Skip to main content

“Anëtarja e kryesisë së PD-së “shuplakë” Bashës, pse u heshtët për dhjetoristët?” plus 9 more - Gazeta Dita

“Anëtarja e kryesisë së PD-së “shuplakë” Bashës, pse u heshtët për dhjetoristët?” plus 9 more - Gazeta Dita


Anëtarja e kryesisë së PD-së “shuplakë” Bashës, pse u heshtët për dhjetoristët?

Posted: 21 Feb 2018 02:07 AM PST

Anëtarja e kryesisë së PD –së Valbona Mezini , ka reaguar në lidhje me heshtjen që pasoi në 27 vjetorin e rënies së bustit të diktatorit Hoxha.

Sipas saj të nderosh heronjtë nuk është kurrë démodé. Ndaj  Mezini pyet se përse dhjetoristët  nuk i falënderoi zyrtarisht dikush dje, për të gjithë atë rezistencë që i bënë me jetë sistemit të egër komunist.?

"Ishte dita që këta heronj të çmoheshin me mirënjohje. Kjo do t'i shërbente aq sa historisë së partisë edhe brezave të së ardhmes, te cilët kanë nevojë si ushqim t'u mësojmë, se lufta me të keqen vazhdon dhe ajo bëhet në emër të të vërtetës dhe idealeve për një jetë më të mirë", ka shkruar Mezini në rrjetet sociale, duke i dhënë kështu një shuplakë të fortë kreut të PD –së Lulzim Basha, i cili u mjaftua me një postim sa për të thënë në rrjetet sociale.

"…Edhe një pyetje tjetër kisha por këtë herë, jo 1 milion $….

Po dhjetoristët pse nuk i falenderoi zyrtarisht dikush, për gjithë atë rezistence që i bën me jetë sistemit më të egër komunist ?

Rezistencë me greva, penë e "pushkë".

Te nderosh heronjtë nuk është kurrë demode. Është akt fisnik mirënjohje ndaj njeriut që bën historinë dhe çdo histori ka heronjtë e saj.

Unë sot e përgjithmone u jam mirënjohëse, në rradhë të parë babait tim që ishte ndër të paret që kryesoi levizjen demokratike në ndërmarrjen e tij që në orët e para të saj duke firmosur  krijimin e PD. Ai është heroi im i parë, sepse i dha asaj Partie pa kërkuar kurrë asnjë gjilpërë si këmbim, por në heshtje dhe thjeshtësi i shkolloi fëmijët dhe ushqeu familjen krejtësisht me punën e tij të ndershme.

Ndërsa heronjtë tanë, të të gjithëve, janë ish studentet dhjetoristë që sot e gjithmonë duhet t'u përulemi me mirënjohje për guximin dhe dashurinë që nuk kursyen për LIRINË.

Sot ishte dita që këta heronj të çmoheshin me mirënjohje. Kjo do ti shërbente aq sa historisë së partisë edhe brezave të së ardhmes të cilët kanë nevoj si ushqim tu mesojmë se lufta me të keqen vazhdon, dhe ajo bëhet në emër të së vërtetës dhe idealeve për një jetë më të mirë!

Respekte për cilindo dhjetorist!", shkruan Mezini.

l.h/ dita

Moti shkon drejt përkeqësimit, ulen temperaturat

Posted: 21 Feb 2018 01:56 AM PST

Orët e para të ditës mbeten me vranësira dhe reshje të përkohshme në të gjithë Shqipërinë. Mesdita dhe kryesisht pasditja do të sjellin shtim të reshjeve në zonat Jugore, ndërsa Veriu dhe Qendra e Shqipërisë mbeten me reshje afatshkurtra.

Në mbrëmje dhe gjatë natës reshjet do të intensifikohen në të gjithë territorin shqiptar.

Temperaturat e ajrit vijojnë pa ndryshime të ndjeshme gjatë mëngjesit por gjatë orëve të pasdites do të ketë një rritje të lehtë të tyre. Era do të fryjë mesatare nga drejtimi Juglindor.

Në Tiranë, do të mbizotërojnë reshje shiu gjatë gjithë ditës së sotme, deri pas mesnate. Sa u përket temperaturave, paradite dhe mesdite ato do të luhaten nga 11°C deri në 13°C, ndërsa gjatë pasdites temperaturat pritet të bien deri në 8 °C.

