Skip to main content

“Edi Rama, me papuçe “Gucci”, në dhjetëvjetorin e pavarësisë” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Edi Rama, me papuçe “Gucci”, në dhjetëvjetorin e pavarësisë” plus 2 more Telegrafi Opinione


Edi Rama, me papuçe “Gucci”, në dhjetëvjetorin e pavarësisë

Posted: 21 Feb 2018 04:46 AM PST

Po e prodhoj edhe unë një "fake news"! Nuk bëhet më nami! Gjithsesi, do të ishte lajm ndërkombëtar, e sidomos mbarëkombëtar, sikur Edi të vinte me papuçe "Gucci" në Prishtinë, në festen e dhjetëvjetorit të pavarësisë, ende të mbikëqyrur të Kosovës! Në Evropë pat shkuar me atlete e me kollare, të kuqe, euro-socialiste, e një herë besa edhe me fanelle, apo me maicë si i themi në Kosovë. Ja, sido që ta hapësh llafin, vijmë te çështja e dallimeve brendakombëtare. Kur harxhohen të gjitha, kombi nuk harxhohet se kombi nuk është sapun, prandaj mund të lash e shpërlash me të gjithçka, përfshirë edhe lekët.

Kur jemi te Edi, kjo dihet. Edi do me ra në sy gjithqysh, dhe me çdo kusht. Ndërkaq, unë jam i vetëdijshëm se ideja me papuçet nuk është kushedi sa origjinale, përveç faktit që kënga për papuçet "Gucci" po merr shumë miliona klikime. Pastaj, po të kishte ardhur me papuçe "Gucci", të gjithë do ta kishin komentuar se Edi në Prishtinë po ndihet në shtëpi, sikur në bahçe të babës, pra atë bahçen metaforike, me kanabis, të cilën ia përmendin këtu në Kosovë sa herë u do puna për t'a sharë. Bahçen me kanabis ia përmend edhe Luli, por fjala e tij tashmë nuk ka peshë, sepse ai konsiderohet vetëm një klan rival i cili promovon "bahçen" e vet.

Kështu duhet pranuar se miku ynë, argëtuesi i masave Edi Rama, qysh e dini edhe ju, ka imagjinatë të bujshme, çka e ka pranuar edhe vet këto ditëve të fundit, në formën e arsyetimit publik lidhur me deklaratën për presidentin kombëtar. Pas kombinimit fatal të atleteve, me kollare, i duhej diçka ndryshe. Diçka më politike. Imagjinata mund të jetë pika më e dobët e një politikani në Ballkan, e sidomos ndër shqiptarët. Do ti të vishesh për qefin tënd, por të kap protokolli. Do të imagjinosh dhjetë vjet përpara, por të kapë opozita, ambasadat, të gjithë more vëlla. Të kapin të gjithë, si s'të kapin! Imagjinata nuk të duhet kur ke detyra shtëpie për të bërë, kur duhet ndjekur hapat që të kërkon procesi euroatlantik. E shihni, si mbijeton presidenti i Kosovës, pa troh imagjinate?! Asgjë nuk i mungon.

E pra, nuk është hera e parë. Edhe më herët Edi, sikurse edhe Hashimi, kishte luajtur me Evropën, e besa edhe me kandidatin e dikurshëm për president, e tash presidentin e SHBA-ve, atë lojën me dy topa të vegjël që në popull ka një emër pak më ndryshe, që nuk tingëllon edhe aq lexueshëm për një gazetë serioze. E ku ka gazetë serioze sot, do të thoni ju? Të gjitha janë argëtuese! As politika prej të cilës na varet gjithçka nuk është më serioze, por është thjesht argëtim për masat. Sot, politika, nuk është as si feja dikur kur e akuzonin si opium për masat, sepse tash opiumi është veç një gjysmë-fabrikat i politikës, ndërkohë që politika e feja suksesshëm argëtojnë masat në rrjete sociale dhe mediat e tjera.

