Skip to main content

Tirana Observer: “Rama: Zyra e re e bashkëqeverisjes, aplikimet janë të hapura deri më 27 gusht” plus 9 more

Tirana Observer: “Rama: Zyra e re e bashkëqeverisjes, aplikimet janë të hapura deri më 27 gusht” plus 9 more


Rama: Zyra e re e bashkëqeverisjes, aplikimet janë të hapura deri më 27 gusht

Posted: 16 Aug 2017 11:14 AM PDT

Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në faqen e vet në Facebook ka bërë me dije se, kur mbeten edhe 10 dite nga afati fundor, numri i aplikimeve per t'u punesuar ne Zyren e Bashkeqeverisjes me Qytetaret ka shkuar 231.

Rama sqaron se aplikimet do të vazhdojnë të jenë të hapura deri në 27 gusht.

"Kur mbeten edhe 10 dite nga afati fundor, numri i aplikimeve per t'u punesuar ne Zyren e Bashkeqeverisjes me Qytetaret ka shkuar 231.

Falenderojme te interesuarit per aplikimet e tyre sipas kerkesave te aplikimit, per te cilin rikujtojme se kerkohet Leter Motivimi (pse dua te punoj ne kete zyre) + CV + 2 letra rekomandimi te kandidatures (nga ish-dekane ose pedagoge te fakultetit ku aplikanti ka kryer studimet; punedhenes te meparshem; figura te respektuara te komunitetit ku aplikanti ka banuar apo banon aktualisht). Perndryshe aplikimi konsiderohet i pavlefshem.

Aplikimet jane te hapura deri ne 27 gusht.

Te gjithe ata qe lexojne per here te pare per kete zyre te posaçme, e cila do te ngrihet menjehere me krijimin e qeverise se re, mund te marrin nje informacion te plote ne postimin nr.1 me te njejtin titull.

Faleminderit. Grupi i Punes per ngritjen e Zyres se Bashkeqeverisjes", shkruan Rama.

BSH hodhi në qarkullim 20 mld lekë më shumë se një vit më parë

Posted: 16 Aug 2017 11:03 AM PDT

Banka e Shqipërisë ka nxjerrë në qarkullim 20 miliardë lekë më shumë gjatë muajit korrik në krahasim me një vit më parë për të zbutur efektet e kursit të këmbimit.

Sipas të dhënave zyrtare, korriku i këtij viti shënon muajin me sasinë më të lartë të parasë së hedhur në qarkullim përgjatë dhjetë viteve të fundit.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë muajit korrik Banka e Shqipërisë ka hedhur 263 miliardë lekë, e cila është një shifër mjaft e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të një vitit më parë kur ishte vetëm 243 miliardë.

Emetimi i parave, sidomos gjatë stinës së verës është një procedurë e përhershme nga Banka e Shqipërisë.

Kjo shpjegohet me faktin e prurjes së sasive më të mëdha të valutës së huaj nga emigrantët, por edhe nga turistët në Shqipëri.

Emetimi i parave bëhet si një mënyrë për të ruajtur balancën midis lekut dhe monedhave të huaja.

Qeveria miraton ndryshimet në buxhet, 3 miliardë lekë për energjinë

Posted: 16 Aug 2017 10:13 AM PDT

Qeveria ka miratuar ndryshimin në buxhetin e shtetit me një akt normativ duke reflektuar atë që tashmë pritej, lidhur mbi të gjitha me situatën energjetike në vend. Në nenin 10 të ligjit për buxhetin zëri i huadhënies për energjinë është vendosur në kufirin e 4.5 miliardë lekëve nga 1.5 miliardë lekë që ishte sipas parashikimit fillestar. Një tjetër zë që ka ndryshuar është ai i fondit rezervë që është rritur me 1.2 miliard lekë duke arritur në 2.7 miliardë në total. Përtej ndryshimeve qeveria ka vendosur të mos prekë defiçitin duke e mbajtur atë të pandryshuar në kufijtë e 31 miliardë lekëve kurse të ardhurat janë parashikuar të paktën 2 miliardë më shumë krahasuar me planin e fillim vitit. Të njëjtin trend kanë ndjekur edhe shpenzimet.

