Skip to main content

“Lind 10 vjeçarja indiane, viktimë e dhunimit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Lind 10 vjeçarja indiane, viktimë e dhunimit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Lind 10 vjeçarja indiane, viktimë e dhunimit

Posted: 17 Aug 2017 09:58 AM PDT

Një vajzë 10 vjeçare ka lindur sot në Indi, si shkak i dhunimit, pasi i është refuzuar kërkesa për abort nga Gjykata Supreme në këtë vend. Zyrtarët kanë bërë të ditur se nëna dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore. Mirëpo vajza nuk ka njohuri se ka lindur. Asaj i është thënë se do të operohet për shkak të disa problemeve në stomak. Shtatzënia e saj ishte zbuluar, pasi është dërguar në spital, për shkak të dhimbjeve të mëdha, disa muaj më parë. Raportohet se vajza është dhunuar nga xhaxhai i saj, i cili tashmë është arrestuar. Prindërit e vajzës kanë refuzuar ta marrin foshnjën e sapolindur dhe janë pajtuar që ajo të adoptohet. Gjykata Supreme nuk i ka lejuar abortin, për shkak se gjendja e vajzës është zbuluar vonë, dhe një gjë e tillë do të ishte "shumë e rrezikshme". Çështja e vajzës 10 vjeçare është dominuar në mediat indiane gjatë javëve të fundit, pasi autoritetet kanë bërë të ditur se ky është rasti i parë i një lindje në moshë kaq të re.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Policia patrullon nëpër rrugët e Barcelonës

Posted: 17 Aug 2017 09:50 AM PDT

Pasi një furgon ka goditur këmbësorët në Las Ramblas, në Barcelonë, policia spanjolle ka nisur që të patrullojë rrugët e këtij qyteti. Organet e rendit kanë thënë se po e trajtojnë këtë incident si sulm terrorist. Video: Reuters

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ende ka shumë për të diskutuar rreth Brexitit

Posted: 17 Aug 2017 09:44 AM PDT

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë të enjten se ende ka shumë punë përpara Brexitit, mirëpo është shprehur e bindur se Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian, do të jenë të gatshme për të negociuar për një marrëdhënie të thellë dhe speciale. Më herët gjatë ditës, Departamenti për Brexit i Britanisë së Madhe, ka thënë se është "i sigurtë" se BE-ja do të lëvizë tutje për diskutimin e lidhjeve mes dy palëve pas Brexitit, gjatë muajit tetor. Këto deklarata kanë ardhur pas disa raportimeve të mediave se faza e dytë e dialogut do të shtyhej deri në dhjetor. "Është shumë mirë që tani kemi një qasje konstruktive dhe pozitive gjatë negociatave, dhe të njëjëtat janë duke vazhduar, ne vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evropian. Ende ka shumë punë përpara," i ka thënë May një televizioni lokal. "Ne do të zhvillojmë një partneritet të thellë dhe shumë special me Bashkimin Evropian, për një të ardhme, e cila është e mirë si për Britaninë, ashtu edhe për BE-në", ka thënë ndër të tjera ajo.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Furgoni godet këmbësorët në Barcelonë

Posted: 17 Aug 2017 09:37 AM PDT

Një furgon ka goditur këmbësorët në Las Ramblas të Barcelonës. Policia e ka përshkruar incidentin si "përplasje masive". Video: Reuters

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shkarkohet Prokurori Publik i Maqedonisë Marko Zvërlevski