Ditën e nesërme vranësira dhe shira të konsiderueshme do të dominojnë vendin, e ndërsa në zonat malore pritet të ketë dëborë.

Në Tiranë, Sipas institutit te Gjeoshkencave, ditën e nesërme do të ketë vranësira dhe temperaturat pritet të ulen prej 2°C-3°C .

l.h/ dita

Aksidenti tragjik në Velipojë, shuhet familja Preka, vdes dhe vajza tjetër

Posted: 21 Feb 2018 01:49 AM PST

Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta edhe vajza 10-vjeçare e familjes Preka që ndodhej prej tre ditësh në gjendje kome në spitalin e Shkodrës.

Noemi nuk ia doli duke humbur betejën, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve për ta mbajtur në jetë. 10-vjeçarja është fëmija i tretë i familjes që ndërron jetë si pasojë e aksidentit tragjik që ndodhi mbrëmjen e së dielës, në aksin Velipojë –Shkodër pranë zonës së plazhit.

Babai, Edmondi që drejtonte makinën humbi jetën në vend, pasi përplasja me një mjet tjetër tip fuoristradë rezultoi fatale, ndërsa në spital po atë natë ndërruan jetë edhe djali 9-muajsh dhe vajza. E vetmja e mbijetuar është gruaja e tij Evisa.

l.h/ dita

Dhunon të shoqen në sy të fëmijës, arrestohet 35-vjeçari

Posted: 21 Feb 2018 01:31 AM PST

Një 35-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Divjakës pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

"Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases K. B., 34 vjeçe, në prezencë edhe të fëmijës së tyre të mitur.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprën penale "Dhunë në familje", thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

l.h/ dita

Durrës, shpërthen bombola e gazit, plagosen dy vëllezër

Posted: 21 Feb 2018 01:18 AM PST

Një bombol gazi ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit dhe ka alarmuar gjithë banorët e zonës.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Ishmit, rreth orës 08:30 të së mërkurës.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur dy vëllezërit Sokol dhe Bardhok Proja 45 e 50 vjeç. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, për të marrë trajtimin mjekësor.

Sakaq, policia e mbërritur në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rrethanave si ka ndodhur shpërthimi i bombolës së gazit.

l.h/ dita

Bankat vendosin kufi: Asnjë depozitim mbi 50 mijë euro pa vërtetuar burimin

Posted: 21 Feb 2018 01:00 AM PST

Gjatë janarit dhe shkurtit bankat e nivelit të dytë kanë afishuar në vende të dukshme një tabelë ku sanksionohet një kufi i ri për sasinë e parave që mund të depozitohen pa një dokument që vërteton burimin. Ky kufi është 50 mijë euro ose vlera e barabartë në çdo monedhë tjetër. Konkretisht në tabelat e afishuara bëhet e qartë se ky rregull ka nisur që nga data 17 janar dhe vjen si efekt i kuadrit rregullator.

"Në zbatim të kuadrit rregullator vendas dhe europian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke filluar nga data 17 janar 2018 për derdhjen e parave në shuma të mëdha mbi 50 mijë euro ose ekuivalenti në monedha të tjera, sportelet e bankës sonë kërkojnë dokument mbështetës për të justifikuar burimin e të ardhurave. Nëse nuk plotësoni këtë kërkesë banka ka të drejtë të mos i pranojë paratë" thuhet në njoftimin e afishuar nga banka.

Më parë, individi që depozitonte paratë bënte një deklarim dhe e mbante vetë përgjegjësinë e burimit nga i kishte siguruar të ardhurat, ndërsa tashmë përgjegjësia duket se i ka kaluar bankës.

Në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave sanksionohen disa raste se kur bankat apo institucionet e tjera duhet të kenë vigjilencë më të lartë mbi transaksionet që kryhen. Ky kufi për rastin e transaksioneve është në vlerën 1 milionë lekë. Për rastin e shitjes së pasurive të paluajtshme është Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ajo e cila ka detyrimin që të raportojë çdo ndryshim pronësie me një vlerë 6 milionë lekë ose vlerë e barabartë me këtë në një monedhë tjetër.