Përdorimi i fondeve rezervë

Fondi rezervë që ka pësuar rritje me të paktën 1.2 miliardë lekë është ndarë mes tre zërave. Në ndryshim nga plani fillestar ku mbështetja për institucionet ishte 1 miliardë lekë tashmë ajo është bërë 1.2 miliardë ndërsa ka mbetur I pandryshuar fondi 500 milionë lekë parashikuar për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Listës i është shtuar edhe zëri për përballimin e emergjencave natyrore deri në 1 miliardë lekë.

Borxhi

Ne specifikimet lidhur me kufirin e borxhit, ndarjes e huamarrjes së brendshme dhe të huaj duket se ka vetëm një ndryshim. Qeveria ka vendosur që të rrisë me 700 milionë lekë huamarrjen neto për financimin e projekteve të huaja ku nga 10.03 miliardë në 10.73 miliardë lekë.

Si të shfaqeni simpatikë e t’ia fitoni zemrën kujtdo?

Posted: 16 Aug 2017 09:00 AM PDT

Shumë njerëz kanë besimin e gabuar se të qenët i pëlqyeshëm nga të tjerët është një karakteristikë e brendshme dhe natyrale. Në fakt, me pak punë mund të merrni kontrollin ndaj vetes dhe të bëheni të pëlqyeshëm për këdo, falë inteligjencës emocionale. Ja se çfarë bëjnë njerëzit shumë të pëlqyeshëm dhe simpatikë për të tjerët, veprime të cilat i bëjnë ata të parezistueshëm.

Bëni pyetje

Gabimi më i madh i njerëzve është se kur dikush flet, ata përqendrohen më tepër në atë që do të thonë më pas ose në mënyrën si po e thotë tjetri në vend që të dëgjojnë se çfarë po flitet. Një mënyrë e thjeshtë për të shmangur këtë, është duke bërë shumë pyetje. Do të habiteni se sa shumë respekt dhe vlerësim do të fitoni vetëm duke bërë pyetje.

Largoni celularin

Asgjë nuk mund ta zhvlerësojë më shpejt dikë në sytë e të tjerëve sesa përdorimi i celularit në mes të një bisede. Për të qenë të pëlqyeshëm, duhet të përqendroheni 100 për qind te biseda që po bëhet.

Sinqeriteti

Nëse doni të jeni simpatikë në sytë e të tjerëve, ky është një rrezik që duhet të ndërmerrni. Tregohuni të sinqertë, sepse askush nuk i pëlqen njerëzit fals. Është e vështirë të pëlqesh dikë që nuk e di se cili është në të vërtetë dhe çfarë mendon apo ndien.

Mos gjykoni

Nëse doni të jeni të pëlqyeshëm, duhet të jeni mendjehapur. Sa më mendjehapur të jeni, aq më të afrueshëm dhe interesantë do të jeni për të tjerët. Askush nuk do të bëjë bisedë me dikë që ka krijuar tanimë një opinion dhe kështu nuk do t'ju dëgjojë. Nëse pranoni çdo gjë, kjo ju lidh më tepër me njerëzit dhe ju ndihmon për ide të reja.

Mos kërkoni vëmendje

Njerëzit e kuptojnë kur dikush është i dëshpëruar për vëmendje. Ju nuk keni përse krijoni një personalitet të madh prej ekstroverti për të qenë të pëlqyeshëm. Mjafton të jeni miqësorë dhe çdo gjë do të shkojë shumë mirë.

Jini i qëndrueshëm

Disa nga gjërat ju bëjnë të mos jeni të pëlqyeshëm dhe kjo ndodh kur ndodheni në situatë të papritur. Kur dikush ju afrohet, ai ka nevojë të dijë se me cilin person po merret dhe për këtë arsye, ju duhet të tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Për këtë duhet të siguroheni se çfarëdo të ndodhë, pavarësisht lëkundjeve të humorit, të vazhdoni t'i trajtoni të tjerët njëlloj.