Posted: 17 Aug 2017 08:54 AM PDT

Deputetët e parlamentit të Maqedonisë me 64 vota pro kanë shkarkuar nga posti, Prokurorin Publik, Marko Zvërlevski. Shkarkimi i Zvërlevskit ka ardhur pasi deputetët e VMRO DPMNE-së, e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, dje hoqën dorë nga debati maratonik, i cili ka zgjatur më shumë se një muaj. Deputetët e kanë cilësuar aktin e shkarkimit si antiligjor, pasi sipas tyre ky vendim vjen në periudhën kur në Maqedoni është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në tetor. Ndryshe, shumica parlamentare, shkarkimin e Zvërlevskit e ka arsyetuar me faktin, se sipas tyre Zvërlevski, është vënë në shërbim të interesave të VMRO DPMNE-së dhe jo sundimit të drejtësisë. Marko Zvërlevski është një nga personalitetet më të përfolura gjatë ushtrimit të detyrës si Prokuror Publik,veçanërisht gjatë krizës së rëndë politike. Ai ishte një nga protagonistët kryesor të aferës së përgjimeve, pasi në bisedat e publikuara nga opozita, në shumë raste është dëgjuar duke biseduar me zyrtarë të lartë të VMRO DPMNE në kurdisjen e proceseve gjyqësore apo në emërimin e njerëzve partiakë në pozita drejtuese në gjyqësor. Njohësit e çështjeve politike thonë se me shkarkimin e Zvërlevskit nga posti i Prokurorit Publik i hapet rrugë realizimit të reformave në sistemin gjyqësor në Maqedoni.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sulm në Barcelonë, policia e trajton si terrorist

Posted: 17 Aug 2017 08:50 AM PDT

Një furgon është përplasur në mesin e këmbësorëve në Las Ramblas në qendër të Barcelonës. Policia ka konfirmuar se ka persona të vdekur, derisa sulmin është duke e trajtuar si terrorist. "Një furgon është përplasur në Las Ramblas në Barcelonë", ka thënë policia përmes një deklarate. Mediumi shtetëror spanjoll ka thënë se një person ka vdekur dhe 20 të tjerë janë lënduar. Shërbimet e emergjencës kanë bërë thirrje që njerëzit të qëndrojnë larg zonës, "Placa Catalunya", dhe kanë kërkuar mbylljen e stacioneve të trenave dhe të metrosë, në pjesën ku ka ndodhur incidenti. Gazeta El Pais, ka thënë se drejtuesi i furgonit është larguar në këmbë, pasi ka lënduar një numër të njerëzve. Policia është duke e kërkuar autorin e këtij sulmi. Ndërkohë gazeta spanjolle El Periodico ka raportuar se dy persona të armatosur janë fshehur brenda një lokali në qendër të Barcelonës, si dhe janë raportuar të shtëna. Ende nuk është bërë e ditur nëse incidentet janë të lidhura. Detajet e plota të incidentit ende nuk janë bërë të ditura, mirëpo që nga korriku i vitit 2016, furgonat dhe mjete të tilla përdoren për sulme në qendra të ndryshme të Evropës, duke përfshirë, Nicën, Berlinin, Londrën dhe Stokholmin. Deri më tash nga këto sulme me furgona kanë vdekur më shumë se 100 persona.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Malala Yousafzai vazhdon studimet në Universitetin e Oksfordit

Posted: 17 Aug 2017 07:46 AM PDT

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, do të jetë në mesin e studentëve të rinj, që do të studiojnë në Universitetin e Oksfordit. Njoftimi është bërë sot gjatë ditës, pasi ja bërë publike rezultatet e nxënësve të Britanisë së Madhe që kanë përfunduar shkollimin e mesëm. Yousafzai, e cila aktualisht jeton në Birmingem, i ka uruar të gjithë studentët për arritje të suksesit. "Shumë e lumtur që do të jem pjesë e Oksfordit!!!, Ju lumtë të gjithë studentëve tjerë që kanë arritur nivelin A, ka qenë viti më i vështirë. Çdo të mirë në jetë!, ka shkruar ajo në Twitter. Malala, 20 vjeçare, do të kryejë studimet për filozofi, politikë dhe ekonomi. Të njëjtin drejtim në Universitetin e Oksfordit e ka ndjekur më parë edhe ish-kryeministrja pakistaneze, Benazir Bhutto. Universiteti i Oksfordit në Britani të Madhe, gjendet në mesin e universiteteve më të mira në botë. Yousafzai, një aktiviste pakistaneze, është njohur nga bota, pas sulmit të një talibani, i cili e qëlloi me armë zjarri në kokë, gjatë vitit 2012. Në vitin 2014, Malala ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gazetarët në shënjestër