Vigjilenca që kanë bankat ndaj transaksioneve dhe klientëve është e ndarë në dy kategori. Së pari ajo që njihet si vigjilenca e duhur që sanksionon tërësinë e masave që duhet të aplikojnë subjektet, me qëllim identifikimin dhe verifikimin e plotë dhe të saktë të klientëve, pronarit përfitues përfundimtar, strukturës së pronësisë dhe të kontrollit për personat juridikë dhe organizimet ligjore, natyrën dhe qëllimin e transaksionit apo marrëdhënies, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve të biznesit dhe të shqyrtimit të vazhdueshëm të transaksioneve, për të siguruar që janë në përputhje me natyrën e biznesit të klientit dhe profilet e rrezikut, duke përfshirë, kur është e nevojshme, burimin e fondeve.

Së dyti vigjilenca e zgjeruar ndaj klientit që është një proces më i thellë kontrolli. Masa e fundit që kanë afishuar bankat lidhen me paranë "cash" që mund të disponohet nga individët apo bizneset dhe për të cilën kërkohet depozitim në bankë. Në këto raste individi apo biznesi duhet ta kenë të shoqëruar me dokument burimin e të ardhurave nëse vlera është mbi 50 mijë euro./Monitor

l.h/ dita

Historia e vajzës që kërkon të kaloj më shumë kohë me të atin

Posted: 21 Feb 2018 12:53 AM PST

"Dikur, një vajzë e vogël e pyeti të atin: "Babi, sa lekë fiton në një orë?". Ai u nevrikos nga ajo pyetje, por si përfundim i tha se fitonte rreth 100$.

Vajza vazhdoi: "A mund të më japësh 50$?". I ati i saj u acarua akoma më shumë dhe ia ktheu: "Jo, nuk t'i jap se e di që do i harxhosh kot, duke blerë kukulla".

Vajza shkoi në dhomën e saj dhe nisi të qante duke shtrënguar foton me nënën e saj, e cila kishte ndërruar jetë. Pas pak minutash vjen i ati i saj dhe i zgjat paratë që ajo kërkoi. Vajza e vogël shkoi tek sirtari ku mbante kursimet, nxori 50$ të tjera që i kishte mbledhur vetë dhe ia zgjati të atit duke i thënë: "Po të jap 100$ që të kalosh një orë me mua. Hajde shpejt në mbrëmje që ta hamë darkën bashkë".

Aty i ati e kuptoi gjithë situatën dhe nisi të qante duke e përqafuar fort vajzën e tij".

Ndoshta kjo histori është një trillim. Ndoshta është edhe e vërtetë, shumë prej jush mund ta kenë lexuar gjithandej, por thelbi nuk qëndron tek vërtetësia e saj, por tek mesazhi universal që përcjell. Ne mund të humbasim një punë dhe mungesa jonë në atë kompani do të zëvendësohet brenda ditësh, por nëse humbasim dashurinë e të afërmve tanë, asgjë nuk mund ta kthejë këtë gjë mbrapsht.

Unë dua që sot të reflektosh dhe të kalosh më shumë kohë me ata që do dhe të duan. Mos u kap pas punës si gjëja më me vlerë që ekziston. Lekët dhe puna duhen, por dashuria duhet më tepër. Ti mund të kesh gjithë pasurinë e botës dhe asgjë nuk do ta ketë vlerën që ka dashuria. Do të ndihesh bosh, vetëm dhe pa asnjë person që të të qëndrojë pranë me këshillat dhe dashurinë e tij.

Ndoshta vërtet vlerën e diçkaje e kuptojmë, atëherë kur e humbim atë gjë. Nëse ne rrethohemi nga dashuria, fillojmë ta marrim atë si të mirëqenë dhe mendojmë se do e kemi përgjithmonë. Nuk është aspak kështu. Dashuria është shumë e brishtë. Nëse ajo pëson zhgënjime të vazhdueshme, nëse ajo nuk ushqehet dita-ditës, fillon të zbehet dhe nuk ka gjë që ta kthejë mbrapsht ashtu siç ka qenë. Ndaj, mos e stërmundo veten aq shumë për të bërë pasuri në kurriz të humbjes së dashurisë. Sot të duket sikur po bën gjënë e duhur, por nesër ke për t'u penduar rëndë.