Nejse, Edi duhet pranuar se na tronditi këto ditë me imagjinatën e tij të bujshme, e cila siç e thotë edhe vet, i ikën veç dhjetë vite përpara. Kurdise imagjinatën Edi, bëje me Evropën qendrore.

Gjithqysh bëre mirë që na e kujtove çështjen kombëtare në Parlament, sepse e kishim harruar pas dere, bashkë me flamurin e hequr "Te Rrethi". Pa ndonjë skandal, askush nuk e përmend në tempullin e demokracisë kombin. Është turp, thotë Evropa, të përmendësh kombin para Listës Serbe, apo pinjollëve të neo-osmanizmit që mbajnë frerët e trojkës drejtuese kosovare. Pastaj, cili komb të përmendet? Një e kemi kur jemi të dehur, një kur jemi esëll. Një për vete, një për Evropën. Një për shpi, një për Pazar. Një për çifteli e një për protokoll. Eh, kombi!

Kështu, flamuri kuqezi që u hoq me polici, u rivu me argat krahu. Pra, deklarata ishte hakmarrje e Edit, për flamurin e hequr me polici? Aty për aty i erdhi ndërmend ideja se shqiptarëve u duhet veç një president, për të mos ndodhur më skandale të tilla. "Shqiptarët duhet të kenë një president", tha ai. Salla solemne, me mysafirët e lartë, të ulur sipas qejfit, në lozhë, gumëzhiu. Bashkë me thënien e famshme: "Ka ardhur Rita", shesheve të Prishtinës jehoi se paska ardhur edhe Edi.

Mund edhe të kishte ndodhur skandal, lidhur me këtë deklaratë, se qysh dihet Shqipëria e ka një president, e qe besa edhe Kosova e ka një. Janë tamam për Ballkanin. Mediat e huaja i shajnë për mafiozë, por këta nuk bezdisen; thjesht botojnë libra ku thonë të kundërtën. E kanë edhe një të përbashkët këta, përpos që janë miq: që të dy janë zgjedhur president, për t'i larguar nga pushteti. Evropa nuk i duroi, se kishin shumë fuqi, por nuk kishin imagjinatë.

E, përse Edi, pikërisht në dhjetëvjetorin e pavarësisë, hodhi deklaratën për presidentin e përbashkët? Ishte ky një kërcënim për serbët, për Evropën, Rusinë… se ne dimë edhe të bashkohemi, nëse bllokoni proceset? Jo! Edi thjesht ishte i shqetësuar se nuk do të binte në sy me gjithë atë tollovi. Pastaj kishte ardhur edhe Rita.

Njëherë mendova se do vinte me plis të bardhë e me veshje (ndër)kombëtare shqiptare, sikur Isë Boletini që pat shkuar në shpalljen e pavarësisë, në Vlorë. Ose do të vinte me ndonjë flamur kombëtar në dorë, por pas heqjes së flamurit te rrethi kjo ka ra si opsion. Mund ta "çarmatosnin" Edin, t'ia merrnin flamurin kuqezi dhe t'ia jepnin një verdh kaltër. Ruana Zot, ai edhe mund të rezistonte!

Papuçet "Gucci", Edi! Është dashur të vije me papuçe dhe të mos traumatizoje presidentët! Pastaj, edhe ashtu, në koncert do përfundoje…

The post Edi Rama, me papuçe "Gucci", në dhjetëvjetorin e pavarësisë appeared first on Telegrafi.

Rilexim i thelluar i strategjisë së zgjerimit të BE-së

Posted: 20 Feb 2018 02:52 PM PST

Lavdrim Lita

Më 6 shkurt, Komisioni Evropian paraqiti strategjinë e re për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Në përcaktimin e prioriteteve në të cilat duhet të ndërhyjë dhe një rrugë e përcaktuar mirë me një perspektivë të qartë të integrimit, Komisioni Evropian i vë çelësat suksesit apo dështimit në duart e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fakt, që nga inaugurimi i saj në 2014-n, Komisioni i kryesuar nga Jean-Claude Juncker kishte ftohur disi perspektivat për zgjerim me anëtarë të rinj, duke u përqendruar në konsolidimin e Bashkimit Evropian.