Posted: 17 Aug 2017 07:42 AM PDT

Jo rrallë herë në Kosovë gazetarët kërcënohen dhe pengohen në kryerjen e punës së tyre. Një rast i fundit i një sulmi ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje ndaj gazetarit Parim Olluri, i cili drejton gazetën online Insajderi. Olluri tha për Radion Evropa e Lirë, se persona të panjohur e sulmuan atë derisa ishte duke shkuar në banesën e tij bashkë me të fejuarën. Ai mendon se motivet e sulmit kanë të bëjnë pikërisht me punën që ai bën. "Sulmuesit nuk më thanë asnjë fjalë, e nuk i njihja as kush janë dhe nuk u përmend asgjë. Ajo po më bën të dyshoj dhe besoj se ata kanë qenë të orkestruar dhe nxitur nga dikush", tha Olluri. Olluri i cili merret kryesisht me tema hulumtuese, tha se shpesh përballet me kërcënime, sidomos përmes rrjeteve sociale nga ata persona të cilët përmendën në raportet që kanë të bëjnë me korrupsioni.  "Unë tash, edhe nga Facebook-u kam kërcënime të shumta, fyerje të shumta prej njerëzve që e shfryjnë mllefin kur nuk ju pëlqen shkrimi i autorit. Kam pasur kërcënime edhe më herët, të cilat i kam lajmëruar në Polici, lidhur me disa tenderë të Komunës së Skenderajt. Në rastin e parë, Policia ka vepruar mirë, Policia dhe gjyqësori nuk kanë dhënë ndonjë informatë shtesë se çka është bërë me rastin. Unë shoh probleme, Insajder do vazhdojë të raportojë për aferat korruptive, për milionat që janë bërë në mënyrë të zezë nga njerëzit e politikës dhe bizneseve", tha Olluri. Sulmin ndaj gazetarit të Insajderit, e kanë dënuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës, organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se " sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është i patolerueshëm në shtetin të cilin e kemi ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shprehjes së lirë". I shqetësuar me lajmin sulmin dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit të Insajderit, Parim Olluri është shprehur edhe kryeministri në largim, Isa Mustafa. "Në një shoqëri, në të cilën duhet të kultivohet e drejta e fjalës publike, aktet e tilla janë të ulëta, të papranueshme dhe të dënueshme", ka shkruar Mustafa në Facebook. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka bërë thirrje organeve të rendit për ndriçimin sa më të shpejtë të rastit, duke nënvizuar se "sulmet e tilla, në themel dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe të medies". Autoritet e rendit dhe ato të drejtësisë thanë se rasti po trajtohet me prioritet. Besim Kelmendi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha rastet që kanë të bëjnë me sulme ndaj gazetarëve, trajtohen me prioritet. "Të gjitha rastet janë duke u trajtuar me prioritet dhe ky rasti i fundit që ka ndodhur dje me zotin Parim Olluri është duke u trajtuar me prioritet. Ne e kemi ftuar zotin Olluri që të jetë vazhdimisht në kontakt me ne për ta mbështetur. Pra, çdo rast që po ndodh trajtohet me prioritet", tha Kelmendi. Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare, Freedom House e radhitë Kosovën në mesin e vendeve me liri të pjesshme. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar dhjetëra raste të sulmeve e kërcënimeve ndaj punonjësve të medies gjatë këtij viti.  Shkëlqim Hysenaj Kryetar i AGK-se tha se liria e shprehjes në Kosovës vazhdon të jetë e cunguar. "Gjendja e lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes në Kosovë është ende fragjile dhe Kosova ka dështuar që të krijojë një ambient të sigurt për të gjithë gazetarët, mirëpo edhe për njerëz të fushave të tjera, që të thonë në mënyrë të pavarur dhe të lirë atë të cilën e mendojnë. Pra, Kosova ende ka probleme dhe i është nënshtruar njëfarë lloj presioni i cili është i shtrirë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ne si shtet nuk po mund të kalojmë këtë fazë të zhvillimit demokratik", tha Hysenaj. Remzie Shahini-Hoxhaj profesoreshë në Universitetin e Prishtinës që ligjëron në Departamentin e Gazetarisë, tha për Radion Evropa e Lirë se liria e shprehjes në Kosovë dhe niveli i gazetarisë, në krahasim me vendet e rajonit është më i avancuar. Ajo thotë po ashtu se 17 vjet pas luftës, niveli i lirisë së shprehjes është në një stad më të favorshëm se sa që ka qenë. "Është një nivel i gazetarisë që është më i avancuar se sa në vendet në rajon. Mirëpo, në kohën e fundi në Kosovë kemi hasur në rastet ku gazetarët janë sulmuar prej grupeve të caktuara, grupeve politike apo biznesore apo çfarëdo qofshin, sepse Kosova është duke kaluar ndryshime të mëdha shoqërore e politike dhe kjo është arsyeja se ndodhin këto", tha Shahini-Hoxhaj. Tregu i varfër, në të cilin gjenden mediat sot në Kosovë, ka bërë që disa prej tyre të varen, në disa raste, nga grupe të caktuara politike apo ekonomike. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut më anë të një komunikate për media thotë se "qëndrimit kritik kundër dukurive negative përmes frikësimit të gazetarëve të medieve elektronike dhe të shkruara, përpjekja për kufizim të lirisë së fjalës përmes frikësimit dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve është rruga drejt anarkisë dhe suspendim të ligjeve në fuqi". Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vitin e kaluar ka raportuar rreth 20 raste të kërcënimeve, sulmeve dhe cenimit të lirisë së gazetarëve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Asnjë i vdekur këtë vit nga ethet hemorragjike