Gjuha pozitive e trupit

Çdo veprim që bëni flet për ju. Gjestet, shprehjet e fytyrës, toni i zërit, të gjitha këto formojnë pëlqyeshmërinë që tërheq të tjerët drejt jush. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët për të bërë për vete dikë. Duhet të keni ton zëri entuziast, të ruani kontaktin pamor dhe t'u drejtoheni të tjerëve kur flisni me ta. Gjuha pozitive e trupit bën diferencën në një bisedë.

Lini përshtypje të mirë

Kërkimet tregojnë se shumë persona vendosin nëse ju pëlqejnë ose jo brenda shtatë sekondave që nga momenti i parë i takimit me ju. Më pas, ata e kalojnë pjesën tjetër të bisedës duke kuptuar më mirë përshtypjen e parë që i keni lënë. Mund të tingëllojë tmerruese, por nëse e përdorni siç duhet, do ta keni në favorin tuaj.

Përdorni emra

Emri është një pjesë e rëndësishme e identitetit të kujtdo dhe si i tillë ndikon te njerëzit. Njerëzit e pëlqyeshëm nga të tjerët përdorin emrat e atyre që i referohen. Nuk duhet ta përdorni emrin e dikujt vetëm kur e përshëndesni. Është më e pëlqyeshme për të tjerët kur i përdorni emrin gjatë bisedës.

Buzëqeshni

Njerëzit për nga natyra pasqyrojnë gjuhën e trupit të personave të tjerë kur bisedojnë. Nëse doni që të tjerët t'ju pëlqejnë, buzëqeshini gjatë një bisede dhe ata pa vetëdije do t'jua kthejnë buzëqeshjen.

Mësoni si të flisni hapur

Jini të kujdesshëm që të mos ndani probleme personale dhe rrëfime me të tjerët, kur është ende shumë herët, sepse kjo do t'ju bëjë të dukeni si një person i papërmbajtur. Njerëzit e pëlqyeshëm presin për kohën e duhur për t'iu rrëfyer dikujt.

Ata dinë të prekin

Kur prekni dikë gjatë një bisede, çlironi oksitocinë në trurin e tyre, një neurotransmetues që iu bën t'ju lidhë juve me besimin dhe me një ndjesi pozitive. Një prekje e thjeshtë në shpatull, një përqafim apo një takim miqësor duarsh, kaq mjafton për të çliruar oksitocinë në trurin e dikujt.

Balanconi pasionin me argëtimin

Njerëzit anojnë nga ata që janë pasionantë për diçka. Megjithatë përpiquni të mos mbeteni vetëm te pasioni, por të jeni edhe më të pëlqyeshëm. Në punë janë seriozë, por miqësorë, janë të shoqërueshëm dhe dinë si të sillen në çdo mjedis.

Personat kreativë kanë të gjithë një gjë të përbashkët: Bëjnë gabime dhe i perceptojnë si meritë

Posted: 16 Aug 2017 08:44 AM PDT

Nëse gjatë jetës tuaj ju kanë përsëritur se ekziston një mënyrë e duhur për të bërë gjërat, një rrugë për t'u ndjekur, pasi "suksesi nuk vjen asnjëherë rastësisht", por që nuk ua keni vënë veshin këshillave të të tjerëve, atëherë sipas "Elite Daily", rezulton se ju jeni persona kreativë.

Kjo do të thotë sigurisht se u është dashur të ndryshoni shpesh itinerar, t'u bëni ballë devijimeve përpara se të keni gjetur rrugën, por sigurisht se pengesat që keni ndeshur, nuk kanë mjaftuar që t'ju ndalin dhe në çdo ndalesë është shfaqur një rast për të stimuluar fantazinë dhe për të gjetur një zgjidhje.