Një parim i artë në mjekësi thotë se është shumë herë më mirë të parandalosh, se sa të mjekosh. Ky parim mund të përdoret mjaft mirë edhe në situatën, për të cilën po flasim. Është më mirë të mos punosh shumë sot për të fituar shumë, se sa të pasurohesh nesër dhe të shohësh që ke humbur dashurinë e të gjithë atyre që jepnin edhe jetën për ty./ Bota.al

l.h/ dita

Jeta qenka plot me huqe

Posted: 21 Feb 2018 12:47 AM PST

Rikrijim…

S'më vjen keq për vitet që më ikën,
ato ikën fare pa më prekur,
s'më vjen keq për zjarret që m'u fikën,
se kush ndizet-digjet për t'u tretur.

S'e kupton aspak njeriu i shkretë,
si i tretet jeta në çdo orë,
flokëziu me syrin shigjetë,
kthehet në kodrinëz me dëborë.

Ashtu e pësova edhe unë,
që besoja vetëm në rininë,
dhe kur çaja zhveshur në furtunë,
s'e mendoja kurrë pleqërinë.

Gota ime plot me verë të kuqe,
nuk do boshatisej ndonjëherë,
porse jeta qenka plot me huqe,
ato që t'i fal-sërish t'i merr.

Dhe s'të lë aspak që të mendosh,
ishte-apo s'ishte çasti i duhur,
edhe kohë s'ke qé té shikosh,
jetën tënde bërë baltë e pluhur.

Sheku do të shkojnë e do të vijnë,
ne do jemi lodra për mëshirë,
shpirtrat njerëzoré do ulërijnë,
në një natë të zezë-në shkretëtirë!

***

Hëna…

Herë del e plotë e herë përgjysëm,
si ëndrrat tona që u përmbysën,
herë del e plotë-herë e holluar,
si dashuria e tradhtuar!

Hëné e bardhë-hënë me re,
si ëndrrat tona-që u bënë dhe,
herë e plotë-e herë majoshe,
herë e mërzitur-herë bukuroshe.

Herë me dritë-herë e mekur,
si ëndrrat tona-që kanë vdekur,
herë shënd e gaz-herë si e fjetur,
si jeta jonë që është tretur!

Herë serioze-herë nazike,
si vashë e bukur-aspak besnike,
aspak besnike-po kush ka qénë,
po nuk është pak-të jesh një Hënë!

Aspak besnike-po kush ka qënë?!
Falen të gjitha-kur je një Hënë!

A.DUKA

Cilën përmendore duhet të shembim sot

Posted: 21 Feb 2018 12:42 AM PST

 

Bedri Islami

27 vite më parë, pas grevës së studentëve dhe një marrëveshje të pashkruar popullore kundër regjimit të vjetër, në Tiranë, e më pas edhe në rrethe, u hodhën ose u shembën përmendoret, statujat dhe bustet e Enver Hoxhës.

Sinjali ishte dhënë më herët. Me 13 dhjetor 1990, në Shkodër,  do të hidhej busti i Enver Hoxhës nga studentët dhe ata që u bashkuan me to, pas një demonstrate, të cilën as sot e kësaj dite nuk dihet kush e filloi dhe pse përfundoi në atë mënyrë.

Sidoqoftë bustet, përmendoret dhe Statujat u hodhën. Vendi, sipas dëshmive të mëhershme, shkoi në buzën e një përplasjeje civile, e cila, megjithëse e kishte fillesën në Tropojë, ku zuri fill ajo që më pas do të quhej "Vullnetarët e Enverit", u shtri më shumë në jugun e vendit, për të heshtur disa javë më pas, si të gjithë krijesat që lindin nga zemërimi i paarsyeshëm.

Piedestalet politike mbetën bosh më 21 shkurt. Të egërsuar, pa e ditur as vetë për çfarë, filluan të hidhen poshtë edhe bustet e herojve të luftës nacionalçlirimtare, e kur nuk doli mllefi i kohës, ia nisën edhe me disa figura të vjetra kombëtare, që ishin në lartësi të tjera, mes tyre edhe të Fan Nolit dhe Migjenit. Në vend të tyre u ngritën përmendore dhe statuja të tjera, shumë nga të cilat nuk do të ishin ngritur dhe nuk janë ngritur në asnjë vend të botës perëndimore, me një rendje të çuditshme për të rehabilituar bashkëpunëtorët e fashizmit e të nazizmit.