Posted: 17 Aug 2017 06:28 AM PDT

Gjatë këtij viti asnjë person nuk ka vdekur si pasojë e etheve hemorragjike, krime kongo. Ndryshe, kanë qenë mbi 1 mijë qytetarë në gjithë Kosovën, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga pickimi i rriqrave. Infektologu Sali Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë se sivjet me gjithë rastet e evidentuara si të dyshuara, nuk ka pasur sëmundje të etheve hemorragjike, krime kongo. "Ka pasur pickime nga zonat endemike, por pas hospitalizimeve të disa rasteve të dyshimta, asnjë rast nuk ka rezultuar me sëmundje të etheve hemorragjike, krime kongo", ka thënë Ahmeti. Ajo që i ka shqetësuar këtë vit infektologët, kanë qenë ethet e minjve, ku tashmë një person ka vdekur në Kosovë. "Kanë qenë pesë raste me ethe të minjve, prej të cilëve një rast ka vdekur dhe të tjerët janë shëruar", ka thënë Ahmeti. Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku hyn edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mjedisit, ka disa vite që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike. Nga ethet hemorragjike, vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona, ndërkohë që shifrat tregojnë se të pickuar nga rriqrat ishin 5,200 persona. Zonat e identifikuara endemike me rriqra janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina. Vetëm në Komunën e Malishevës, gjatë këtij viti, nga rriqrat janë pickuar mbi 800 qytetarë. Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Nuhi Morina bën të ditur se prej këtij numri, nëntë pacientë janë transferuar në spitalin e Prishtinës, në Klinikën Infektive. "Kanë qenë mbi 800 raste të pickuara, por asnjë rast nuk ka qenë i diagnostikuar me ethe hemorragjike. Krahasuar me vitet e kaluara, situata ka qenë shumë e mirë dhe ka ndikuar repelimi i kafshëve, ligjëratat nëpër shkolla se si të mbrohen nga rriqrat, e shumë fushata që janë bërë për parandalim të etheve hemorragjike", tha Morina. Sidoqoftë, edhe kafshimi i gjarpërinjve ka qenë problem gjatë këtij viti. Kafshimi nga gjarpri mund të kalojë në sëmundje, që njihet si mjaft serioze, kanë thënë profesionistë shëndetësorë. Infektologu Sali Ahmeti tha se gjatë këtij viti ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive kanë kërkuar disa qytetarë, kryesisht gjatë muajve maj dhe qershor, e më pas është stabilizuar situata dhe pacientët nuk kanë qenë në rrezik për jetë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB do “negociata serioze” për Sirinë