Në fakt, në revistë thuhet se, personat kreativë gabojnë shumë, por merita e tyre është se edhe gabimet për ta, perceptohen si meritë. Ja përse:

  1. Nuk zgjedhin rrugën tradicionale

Tipat kreativë janë gjithmonë të prirur të bëjnë gabime, sepse ata nuk e ndjekin kurrë rrugën e përshkruar nga të tjerët. Janë "shpirtra të lirë", të shkëputur nga "masa": ndërkohë që bashkëmoshatarët e tyre studiojnë ligjin, ose përgatiten për të gjetur një punë në një zyrë, personat kreativë, kultivojnë ëndrrat e tyre.

Ndonjëherë, "vizionet" e tyre kanë nevojë për rishikim ose rregullime, por e vetmja mënyrë për t'i realizuar është ndërmarrja e rrezikut për të gabuar. Por edhe kur kjo gjë ndodh, një kreativ i vërtetë, di si ta gjejë një mënyrë për të kaluar vështirësitë.

  1. Nuk i duan rregullat

Jo vetëm që nuk i duan rregullat, por e urrejnë gjithçka që është e limituar. Njerëzit kreativë apo me shpirt krijimtarie, gjithmonë përpiqen të gjejnë mënyra për të vepruar në mënyrë unikale, të shkëputur nga zakonet ose nga modelet e paracaktuara.

Edhe në këtë rast, gabimet janë pas shpine, por kënaqësia për të arritur diçka deri në fund, realizohet falë origjinalitetit të tyre, një ndjesi kjo që nuk ka çmim.

  1. Kreativiteti është një proces

Kreativiteti përfshin eksperimentimin. Për tipat kreativë është gjithmonë e nevojshme të kontrollohet rruga për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon.

Nuk mund të arrihet drejt e në destinacion, pa parë mirë atë që ndodh përgjatë rrugës. Pengesat nuk tregojnë pamundësinë për të bërë diçka: sinjalizojnë vetëm pikat e përmirësimit të mundshëm.

  1. Kreativët janë njerëz të çuditshëm

Është shumë e lehtë të mos gabohet kurrë, duke ndjekur manualët. Por duke ndenjur "lidhur pas gjurmëve", njerëzit nuk mund të jenë kurrë kreativë. Kreativiteti është i çuditshëm për nga natyra, është i bardhë apo i zi, nuk pranon ndërmjetësimin dhe sigurinë. Karakteristikat thelbësore të një tipi kreativ janë këmbëngulja dhe durimi. Ata nuk "rrëzohen" as kur nuk i rrethon asgjë e mirë.

  1. Kreativët janë guximtarë

Ata marrin gjithmonë përgjegjësinë për të vrapuar drejt risqeve: për t'i bërë që të heqin dorë nga një projekt për të cilin janë krenarë, duhen vënë me shpatulla pas murit. Pjesa e madhe e kënaqësisë e lidhur me suksesin, vjen nga fakti se mundësia për të dështuar është gjithmonë pas shpine. Madje, është pikërisht kjo gjë motori i të gjitha veprimeve; jeta, përndryshe, do të ishte shumë e mërzitshme!

Tatuazhi i parë, ku ta bëni, çfarë të bëni dhe këshilla të tjera

Posted: 16 Aug 2017 08:30 AM PDT

Nëse keni vendosur të bëni një tatuazh, mos u ndjeni në faj apo të pasigurt. Kjo është këshilla e parë dhe kryesore për të vijuar më pas me të tjerat, të cilat kanë të bëjnë me zonën se ku do ta bëni tatuazhin. Për shembull, ju mund t'ia nisni duke bërë një tatuazh të vogël në një vend të trupit në të cilin heqja e tij është e lehtë. Këshillat e tjera i gjeni të renditura më poshtë:

Çfarë të bëni tatuazh?