"Ajo furtunë kaloi", thotë në një poezi të tij Sergej Esenini për një kohë tjetër, por diçka e ngjashme ndodhi edhe tek ne. Çuditërisht, edhe pas saj, koha e mendjes nuk po vjen.

Në 27 vite jetë plurale politike u ngrit një kult tjetër, po aq i dëmshëm sa edhe kulti i liderit të pakontestueshëm. Ai u ngrit marramendshëm shpejt, në shumicën e tij nga njerëz që kishin qenë adhurues të kultit të Enverit dhe që, në nënvetëdijen e tyre, kishin pasur ëndrrën e ripërtëritjes së kultit në një kohë tjetër. Viti 1992 bëri gjithçka ishte e mundur për të ngritur kultin e berishizmit, si një kult demokracie dhe prosperiteti, duke shkuar edhe më përtej, si kulti i njeriut që do të realizonte bashkimin kombëtar, kur në fakt ai ishte, në të gjitha, e kundërta e prapshtë e pritjes së ndryshimit. Kulti i berishizmit është ende i pranishëm, në një përmasë të ndjeshme, brenda Shqup-it politik, i përzjerë me një servilizëm klasik ballkanas, si kult ndaj të parit të fisit; përmes tij dhe familjes së tij rrotullohet e gjithë bota e demokratikasve, zgjidhen militantët, shefat dhe nënshefat; përmes një cingërime të tij ngjiten shkallët e karierës politike dhe, disa vite më parë, mund të bëheshe i pasur ose të shkoje në humnerë.

Megjithatë, ai , edhe pse nuk e kishte pritur, mbeti një kult lokal, që po i bien pendët edhe tek shqiptarët jashtë atdheut dhe që ecjen e tij politike, të përzjerë me komunizëm ekstrem, sllavizëm gllabërues, pushtet epshmbajtës politik, tendecë nënshtruese greke dhe shitje të interesave kombëtare, do të mbesin vetëm pak hapa, si një nostalgji të asaj që dikush kishte ëndërruar.

Pra, ky është një kult në të shembur e sipër dhe në një kohë jo të largët, kur vetëm demokratikasit të mbushen në mend, ata vetë do e shembin edhe më shpejt e më thellë se sa opozitarët e tij.

Shoqëria duhet të shembë dhe të ulë përfundimisht nga piedestalet kultin e njeriut të paprekshëm.

I krijuar pas vitit 1992, si një adhurim për liderët me pardesy, disa nga të cilët ishin siluruar aty nga sigurimi i shtetit, kulti i të paprekshmit mori një përmasë të jashtëzakonshme nën sundimin e parë presidencial të Berishës.

Kjo epidemi politike, që u ul deri në shkallët disi më të ulta të pushtetit, krijoi koracatën shtetërore të mbrojtjes së krimit dhe vendosjen e një matësi të ri në përballjen me ligjin.

Të paprekshmit, shumica e të cilëve ishin njerëz të politikës , që më pas pranuan në këtë çadër kulti edhe oligarkë financiarë që u takonin atyre, u bënë dhe vazhdojnë të jenë në Shqipëri një kategori e çuditshme, që veten e ndjen mbi ligjin, që nuk pyet as për shtet e as për pushtet, e cila, edhe kur gjërat janë krejtësisht të qarta, mbjell turbullimin dhe sjell përtalljen me jetët e të tjerëve.

Le të kthehemi tek një rast i harruar nga drejtësia : rasti i deputetit Xhindi, i vrarë në hyrjen e shtëpisë së tij, pikërisht në kohën kur ministër i brendshëm ishte Bujar Nishani, që më pas u bë, ashtu si u bë, edhe president.