Posted: 17 Aug 2017 06:01 AM PDT

Kombet e Bashkuara shpresojnë se gjatë muajit tetor apo nëntor të zhvillohen "negociata serioze", në mes të qeverisë siriane dhe opozitës, e cila ende nuk është e bashkuar, ka thënë i dërguari special i OKB-së, për Sirinë, Staffan de Mistura. "Jemi duke pritur shumë nga Rusia, Irani dhe secili vend që ka ndikim të madh, si dhe presim që qeveria siriane të jetë e gatshme për diskutime, kur të ftohet në Gjenevë, me çfarëdo opozite që do të krijohet", u ka thënë ai gazetarëve. De Mistura ka thënë se një letër nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Shoigu, gjatë muajit gusht, e ka hapur rrugën për policinë ushtarake ruse dhe konvojin e Kryqit të Kuq, për të arritur në Duoma, afër Damaskut, për herë të parë nga muaji maj. "Policia ushtarake ruse nuk është duke na shoqëruar, nuk janë duke na mbrojtur, OKB-ja nuk do të pranonte kurrë që të mbrohej apo të shoqërohej nga një entitet ushtarak, ne nuk jemi Kryqi i kuq. Ata janë duke na ndihmuar që të bartim kuti dhe gjëra të tjera pa u ndalur askund. Nëse vazhdon, ky do të jetë kontribut i madh", ka thënë ndër të tjera Mistura.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bllokada institucionale 'bllokon' edhe buxhetin