Një tatuazh është diçka shumë personale dhe pavarësisht se ekzistojnë metoda të ndryshme për ta hequr, ju duhet të jeni plotësisht të sigurt për atë që do të bëni dhe për personin që do t'ia dedikoni për të gjithë jetën. Nëse e keni tatuazhin e parë, nuk ka asgjë të keqe sikur të bënit mbi lëkurë diçka shumë të vogël, ndoshta jo shumë të perceptueshëm, si shumë tatuazhe minimalë që tashmë prej disa kohësh i shohim shpesh tek yjet e Hollivudit.

Gjithsesi, jepini vetes të gjithë kohën e duhur për t'u menduar mirë para se të bëni një tatuazh. Kështu që përpara se të ndiqni thjesht instinktin tuaj, konsultohuni me miqtë, familjarët ose me tatuazhistin.

Ku?

Zona e trupit mbi të cilën vendoset të bëhet tatuazhi i parë është thelbësore. Shpesh, shqetësimi i atyre personave që bëjnë tatuazh lidhet me faktin se zona në të cilin do të vendoset duhet të jetë jo shumë e dukshme, për t'ua fshehur prindërve, punëdhënësve etj.

Pra ata shqetësohen më pak për gradat e ndryshme të ndjeshmërisë të pjesëve të trupit. Ndaj nëse do të bëni tatuazhin e parë dhe nëse keni frikë nga dhimbjet apo e keni lëkurën shumë të ndjeshme, shmangni pjesën e prapme të gjunjëve, brinjët, bërrylat dhe ijet.

Planifikojeni me kujdes

Është e këshillueshme që tatuazhin të mos ta programoni gjatë një udhëtimi, ju duhet ta programoni ta bëni gjatë stinës së pranverës apo vjeshtës; vera në fakt, duhet të shmanget absolutisht për bërjen e tatuazheve, pasi ekspozimi në diell mund t'ju shkaktonte infeksione në lëkurë.

Regjistrohuni te një tatuazhist profesionist

Falë rrjeteve sociale dhe internetit, ju mund të informoheni për gjithçka në lidhje me tatuazhet, madje edhe për profesionistin ku mund të shkoni për këtë rast. Zgjerojini kërkimet dhe fokusohuni në objektivin tuaj: gjeni tatuazhistin që sipas mendimit tuaj është më i miri për atë se çka do të realizoni mbi lëkurën tuaj dhe atë që ju ngjall më shumë besim. Nëse për shembull, ju interesojnë tatuazhet e "shkollës së vjetër", kërkimet tuaja orientojini në atë drejtim specifik.

Asnjëherë mos u mbështesni te kursimi se sa te sasia

Duket si një këshillë e qartë, por është ndoshta më e rëndësishme: mos u joshni asnjëherë nga ofertat speciale ose "promocionale" të stilit me çmime të ulëta. Puna e tatuazhistit duhet të mbështetet te cilësia: bëhet fjalë për lëkurën tuaj!

“Mbretëresha Elizabeth”, luftanija më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë nga Britania (VIDEO+FOTO)

Posted: 16 Aug 2017 08:10 AM PDT

Mijëra njerëz u rreshtuan në bregdet për të parë mbërritjen e luftanijes më të madhe dhe më të fuqishme të ndërtuar ndonjëherë nga Britania e Madhe, teksa hynte në port mëngjesin e kësaj të mërkure, për herë të parë.

"HMS Queen Elizabeth", një aeroplanmbajtëse me kosto prej 3 miliardë paund, pasi la pas flotiljen shoqëruese të saj, u ankorua në Portin e Portsmouthit, ndërsa ishte nisur nga Fife për sprovat detare dy muaj më parë.

Familjarë të ekuipazhit, të cilët nuk i kanë parë të afërmit e tyre për më shumë se 7 javë, ishin tejet të gëzuar teksa u dhanë mirëseardhjen atyre mëngjesin e sotëm.

Ekuipazhi përbëhet nga plot 700 vetë, ndërsa janë edhe 200 kontraktorë të tjerë, kishin dalë në kuvertën e aeroplanmbajtëses për të përshëndetur të pranishmit.