Xhindi u vra pikërisht nga të paprekshmit. Bujar Nishani atëbotë deklaroi se vrasësit dihen dhe pas pak ditëve do të arrestohen. Pastaj u hodh mjegulla se pas vrasjes qëndrojnë motive të tjera. Të paprekshmit, që kishin projektuar një vrasje politike, dolën mbi shtetin, mbi deklaratat e ish-ministrit të brendshëm dhe mbi vetë ligjin. E njëjta histori edhe me vrasjen e gjyqtarit Konomi, e zëvendësshefit të Shërbimit Informativ Kombëtar në Durrës, që të paprekshimit e paraqitën fillimisht si vetëvrasje. Të paprekshmit ndërtuan një fabrikë vrastare në Gërdec, por askush nuk guxoi të merrte mundimin që, të paktën, të pyeteshin. Organizuan vrasjen e Kosta Trebickës në një vend të paditur dhe e risollën ku deshën, dhe askush nuk u trondit. Vodhën miliona, qindra milionë euro në Rrugën e Kombit dhe u përtallën furishëm me të gjithë, duke hedhur në portën e prokurorisë e më pas të gjykatës, një fletushkë mjekësore. E shkëputën nga duart e prokurorisë një aventurier politik si Fazlliqi, mikun e shtëpisë së Berishës, dhe më pas organizuan një gjyq farsë, ku zonja Hajdari do të ishte njeriu që vendoste. Ajo, në kaq vite, të paktën një gjë e di mirë: nuk mund të dalësh kundër të paprekshmëve. E di, sepse shembullin e ka ndjerë mbi kurrizin e saj dhe, njeriu që e kishte linçuar burrin e saj, që e kishte nëpërkëmbur e që në fund e nxorri në pritë, as nuk dëshmoi për një ngjarje që e kishte ditur para se të ndodhte. Vranë me 21 janar gjakftohtë dhe të zhgënjyer që nuk kishin vrarë më shumë, dhe desh sajuan teorinë e vrasjes brenda llojit politik, e askush, as sot e kësaj dite, të paktën për hir të gjakut, nuk mori guximin që të bënte, të paktën një pyetje: përse mashtrove në daljet publike të natës së 21 janarit? Në gjyqin kundër asaj pjese të gardës që kishte qëlluar në 21 janar dhuna e të paprekshmëve mori një furi që nuk ishte njohur deri më atëherë e nuk besoj se do të njihet më pas: gardistë që brohorisnin për eprorët e tyre, që kërcënonin prokurorë e gjyqtarë, që e ndjenin veten zot të gjithçkaje dhe që, në një formë aspak të zbutur po bënin atë që u kishin urdhëruar, një puç kundër sistemit të drejtësisë, që edhe ashtu ishte i asfiksuar.

Të paprekshmit nga një shfaqje e rëndomtë, u bënë një fenomen dhe tani janë një forcë konkrete. Nëse  nuk dëbohen nga kulti i tyre, nuk është bërë asgjë.

Kaq shumë u krijua imazhi i njeriut të paprekshëm të politikës , sa që, pas vitit 1997, publikisht, dy ish kryeministra socialistë, Pandeli Majko dhe Bashkim Fino, i mburreshin Berishës , se "unë të kam shpëtuar pa u futur në burg", sikur drejtësia ishte malli i babait të tyre dhe pronë vetjake mbi mjetet e prodhimit.

Të paprekshmit janë të shumtë. Është një kupolë që qëndron mbi fatin e shtetit. Që e kanë kapur atë dhe po e linçojnë , edhe sot e kësaj dite.

Për të ruajtur të paprekshmit është synuar disa herë, synohet edhe tash të krijohen edhe forca paramilitare, nën shembullin e korpusit serb në Kosovë apo në Bosnje. Natyrisht , jo kaq larg, por të rrezikshme në një shtet që nuk është në luftë dhe që aspiron një vend në Bashkimin Europian. Komiteti i Veriut i dikurshëm në vitin 1997 dhe Korpusi "Azem Hajdari" i tashëm, janë vazhdime të njëri- tjetrit, ashtu si janë zgjatime të njëjta bandat e metingashëve në 14 shtator, të armatosur dhe selia e PD-së një vatër lufte, me gardistët që pas 21 janarit qëndruan disa ditë nëpër bodrumet e kryeministrisë.

Të paprekshmit janë të dyanshëm. Asnjëri prej tyre nuk është dënuar deri tani. Asnjëri nuk ka rënë nga kali, por edhe kur ka rënë përkohësisht, i është ngjitur pas një kali tjetër.

Zbritja e tyre nga piedestali ku ata kanë ngritur veten dhe ku shteti i lejon të qëndrojë duhej bërë me kohë, por edhe tani, do të ishte një kohë e duhur.

Ky është, sipas mendimit tim, e domosdoshmja e kohës së tashme: shembja e mitit të të paprekshmëve!