Çuditërisht, në shtatorin e kaluar, në fjalimin e tij mbi gjendjen e Bashkimit Evropian, Juncker risolli temën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur mundësinë e integrimit të Serbisë dhe Malit të Zi deri në vitin 2025. Komisioni më pas paraqiti strategjinë e re, ndërkohë, që në fund të muajit shkurt, Juncker do të vizitojë vendet e Ballkanit, që ende nuk janë anëtarë të BE-së. Strategjia e re konfirmon perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe thekson prioritetet që duhen ndjekur.

Së pari, Komisioni vëren se një numër çështjesh – si p.sh. pavarësia e gjyqësorit, korrupsioni, mungesa e transparencës, politizimi i aparatit administrativ dhe sulmet ndaj pavarësisë së mediave – ende ngrenë dyshime serioze për konsolidimin e sundimit të ligjit në të gjitha vendet e rajonit. Në këtë kontekst, ripohohet përkushtimi strategjik për të hapur të parët kapitujt negociues (23 dhe 24) në lidhje me drejtësinë dhe të drejtat themelore.

Së dyti, ekonomitë e rajonit, të përcaktuara si jo konkurruese dhe të papërshtatshme ndaj presioneve të tregut të përbashkët evropian, janë një shqetësim.

Së fundmi, Komisioni nënvizon nevojën për pajtim në rajon. Duke e ditur gabimin e bërë me mosmarrëveshjen territoriale në Gjirin e Piranos midis Sllovenisë dhe Kroacisë, Komisioni Evropian paralajmëron vendet e rajonit – me theks të veçantë në normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit – se çdo mosmarrëveshje dypalëshe duhet të zgjidhet përfundimisht dhe e detyrueshme, para pranimit në BE.

Komisioni Evropian synon të mbështesë përpjekjet e vendeve kandidate duke rritur fondet e Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA), duke rritur pjesëmarrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në politikat e BE-së dhe duke zhvilluar gjashtë iniciativa specifike në lidhje me forcimin e sundimin e ligjit, bashkëpunim më të ngushtë në aspektin e sigurisë dhe migracionit; mbështetje më të madhe për zhvillimin ekonomik; rritja e lidhjes ndërballkanike dhe me BE-në; nisjen e një axhende rajonale dixhitale; dhe së fundi, një mbështetje të fuqishme për pajtim.

Projektet më interesante përfshijnë misionet e konsulencës dhe monitorimit në çështjet gjyqësore, dyfishimin e fondeve Erasmus +, uljen e kostove të roamingut dhe zgjerimin e broadband. Komisioni Evropian i jep Serbisë dhe Malit të Zi, dy vende që tashmë kanë filluar të negociojnë aderimin, rolin e liderit, me mundësinë ambicioze të integrimit të tyre në BE për vitin 2025. Rruga e të dy vendeve sllave do të shërbejë si pikë referimi për shtetet e tjera të zonës që, duke u angazhuar, do të kenë mundësinë t'i arrijnë ato. Identifikimi i një date të dëshiruar të aderimit synon të stimulojë progresin e qeverive dhe të sigurojë një platformë për forcat politike, që deklarojnë se duan të arrijnë objektivat e përcaktuara nga Komisioni.