Ata që ndodheshin në bord dhe ata që prisnin me kërshëri nga bregu panë edhe spektaklin e dhënë nga helikopterët e Marinës Mbretërore, të cilët u pasuan nga avionët luftarakë "Haëk".

Refuzohet apeli i Realit për Ronaldon, konfirmohet dënimi me 5 ndeshje

Posted: 16 Aug 2017 07:53 AM PDT

Cristiano Ronaldo nuk do të luajë në 5 ndeshjet e ardhshme që skuadra e tij Real Madrid do të zhvillojë.

Ylli portugez do të mungojë edhe në ndeshjen e kthimit në "Santiago Bernabru" që do të luajnë ndaj Barcelonës në kuadër të finales së SuperKupës së Spanjës.

Sulmuesi 32-vjeçar u dënua nga Federata Spanjolle e Futbollit me 5 ndeshje pas kartonit të kuq të marrë në sfidën në "Camp Nou" dhe shtyrjen e gjyqtarit.

Klubi madrilen pati apeluar vendimin, por Komiteti i Apelit i Federatës Spanjolle ka vendosur që të mos e zbusë dhe as ta rrëzojë  dënimin me pesë ndeshje për CR7.

Vlorë, mbytet një tjetër i mitur

Posted: 16 Aug 2017 07:48 AM PDT

Një tjetër fëmijë është mbytur teksa po lahej në bregdetin e Vlorës.

Mësohet se i mituri ka qenë i shoqëruar nga e ëma, por për një moment ai i ka humbur shikimit të saj duke hyrë në thellësi.

Pavarësisht ndihmës nga pushuesit e tjerë, ndërhyrja ka qenë tepër vonë.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Zhurma si rrugë e shkurtër e gomerëve. Madhështia dhe mjerimi i gazetarisë

Posted: 16 Aug 2017 07:19 AM PDT

Indro Montanelli

Di që shumë prej jush janë të interesuar ndaj gazetarisë dhe mjeteve të komunikimit. Unë këtë pasion fillova ta kultivoja që nga Gjimnazi, nuk kam dashur të bëj asgjë tjetër veç të jem Gazetar, me dëshpërimin e madh të babait tim. Ai, si Drejtor i mirë i një Liceu, e konsideronte me shumë përçmim si një profesion rastësor.

Por gazetaria ka qenë prirja e madhe e jetës time. Ju pranoj që edhe pse e kam dashur dhe vazhdoj ta dua këtë profesion, nuk mund tja këshilloj asnjë të riu  ta ndërmarrë këtë profesion sot, sepse besoj që gazetaria tashmë është në fund.

Duhet të shndërrohet tërësisht, në një kuptim që unë nuk di ta parashikoj. Jam i kapur mbas kujtimeve dhe vij nga një shkollë e caktuar, dhe në këtë moshë e kam shumë të vështirë të mendoj diçka ndryshe. Shpresoj për ju që të ketë vend për një transformim tërësor, që të marr në konsideratë ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në kohë- ndër të cilat shumë për faj dhe shtrembërime të gazetarëve-, nga hyrja e teknologjive të reja, ku e tëra është një përmbysje traditash.

Gazetaria klasike, nga e cila nuk shqitem dot, është e pamundur të   përshtatet.