Kjo është edhe përmendorja që duhet shembur, duke filluar që nga 22 shkurti!

Prokuroria mbyll dosjen e trukimeve të Skënderbeut

Posted: 21 Feb 2018 12:41 AM PST

Një hetim i nisur dy vite më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për dyshimet e trukimit të rreth 40 ndeshjeve sportive të kampionatit Shqiptar, ku në të gjitha përfshihej klubi i Skënderbeut, ka përfunduar në dyert e prokurorive të rretheve.

Edhe pse dosja hetimore ka shkuar në prokuroritë e vendeve si: Korça, Tirana, Durrës dhe Shkodra, ky hetim është stopuar nga këto prokurori. Krimet e Rënda pak kohë më parë kanë shpallur mos kompetencën për këtë hetim të nisur për "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Fiksimi ose paracaktimi i rezultatit në garat sportive". Hetimi fillimisht është nisur nga prokurori Anton Martini, por pas transferimit të këtij të fundit në Shkodër, nga ish-kryeprokurori Llalla, dosja për paracaktimin e rezultateve sportive i ka kaluar një prokurori tjetër, Besnik Muçi.

Teksa prokurori ka vijuar hetimet nuk është arritur të konstatohen elementë të veprës penale dhe për pasojë, Muçi mësohet të ketë shpallur mos kopetencën duke ja kaluar dosjen për hetime të mëtejshme disa prokurorive të rretheve.

Kujtojmë se ky hetim ka filluar pas raportit të parë që nisi UEFA në Federatën Shqiptare të Futbollit ku akuzohej Skënderbeu për trukimin e rreth 50 ndeshjeve kombëtare e ndërkombëtare.

Raporti i UEFA-s

Para disa ditësh u publikua një raport të dy inspektorëve të UEFA-s që akuzojnë Skënderbeun për trukimin e rezultateve të rreth 50 ndeshjeve ndërkombëtare e të kampionatit shqiptar.  Pas këtij raporti Skënderbeu rrezikon një dënim me përjashtim prej 10 vitesh nga kompeticionet europiane dhe 1 milion eruo gjobë.

Me një raport të detajuar prej 93 faqesh jepeshin argumentet e inspektorëve duke analizuar lëvizjet e kuatove të basteve gjatë ndeshjeve të Skënderbeut si dhe sjelljen e çuditshme të ekipit dhe lojtarëve të klubit shqiptar në fushën e lojës. Po kështu në atë raport zbuloheshin edhe lidhjet me botën e basteve të drejtuesve të klubit korçar. Në raportin e UEFA-s përmendeshin si personat kryesorë që kanë influencuar në rezultatet e ndeshjeve ish-ministri i PD Ridvan Bode, presidenti klubit të Skënderbeut Ardjan Takaj dhe ish-presidenti Agim Zeqo.

Në raport listohen edhe rreth 40 ndeshje në kampionatin shqiptar dhe në Kupën e Shqipërisë nga viti 2013 në vitin 2016. Raporti citon edhe disa lojtarë si të dyshuar në trukim. Ata janë portieri Orges Shehi, mbrojtësit Renato Arapi, Tefik Osmani dhe Marko Radas, mesfushori Sabien Lilaj, sulmuesi Bledi Shkëmbi dhe trajneri Mirel Josa.

Shembulli spanjoll 30 arrestime

Kur në Shqipëri organet e drejtësisë pushojnë hetimet ose i lënë dosjet për hetimet për ndeshjet e trukuara në Spanjë janë arrestuar plot 30 persona për manipulime të rezultateve. Dhe aty bëhet fjalë për ndeshje të kategorive të dyta e të treat dhe jot ë kampionatit elitar si në vendin tonë dhe qa më keq të ndeshjeve ndërkombëtare siç akuzohet Skënderbeu nga UEFA.

Futbolli spanjoll është përfshirë nga një skandal i madh bastesh, ku plot 50 ndeshje, në Kategorinë e Dytë (Segunda B) dhe në Kategorinë e Tretë (Tercera Division), janë duke u hetuar dhe dyshohet se janë të trukuara. Ka qenë organizata, Federbet, e cila lufton bastet e paligjshme në futboll, e cila ka hedhur dritë mbi trukimet e mundshme. Sipas gazetës spanjolle "El Pais" policia ka arrestuar 30 persona të dyshuar si të përfshirë në këtë çështje.

