen dy shqiptarë, trafikonin drogë në Kretë

Posted: 23 Feb 2018 01:19 AM PST

 

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar mbrëmë në Rethimno të Kretës, nga punonjësit e Departamentit të ndjekjes së drogës e të sigurisë, në Rethimno.

Dy të arrestuarit, të moshës 29 dhe 31 vjeç, janë akuzuar për trafikim dhe posedim të lëndëve narkotike në Rethimo.

Gjatë operacionit policor, është lokalizuar zona specifike (cavanza) e përdorur nga 29-vjeçari për të fshehur drogën. Kur policia identifikoi 29-vjeçarin, ai ishte duke furnizuar 31-vjeçarin me lëndë narkotike.

Dy shqiptarët u ndaluan dhe u arrestuan nga oficerët e policisë. Nga kontrolli parë që u bë, rezultoi i se shqiptarët mbanin me vete:

  1. Një sasi të vogël kanabis (është konfiskuar)
  2. Tre telefona celularë
  3. Shumën prej 55 euro cash

Më pas, vijoi një kërkim i dytë në zonën që 29-vjeçari përdorte për të fshehur drogën (cavanza), ku u gjetën dhe u konfiskuan tre pako të improvizuara që përmbanin gjithsej 330 gram kanabis.

Kontrolli i tretë konsistoi në hulumtimin brenda banesës së 29-vjeçarit ku u zbuluan dhe u konfiskuan:

  1. 137.7 gram kanabis
  2. Një sasi e vogël e substancave haluçinante (kërpudha)
  3. Një shumë monetare prej 510 euro.
  4. Automjeti që shërbente për transportin, në pronësi të 29-vjeçarit

l.h/ dita

Kinematografia e huaj nuk sjell vetëm “50 hijet” këtë vit.Ja 10 filma që na serviren!

Posted: 23 Feb 2018 01:15 AM PST

Jemi vetëm në muajin e dytë të vitit 2018,por industria e kinematografisë nuk të lë të marrësh frymë.

Kështu është çelur edhe sipari i filmave që do transmetohen në kinema përgjatë këtij viti.

Për disa mund të ishit në dijeni e për disa të tjerë jo,e ndërsa tani që ua treguam ne,nuk keni më asnjë justifikim por ju mbetet vetëm të prisni biletat dhe ti shikoni.

Fifty Shades Freed-9Shkurt

Red Sparrow-2 Mars

Tomb Raider-16 Mars

Overboard-20 Prill

Avengers: Infinity War-4 Maj

Deadpool 2-1 Qershor

Ocean’s Eight-8 Qershor

A Star Is Born – 28 Shtator

Aquaman – 21 Dhjetor

Proud Mary-12 janar                                                                                                                                                                                                                                                       a.k/dita

Vasili: Rama e qep gojën për fruthin, e hap për batuta të trasha

Posted: 23 Feb 2018 01:04 AM PST

Kreu i LSI, Petrit Vasili ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me mënyrën se si Rama i qaset situatës aktuale të epidemisë së fruthit ne vendin tonë. Vasili shprehet se Rama nuk interesohet për shpërthimin e epidemisë e në vend të kësaj, sipas Petrit Vasilit, ai bën batuta të trasha.

"Epidemia e fruthit vazhdon, kryeministri s’flet, media e ka në fund….

Kryeministri ka qepur gojën dhe s’flet për epideminë e fruthit. Po mendon budallëkun e radhës se si do dalë si triumfator nëpër podiume, kur epidemia të jetë ndalur dhe do tregojë broçkulla pa fund për suksesin e tij.

Edhe media përcjell lloj-lloj dënglash qe qytetarëve nuk ju duhen hiç dhe këtë ngjarje e ka nga të fundit, se më vlerë kanë batutat e trasha të një kryeministri të trashë.

Epidemia e fruthit vazhdon, ka raste të reja, ka pasur viktima, ka komplikacione serioze dhe qeveria nuk ka ngritur akoma institucionet qe ligji ja detyron për menaxhimin e tij.

Do kujtohen të gjithë vetëm kur ta shohin fruthin te dera e tyre. Atëherë po po, do bërtasin fort. Sa qesharake…..por edhe tragjike…", shkruan Vasili në Facebook.


l.h/ dita

Nëse ju bie rruga tek Sephora…ja disa produkte nën 10$,por të shkëlqyera!

Posted: 23 Feb 2018 12:57 AM PST

E di që si shumë gjëra të tjera,edhe rrjeti i dyqaneve të Sephorë-s,akoma nuk e ka gjetur rrugën për në Shqipëri,dhe ne femrave sidomos na qan shpirti.