Kur fillova, 60 vjet të shkuar, kishim si prekje teknologjike, makinën për të shkruar "Olivetti Lettera 22", mbi të cilën vazhdoj të shkruaj. Nuk e prodhojnë më, ndaj arrita të blej 5 copë pranë shitësve të objekteve të vjetra, që i kam zhvendosur në pika të ndryshme. Përtej kësaj nuk mund të shkoj. Unë fax-in nuk di ta përdor, një person i afërt, e bën për mua, përndryshe nuk do dija as të vendosja një fletë.   Ne gazetarët duhet të bëjmë llogaritë me një armik të pashpirt. Dhe në vënd që ta luftojmë atë, jemi vënë në shërbim të tij: ky është televizioni. Kam të njëjtat ide si Popper, televizioni është fatkeqësia më e madhe që mund të na ndodhte, sepse është përdorur pikërisht për të qenë e tillë. Gazetat janë shndërruar në megafonë të televizioneve, ndaj hasim 8 ose 9 kolona mbi Pipo Baudon ose Alba Parietin. Televizioni mund të ishte një instrument i madh për kulturën, por nuk është.  Kjo është puna e tij. Çka është puna jonë, është që jemi bërë megafonë, duke i kopjuar edhe zakonet dhe duke i njohur epërsinë.

Italia, përveç se ka përzierë përherë seriozen me kotësinë, ka trajtuar përherë kotësinë si të vetmen gjë serioze. Dhe nuk bëjmë gjë tjetër vetëm përshtatemi duke e çuar në ekstrem këtë perversitet në zakonet tona. Por ka më keq. Televizioni mëson dhe i hap rrugën protagonizmit, që duke u bashkuar me gazetarinë, ka efekte katastrofike. Televizioni nxit interesin më të shëmtuar të gazetarëve të këqinj, kërkimin me çdo çmim të bujës. Nëse dikush nga ju do të dojë të bëj këtë profesion, shpëtojini joshjes nga buja, scoop'i!

Kujtoni që ajo është rruga e shkurtër e gomerëve. Lejon të arrish përpara, por keq. Publiku është një kafshë e çuditshme, ngjan si një që kupton pak por ka kujtesë, dhe nëse ju luani me besimin e tij, jeni i humbur. Këtë besim duhet ta fitoni seriozisht dhe me lodhje, ditë pas dite. Kjo nuk na shpëton nga gabimi, por na imponon detyrimin të denoncojmë veten tonë, kur kuptojmë gabimin, dhe ti kërkojmë falje lexuesit.

Në rast se doni të bëni këtë profesion, kujtohuni mirë. Është një profesion që kërkon shumë  modesti, shumë, dhe protagonizmi është pengesë me këtë ligj themelor.

Sot unë shikoj drejtorët e rinj. Janë shumë të mirë, kuptohet, kanë rreth 40 dhe 50 vjeç, mund të ishin fëmijët e mi. Por nuk janë në drejtim, i kam në sy, janë në zyra marketingu, sepse gjëja thelbësore e një gazete është e ashtuquajtura audiencë. Dhe audienca sjell reklamë, sepse një gazetë nuk duhet vetëm të jetojë, por duhet edhe të prodhojë lekë, sidomos po të dojë të jetë e pavarur.

Një gazetë që duhet ti kërkojë dikujt lekë detyrimisht është shërbëtori i tij. Unë e humba gazetën La Voce sepse nuk arrita ta çoj në bilanc aktiv.

Është audienca në format e saj më të ndyra që na detyron të banalizojmë edhe gazetën, që për të arritur të printohet duhet ta përshkruajë këtë rrugë. Por kjo rrugë ama nuk na çon gjëkundi. Ne kemi një gazetari gjithnjë e më të keqe sepse është përherë në kërkim të audiencës, gjithnjë e më shumë në kërkim të reklamës, duke kënaqur kështu përherë shijet më të këqija të publikut, në vend që ti korrigjojë. Të kuptohemi, publiku është gjithmonë pronari ynë, nuk mund të përplasemi kokë më kokë, por duhet edukuar. Pa ja a u treguar ama, sepse ska asgjë më të keqe se sjelljet prej të mënçuri. Nuk di në gazetaria është e aftë të përmbushë një evoluim në këtë kuptim, por unë nuk shikoj shenja. Në rast se do të kisha 40 vjet më pak, do mundohesha sërish të bëja një gazetë. Tani dikush mund të mrekullohet, por do të ndiqja rrugën e hapur nga armiku im i hershëm Ferrara me Il Foglio. Ajo gazetë është ajo që do të doja të bëja unë me La Voce, që nuk pata fuqinë dhe mundësinë ta bëja. Një gazetë që përputhte menjëherë mjetet e saj me kostot, me pak faqe, që mund t'ia dilte pa shumë reklamë, me gazetarë-(ah)-të paguar pak.