Deklarata në 2016

UEFA godet drejtësinë shqiptare: S’bashkëpunuan për Skënderbeun

Nga raporti i hartuar nga UEFA për Skënderbeun, bie në sy se kemi të bëjmë me një punim mjaft voluminoz për të cilin është dashur shumë kohë për të investiguar. Inspektorët e UEFA-s që janë marrë me këtë raport kanë hetuar prej gati dy vitesh të gjitha lidhjet e mundshme të drejtuesve të Skënderbeut, atyre de jure por edhe atyre de facto si ish-ministri Ridvan Bode. Këta inspektorë kanë bërë një punë hetuese që turpëron drejtësinë shqiptare, e cila ka dy vite që nuk ka bërë asnjë hetim për këtë skandal.

Ka dy vite që prokuroria shqiptare ka hapur hetim për ndeshjet e manipuluara, duke marrë edhe raportin e UEFA-s, por e ka vënë në ndonjë sirtar ku e ka harruar. Që në vitin 2016 drejtues të UEFA-s akuzuan drejtësinë shqiptare për mungesë bashkëpunimi në rastin e hetimit të ekipit të Skënderbeut për akuzën e trukimit të ndeshjeve. “Udhëtuam disa herë në Shqipëri për këtë çështje, por kupton që harxhuam shumë kohë dhe para, pasi ishte me të vërtetë e vështirë për të bashkëpunuar me autoritetet vendase” deklaron Emilio Garcia, kreu i njësisë disiplinore dhe integritetit UEFA.

Ndeshjet e trukuara në kampionatin shqiptar sipas UEFA-s

13/11/2010: Skënderbeu vs. Dinamo Tirana

12/12/2010: Skënderbeu vs. Shkumbini

08/12/2010: Teuta vs. Skënderbeu

06/02/2011: KS Kastrioti vs. Skënderbeu

15/04/2011: KS Dinamo Tirana vs. Skënderbeu

03/02/2011: KF Tirana vs. Skënderbeu

25/02/2011: KS Dinamo Tirana vs. Skënderbeu

07/03/2011: Skënderbeu vs. Bylis Ballsh

20/04/2011: Skënderbeu vs. KF Laçi

26/10/2011: Skënderbeu vs. KS Kastrioti

05/12/2011: Skënderbeu vs. Bylis Ballsh

04/02/2012: KF Laçi vs. Skënderbeu

08/02/2012: Skënderbeu vs. KS Pogradeci

07/03/2012: Skënderbeu vs. KS Vllaznia

21/03/2012: Skënderbeu vs. KF Laç

26/03/2012: Dajti Kamza vs. Skënderbeu

25/04/2012: Skënderbeu vs. KS Vllaznia

24/08/2012: KS Vllaznia vs. Skënderbeu

24/09/2012: Skënderbeu vs. KF Laçi

08/12/2012: KS Shkumbini vs. Skënderbeu

15/12/2012: Skënderbeu vs. KS Kukesi

19/12/2012: KS Kastrioti vs. Skënderbeu

04/02/2013: Skënderbeu vs. KS Kastrioti

17/02/2013: Apolonia Fier vs. Skënderbeu

20/02/2013: KS Shkumbini vs. Skënderbeu

01/03/2013: KF Laçi vs. Skënderbeu

06/03/2013: KS Kukesi vs. Skënderbeu

12/03/2014: Skënderbeu vs. KS Kastrioti

30/04/2014: Skënderbeu vs. KS Kukesi

11/09/2014: FK Partizani vs. Skënderbeu

29/10/2014: Skënderbeu vs. KF Elbasani

21/12/2014: KS Vllaznia vs. Skënderbeu

25/01/2015: KF Elbasani vs. Skënderbeu

31/01/2015: Skënderbeu vs. KF Laçi

16/10/2015: Skënderbeu vs. KS Teuta

18/02/2015: Skënderbeu vs. KS Flamurtari

21/09/2015: Skënderbeu vs. KF Tirana

22/11/2015: Skënderbeu vs. Terbuni Puke

17/02/2016: Skënderbeu vs. Vllaznia

20/04/2016: Skënderbeu vs. KF Laçi

 

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more