Por nëse do t'ju bjerë rruga ndonjëherë në Europë dhe futeni në dyqan,po ju japim disa produkte të vlerësuara maksimalisht dhe të gjitha nën 10$.

 

 

Rimel-Benefit Cosmetics BADgal Lash Mascara Mini 10$

Spray për volum dhe mbrojtje flokësh -Amika Bombshell Blowout Spray 10$

Krem për lëkurën e trupit -Cookie & Body Ice Cream 10$

Buzëkuq-Studio to Go 10$

Zbutës buzësh “Rosebud Perfume Co. Rosebud”,6$        a.k/dita

Tkurret popullsia shqiptare, Gjirokastra me numrin më të lartë të vdekjeve

Posted: 23 Feb 2018 12:57 AM PST

 

Popullsia në Shqipëri ka filluar të tkurret me ritme të shpejta në vitet e fundit. Për shkak të ndryshimeve demografike, shtimi natyror i popullsisë ka pësuar rënie të vazhdueshme.

"Monitor" ka përllogaritur numrin e vdekjeve dhe të lindjeve për 1000 banorë sipas qarqeve, bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT.

Gjirokastra është qarku me numrin më të lartë të vdekjeve për 1000 banorë në vend. Sipas të dhënave të përpunuara, për vitin 2017 numri i vdekjeve për 1000 banorë në Gjirokastër ishte 13, ndërsa lindjet vetëm 9. Qarku i Gjirokastrës ka hendekun më të gjerë për sa u përket lindjeve dhe vdekjeve natyre për 1000 banorë. Treguesi i shtesës natyrore të popullsisë për këtë qark është negativ.

Qarku i Gjirokastrës përfshin këto bashki: Bashkia e Dropullit; Bashkia e Gjirokastrës; Bashkia e Këlcyrës; Bashkia e Libohovës; Bashkia e Memaliajt; Bashkia e Përmetit; Bashkia e Tepelenës.

Qarku i dytë me shtesë natyrore negative është Korça, ku gjatë vitit 2017, vdekjet për 1000 banorë ishin 10, ndërsa lindjet 9.

Në Qarkun e Korçës përfshihen këto bashki: Bashkia e Devollit; Bashkia e Kolonjës; Bashkia e Korçës; Bashkia e Maliqit; Bashkia e Pogradecit; Bashkia e Pustecit.

Me diferencë negative të shtesës natyrore ishte dhe Qarku i Vlorës, ku për çdo 9 vdekje për 1000 banorë, kanë lindur vetëm 8 foshnje.

Qarku i Beratit renditet i treti për numër më të lartë të vdekjeve për 1000 banorë. Gjatë 2017-s vdekjet për 1000 banorë ishin 10, po aq sa dhe lindjet.

Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve për 1000 banorë është Tirana. Gjatë 2017-s për çdo 1000 banorë ndërruan jetë 6, ndërsa lindjet ishin 11.

Qarqet me lindjet më të larta për banorë

Kukësi dhe Dibra janë qarqet të cilat kanë shënuar numrin më të lartë të lindjeve për 1000 banorë. Gjatë 2017-s, ky tregues për të dy këto qarqe ishte 14, ndërsa vdekjet për 1000 banorë ishin 8. Shtesa natyrore e këtyre qarqeve është më e larta.

Lezha është një tjetër qark ku lindjet për 1000 banorë kanë qenë relativisht të larta, krahasuar me qarqet e tjera. Për 1000 banorë gjatë 2017-s janë regjistruar 12 lindje dhe 8 vdekje.

Qarqet e tjera me normë të lartë lindshmërie janë: Tirana, Durrësi dhe Elbasani, ku ky tregues ishte 11 lindje për 100 banorë.

Si po tretet popullsia e Shqipërisë

Në vitin 1990, në Shqipëri u regjistruan 82 mijë lindje dhe 18 mijë vdekje. Shtesa natyrore e popullsisë ishte rreth 64 mijë persona, sipas statistikave të INSTAT. Vdekjet arritën në 22 mijë, me një rritje prej 22% në raport me 1990. Si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe rritjes së vdekjeve, shtesa natyrore e popullsisë ra në mënyrë dramatike në vetëm 8,637, që është niveli më i ulët historik, të paktën 100 vitet e fundit, që nga viti 1920, kur është kryer censusi i parë në Shqipëri. Në krahasim me vitin 1990, shtesa natyrore e popullsisë ka rënë me 86.5%./ Monitor

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more