Po ne jemi përherë të paguar pak, sepse ky zanat nuk bëhet për lekë. Përkundrazi, në rast se takoni një gazetar të pasur, mos e besoni. Gazetaria nuk të çon në pasurim, mund të të çoj  në mirëqenie, për hir të së vërtetës. Unë nuk ankohem, kam aq sa më mjafton, biles edhe më shumë për të jetuar mirë. Por një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera. Një gazetar që skllavëron zanatin – duke i kërkuar ndjesë Prokurorit – unë do e pushkatoja.

Siç e shikoni nuk po ju sjell lajme të mira, ama, në këtë pikë duhet t'ju them dhe diçka tjetër. Ndoshta kam bërë një zanat të gabuar, por nuk pendohem. Besoj se gazetaria në Itali, ka luajtur një mision, ajo hoqi kulturën italiane nga kalatë e saj, nga bandat mafioze. Kërkoj falje t'ua kthej kështu mikpritjen tuaj, por duhet t'iu them se gazetaria këtë detyrë e ka kryer prej dekadash, duke çuar kulturën në mes të publikut. Kultura italiane kishte një nevojë të madhe, sepse nuk di ti flasë publikut. Ka gjuhën e saj, të papërkthyer në gjuhën e zakonshme. Ndoshta ju e dini që unë nuk kam shumë për tu mburrur me vitin 1968' dhe me atë që bëra aty, sepse mbaj ende në trup shenjat dhe gjurmët, por arsyet e largëta të atyre djemve që më hodhën sipër një tufë me plumba, ndoshta unë po të kisha moshën e tyre do i ndaja me ta. Me siguri do të isha larguar sepse mënyra si donin ti bënin gjërat ishte e gabuar, por diçka ishte ama. Në rebelim në një farë mënyre fisnike të të kuptuarit kulturën, diçka të drejtë, ka.

Kush nga ju do të dojë të bëjë këtë zanat të kujtohet të zgjedhë pronarin e tij, lexuesin. Të vihet në shërbim të tij dhe të flas gjuhën e tij, jo atë të akademisë. Të çoj kulturën e akademisë drejt kuptimit. Kini parasysh që kjo ka qenë një nga tradhtitë më të rënda në Itali, dhe janë kryer goxha të tilla. Doni prova? Merrni një shkrim të çfarëdoshëm të Italisë së 700'ës dhe krahasoheni me faqet e enciklopedisë franceze. Faqet e Volterit, të D'Alembertit, janë të qarta dhe të kthjellta, kuptohet gjithçka. Në të tjerat nuk kuptohet asgjë: gjuhë e veshur, jo reale, gjuhë princërish. Gjuha e kulturës në shërbim të zotit, që pastaj u shndërrua në parti. Domethënë u keqësua më tepër, sepse ishte më mirë ti shërbeje një Duke ose Kardinali se sa një partie. Ishte më pak e padenjë, edhe pse ishte e padenjë edhe ajo. Kujtohuni që kultura në Itali nuk u përhap kurrë, ajo pak që ishte u bë prej gazetarisë. Nëse ju doni të bëni këtë punë, ky është angazhimi që ju keni për të përmbushur. Për ta bërë, nuk ka vuajtje që mund tju kthej mendjen, dhe kjo punë është shumë e bukur. Nuk të çon askund por është e bukur. Gazetaria bëhet për gazetari, dhe për asgjë tjetër.

(Ky është teksti i leksionit të fundit të gazetarisë i mbajtur nga Indro Montanelli, në Universitetin e Torinos, në 12 Maj, 1997)

Shqipëroi: Brizida Gjikondi

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more