Përveç Serbisë dhe Malit të Zi, Shqipëria dhe Maqedonia janë vende kandidate, ndërsa BE po vlerëson kandidaturën e Bosnjë dhe Herzegovinës dhe Kosova ka ratifikuar marrëveshjen e asociimit. Për të mbështetur integrimin e Ballkanit, Komisioni Evropian gjithashtu nënvizon një strategji brenda BE-së, të vetëdijshëm se mbështetja e zgjerimit me vende të tjera nuk është unanime në mesin e shteteve anëtare dhe se 47% e qytetarëve të BE-së janë kundër. Për këto arsye, Komisioni thekson në mënyrë të përsëritur përfitimet ekonomike e interesat gjeopolitikë dhe të sigurisë, të lidhura me integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Arsyet gjeopolitike dhe gatishmëria për t'iu përgjigjur rritjes së ndikimit rus, turk dhe kinez dalin qartë në strategji, aq shumë sa që Komisioni kërkon nga shtetet anëtare të ardhshme "një shtrirje të plotë ndaj politikës së përbashkët të jashtme dhe sigurisë". Për më tepër, Komisioni synon të miratojë dy nisma të reja për të përgatitur vetë Bashkimin Evropian për integrimin me anëtarë të rinj. Në veçanti, nisma e parë do të donte të rriste fushat e politikës së jashtme, në të cilën do të ishte e mundur të merrnin vendime me shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare, me qëllim që të shmangnin veto të mundshme.

Ndërsa nisma e dytë, me referencë të qartë për situatën në Poloni, synon të thjeshtojë përdorimin e nenit 7 të traktatit të Bashkimit Evropian, në rast të një kërcënimi për sundimin e ligjit në një shtet anëtar. Propozimet e fundit janë të lidhura me procesin më të gjerë të konsolidimit dhe forcimit të BE-së pas Brexit. Duke pasur parasysh këtë, politika e zgjerimit është shfrytëzuar nga Komisioni për të detyruar unitetin midis shteteve anëtare, veçantinë e politikës së jashtme dhe për të rritur fuqinë e Komisionit, duke respektuar vlerat themelore të Bashkimit.

Po kështu, duke deklaruar se "bashkimi me BE-në është një zgjedhje e gjeneratës së re, e bazuar në vlerat themelore, që çdo shtet duhet të përqafojë në një mënyrë shumë më aktive, nga politikat e veta të jashtme dhe rajonale në atë, që mësohet në shkollë për fëmijët", strategjia e re e Komisionit synon të fshijë të gjitha hipokrizitë dhe të gozhdojë shtetet e Ballkanit Perëndimor në përgjegjësitë e tij. Në këto kushte, strategjia e re për zgjerimin e BE-së rrezikon të interpretohet si një ultimatum. /Panorama/

The post Rilexim i thelluar i strategjisë së zgjerimit të BE-së appeared first on Telegrafi.

Të rinjtë myslimanë, tregu i ri i turizmit

Posted: 20 Feb 2018 07:51 AM PST

Pas rrobave të dizenjuara specifikisht për mysliman, nga ana e brendeve të mëdha si Nike, fokusi te tregu mysliman është shtuar edhe në industrinë e turizmit, e cila pret gjeneratën e re të lindur në mes të viteve 1980 dhe 2000. Kjo gjeneratë, sipas Fazar Bahredeen, ekspert i turizmit nga Singapuri, do të rimodelojë këtë treg.

Sipas Bahredeen, shefi ekzekutiv i kompanisë "Cresent Rating and Halal Trip", ky treg është i rëndësishëm në veçanti për shkak se 60 për qind e popullatës myslimane në botë është nën moshën 30 vjeçare. Ky treg është i përbërë nga tri rajone ku jetojnë myslimanët – sipas vlerës së parave të shpenzuara – në vendin e parë: janë Emiratet dhe Arabia Saudite, pastaj vinë vendet si Indonezia dhe Malejzia, ndërsa në vendin e tretë në këtë treg, me 10 për qind, marrin pjesë myslimanët nga Evropa, me Turqinë dhe Iranin si të ranguara të fundit. Në vitin 2016 ky treg kishte vlerë 142 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2020 pritet të arrijë në 220 miliard dollarë.