Posted: 17 Aug 2017 06:00 AM PDT

Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë së Kosovës është pamundësuar rishikimi i buxhetit të Kosovës, thonë udhëheqës të institucioneve, sipas të cilëve kanë filluar problemet në kryerjen e obligimeve të parapara financiare. Ministri në largim i Financave, Agim Krasniqi, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ministria dhe agjencitë buxhetore kanë bërë përgatitjet për këtë proces, por pa krijimin e institucioneve, rishikimi nuk mund të përfundojë, çka nënkupton edhe mos mundësi të rialokimit të mjeteve për ministritë, komunat dhe të gjitha agjencive buxhetore. Ai ndërkaq thotë se problemet janë paraqitur nga mosndryshimi i disa ligjeve të parapara, në bazë të te cilave është planifikuar tërheqja e mjeteve financiare. Nga kjo situatë, Krasniqi thotë se është pamundësuar fillimi i disa projekteve të reja, duke mbuluar shpenzimet për projektet e filluara më herët. "Rasti konkret është mosardhja e mjeteve nga AKP-ja, për shkak se nuk ka mundur të ndryshohet ligji për AKP-në. Dhe në këtë rast ne kemi planifikuar që të ndajmë 67 milionë euro për autostradën Prishtinë – Shkup dhe 136 milionë euro mjete të rregullta nga buxheti. Mosardhja e këtyre mjeteve nga buxheti na ka detyruar që të bëjmë disa shkurtime që mos të fillojmë projekte të reja dhe përfundojmë obligimet që kanë ardhur", thotë Krasniqi. Rishikimin i buxhetit ofron mundësi për transfere ndërmjet nën-programeve dhe organizatave buxhetore. Organizatave buxhetore u lejohet të bëjnë rregullime të brendshme që janë të arsyeshme për të bërë ekzekutimin efikas të buxhetit për periudhën e mbetur të vitit buxhetor. Pasojat më të mëdha nga moskrijimi i institucioneve të Kosovës, i bartë ekonomia, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se për Republikën e Kosovës përveç dëmtimit të partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare, pasoja më e madhe është mosrishikimi i buxhetit për vitin 2017.  Në mungesë të rishikimit, Gërxhaliu shprehet se disa projekte që janë kontraktuar nga sektori publik, e që realizohen nga sektori privat, mund të ndërpriten për shkak se nuk mund të paguhen nga Qeveria e Kosovës. "Dhe derisa në këtë drejtim nuk do të ketë rishikim, atëherë do të ketë mangësi në pagesë, do të ketë shumë projekte që do të ndërpriten. Për këtë arsye duhet të ngrihem mbi interesat partiake dhe grupore dhe të mendojmë për shtet, që institucionet t'i kemi sa më shpejtë, sepse pasojat do të jenë shumë të mëdha", tha Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë. Gërxhaliu, shpreh shqetësimin se problemet e grumbulluara do të reflektohen edhe vitin tjetër, kurse, siç thotë ai, pasojat shumë vështirë do të rimëkëmben. "Sepse nëse njëherë krijohet një besueshmëri dhe ajo dëmtohet, do nevojitet kohë që të rikuperohet, dhe në këtë drejtim besoj se në një situatë të tillë prapë fitues do të jenë bankat komerciale. Sepse biznesi duhet të gjejë alternativë dhe nëse nuk kryhen obligimet buxhetore nga shteti, atëherë alternativat e vetme do të jenë bankat komerciale", thotë tutje Gërxhaliu. Përveç procesit të rishikimit të buxhetit për këtë vit, muaji shtator është periudha kur komunat duhet të përfundojnë dhe dorëzojnë tek Ministria e Financave propozimet dhe kërkesat për ndarje buxhetore për vitin e ardhshëm. Kurse, deri në fund të muajit tetor Qeveria duhet të miratojë buxhetin e propozuar për të dërguar në Kuvend,i cili duhet të miratohet deri në fund të muajit dhjetor. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump "sulmon" senatorin republikan

Posted: 17 Aug 2017 04:59 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka "sulmuar", kolegun e tij republikan, senatorin, Lindsey Graham, duke e cilësuar si ligjvënës "në kërkim të publicitetit". Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Trump e ka kritikuar Graham për komentet që ai ka bërë rreth deklaratave të presidentit për dhunën dhe vdekjen e një gruaje në protestat e Sharllotsvill, në Virxhnia. Të mërkurën, Graham ka thënë se deklaratat e Trumpit, pas përleshjeve në protestat e vikendit, kanë sugjeruar "barazi morale", ne mes të dy palëve. Me këtë koment, ai i ka bërë thirrje presidentit Trump, të zgjedhë fjalët dhe të shpëtojë amerikanët. "Në kërkim të vëmendjes, Lindsey Graham, ka deklaruar gabimisht kur ka potencuar se unë kam thënë që ka një barazi morale në mes të grupeve KKK, neo-nazistëve, nacionalistëve të bardhë dhe personave si zonja Heyer", ka thënë Trump në Twitter. Në këtë rast ai i është referuar 32 vjeçares, Heather Heyer, e cila ka vdekur pasi një veturë ka përplasur me fuqi protestuesit, gjatë marshit të vikendit. "Gënjeshtër e neveritshme", ka thënë Trump për komentet e Graham. Vdekja e Heyer ka ndodhur gjatë përplasjeve, në mes të nacionalistëve të racës së bardhë dhe kundërshtarëve të tyre. Një 20 vjeçar është akuzuar për vrasjen e viktimës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedoni: Qeveri-Kuvend, rritje e transparencës apo marketing politik?

Posted: 17 Aug 2017 04:37 AM PDT

Qeveria e Maqedonisë ka kërkuar nga Kuvendi kontroll më të madh të punës së saj, respektivisht, institucioni ligjvënës të caktojë çdo javë nga një seancë, në të cilën deputetët do të mund të interesoheshin apo të pyetnin anëtarët e Qeverisë për çështje tematike. Kërkesa e Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, synon rritjen e transparencës në punën e saj, apo që për çështjet madhore me interes të qytetarëve të jenë të njoftuar ose të dalin me propozime edhe përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvend. Aktualisht deputetët në bazë të rregullores mbi punën e Kuvendit kanë të drejtën të parashtrojnë pyetje për ekzekutivin, por vetëm një herë në muaj, por seancat e tilla deri më tani ose nuk janë mbajtur ose kanë kaluar në polemika të ashpra mes pushtetit dhe opozitës për çështje kryesisht politike. Kërkesa e fundit e Qeverisë vjen në kohën kur të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare kanë kritikuar raportet Qeveri-Kuvend, duke konstatuar anashkalimin e institucionit ligjvënës, apo vënien e tij në shërbim të ekzekutivit, që në realitet duhej të ishte e kundërta. Ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja është e mirë dhe është një kopje që praktikohet në disa vende të zhvilluara evropiane, por që këtu të praktikohet nevojitet, sipas tij, përgjegjësi më e madhe e politikanëve apo që nismat e tilla të mos i ndërmarrin për pikë politike, por me qëllimin e sinqertë për ngritjen e nivelit të institucioneve. "Nëse kjo realizohet, Kuvendi do të kishte kontroll më të madh mbi Qeverinë, por duhet parë nëse kjo do të keqpërdoret nga partitë. Praktika të tilla ka edhe në vende tjera, megjithatë tek ne duhet të ketë një koordinim të mirë, me qëllim që kjo nismë të realizohet sipas idesë së paraparë, e jo të keqpërdoret për pikë politike si nga Qeveria ashtu edhe nga deputetët, konkretisht nga ata të opozitës. Nëse kjo ndodhë,atëherë kjo nuk do të kishte kuptim, apo të përjetonte fatin e mbledhjeve mujore të përballjes së Qeverisë me deputetët", thotë Andov. Ismet Ramadani, ish-deputet në katër përbërje parlamentare thotë se raportimi i anëtarëve të Qeverisë para Kuvendit është në të mirë të transparencës jo vetëm në relacionet Qeveri-Kuvend, por edhe të institucioneve tjera të kenë përgjegjësi të raportimit para Kuvendit. Nëse këto mbledhje do të jenë efikase varet nga deputetët dhe Qeveria, thotë Ramadani duke u ndaluar në mbledhjen në të kaluarën të cilat më shumë janë shfrytëzuar për promovime se sa për dhënie të llogarisë. "Në këtë rast, nëse Qeveria jep llogari pranë Kuvendit, atëherë është shumë e kuptueshme që edhe organet tjera do të jenë shumë më të përgjegjshme sepse një ditë edhe ato do të duhet të japin llogari për punën e tyre. Me këtë besoj se rritet autoriteti i Kuvendit, i cili përfundimisht e merr rolin e vet të cilin e ka edhe me Kushtetutë. Me këtë rritet edhe transparenca e Qeverisë dhe qytetarët do të jenë më të informuar për punën dhe aktivitetet e Qeverisë", thotë Ramadani duke shtuar gjithashtu se çdo devijim nga ideja e nismës apo tendencat që përmes saj të përfitohen pikë politike do të prishin edhe më shumë imazhin e institucioneve. Në bazë të anketave të realizuar nga organizata të ndryshme, Kuvendi është ndër institucionet më pak të besueshme, pa anashkaluar këtu edhe Qeverinë. Kuvendi i Maqedonisë shpesh herë është kritikuara apo është quajtur si "makineri votuese" që aspak nuk debaton për propozimet që vijnë nga Qeveria. Në të shumtën e rasteve ato miratohen në procedurë të përshpejtuar, duke forcuar kështu bindjen se deputetët fare nuk e dinë për çfarë kanë votuar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Virxhinia: Dënohet dhuna dhe urrejtja