Fazal thotë se për këtë treg duhet të krijohen dy kushte bazike: ushqimi dhe vendi për falje. Përderisa ai parasheh se pjesa tjetër e ofertës duhet të jetë e njëjtë më pjesën tjetër të botës. Udhëtime të dizenjuara specifikisht për klientë – jo tura të përgatitura më parë; transport të lirë, përvoja interesante kulturore dhe ushqime lokale.

Kosova si vend me popullsi shumicë myslimane i plotëson dy kushtet shtesë, tash duhet të ofrojë edhe shërbime për këtë grup të turistëve që gjithsesi është shumë i ulët në krahasim me mundësitë që i ka Kosova. Sipas zyrës së statistikave të Kosovës, i vetmi vend mysliman prej nga vinë vizitorët është Turqia me mbi 5000 vizitorë në vitin 2016. Vendet tjera myslimane, kanë pjesë të vogël në numrin e atyre që e vizitojnë Kosovën. Kjo gjithsesi se do të ishte mirë që të ndryshojë.

Në kompaninë tonë "Balkan Natural Adventure" kjo popullatë zë një vend shumë të vogël, mirëpo ne shohim një potencial të madh. Së fundmi pas aktiviteteve të kompanisë sonë në mediat ndërkombëtare, kemi arritur që të botojmë një tekst në gazetën numër një të Singapurit dhe pas këtij botimi kemi pasur interesim nga popullata e këtij vendi duke përfshirë edhe atë myslimane. Vizita e parë është kryer në Drelaj me një ofertë për ecje në borë. Klientët si kërkesa specifike kanë pasur fjetjen në shtëpi të kosovarëve, mirëpo ku shërbehet ushqimi hallall dhe nuk ka qenë (kafshë) që jeton brenda atij ambienti. Kjo familje simpatike pesë anëtarëshe ka qenë super e kënaqur me shërbimet tona dhe kishte lënë këtë koment:

"ne kërkuam një pushim ndryshe, që nuk do të ishte vetëm për mbamendje, por do të kishte edhe kuptim. Pasi fëmijët tonë 10, 15 dhe 18 vjeçar kurrë nuk kanë qenë në ecje bjeshkatare, ne vendosëm për Grykën e Rugovës dhe një itinerar 2 ditorë në një shtëpi pritëse në këtë fshat".

Guida jonë e udhëhequr nga Mentor Vokshi kishte shumë durim dhe u kujdes për ne. Pamë pamje mahnitëse në bjeshkë dhe fshatra. Pasi ishte dimër në ishim të vetmit në këtë ecje. Ishte një përvojë që ia ka vlejtur për secilën rrëshqitje dhe rëzim…", ka shkruar Norliza nga Singapuri. Familja përveç bjeshkëve ka vizituar edhe Gjakovën, Prizrenin dhe Prishtinën.

Për vitin e ardhshëm kemi disa rezervime të tjera dhe kompania jonë është kujdesur që guidat të jenë të ndjeshëm në çështjet fetare dhe racore.

Kompania jonë gjithashtu është duke shikuar ne vendet tjera myslimane si Jordani, për të cilët hyrja në Kosovë është pa viza. Kështu qytetarëve të këtij vendi mund t'i ofrojmë vizitë në Evropë pa viza. Me një bashkëpunim me Shqipërinë do të mund të bënim vizitë të përbashkët, nëse Shqipëria i hequr vizat.

Në këtë anë të kufirit Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i bie hise që të analizojë investimet e deritashme në promovimin e turizmit të Kosovës dhe të shoh se çfarë kthimi ka pasur prej cilit aktivitet, dhe ndoshta të orientojë disa fonde në këtë treg gjigant.

Gjithashtu rol të rëndësishëm mund të luaj edhe ministria e jashtme.

 

The post Të rinjtë myslimanë, tregu i ri i turizmit appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more