Posted: 17 Aug 2017 03:50 AM PDT

Qindra njerëz u mblodhën e kampusin e Universitetit të Virxhinias, në qytetin Charlottesvile. Ata ndezën qirinj, duke kundërshtuar racizmin, urrejtjen dhe dhunën. Tubimi u mbajt në mbrëmjen e 16 gushtit, në përgjigje ndaj një tubimi të mbajtur nga supermacistët dhe nacionalistët, i cili shpërtheu në dhunë dhe la të vrarë një person më 12 gusht. (Video: AP)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Turqia kërkon ndalimin e 70 ish punëtorëve të ministrisë

Posted: 17 Aug 2017 03:42 AM PDT

Autoritetet turke kanë nisur një urdhër-arrest për 70 ish punëtorë të ministrisë së Financave, pas supozimeve për ndonjë lidhje të mundshme me tentimet e dështuara për grushtshtet, ka transmetuar CNN, në gjuhën turke. Turqia e akuzon klerikun që jeton në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, për organizimin e puçit të dështuar në korrik të 2016-tës. Gulen hedh poshtë akuzat për përfshirje. Që nga tentimet e dështuara të puçit, rreth 150,000 persona janë pezulluar apo suspenduar nga puna, në sektorin publik apo privat. Më shumë se 50,000 të tjerë janë ndaluar pas dyshimeve se kanë pasur lidhje me këtë gjë. Masa të tilla, kanë alarmuar grupet për të drejtat e njeriut, dhe disa aleatë Perëndimor të Turqisë, të cilët kanë shprehur shqetësimet se qeveria është duke përdorur çështjen e puçit, si pretekst për të shuar zërat e kundërshtarëve. Qeveria në anën tjetër, thotë se, këta hapa janë të domodsoshëm për shkak të kërcënimeve me të cilat po përballet vendi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Irani dhe Turqia kundërshtojnë referendumin e kurdëve në Irak

Posted: 17 Aug 2017 03:40 AM PDT

Turqia dhe Irani kanë kundërshtuar rëndë një referendum e kurdëve për pavarësi, i cili është planifikuar të mbahet muajin e ardhshëm në Irak. Këto deklarata janë bërë gjatë një vizite të shefit të stafit të ushtrisë së Teheranit, Mohammad Hossein Bagheri, në një vizitë të rrallë në Ankara. Media turke kanë thënë se kjo është vizita e parë e këtij lloji prej Revolucionit Islamik të Iranit më 1979. "Nuk ka pasur vizita të tillë për vite të tjera në mes të dy vendeve, mirëpo duke parë zhvillimet rajonale në çështjet e sigurisë, dhe luftën kundër terrorizmit, është parë nevoja e një vizite të tillë", i ka thënë gjenerali iranian, Mohammad Hossein Bagheri, televizionit shtetëror turk, pak pasi arritur në Ankara. Bagheri ka thënë se pas takimeve me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, janë pajtuar se mbajtja e referendimit për pavarësinë e kurdëve në Irak, mund të nxis trazira në gjithë rajonin. Kurdët janë minoritet i konsiderueshëm në Iran, Irak, Siri dhe Turqi, dhe kanë disa fraksione të cilat kërkojnë autonomi, ndonjëherë edhe në mënyrë të dhunshme, në secilin prej këtyre vendeve. "Të dyja palët janë pajtuar se nëse mbahet referendumi, do të shënojë fillimin e një serie të re të tensioneve dhe konflikteve brenda Irakut, efektet e të cilave do të ndikojnë edhe në vendet fqinje", është cituar të ketë thënë Bagheri sipas agjencisë iraniane të lajmeve, IRNA. "Mbajtja e referendumit do ta përfshijë Irakun, Iranin dhe Turqinë, andaj kjo është arsyeja që kanë theksuar autoritetet e të dy vendeve, se kjo gjë është e pamundur dhe nuk duhet të bëhet", ka thënë tutje Bagheri. Erdogan e ka mirëpritur Bagherin në pallatin e tij presidencial, së bashku me ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, ka thënë zyra e presidentit turk. Gjatë bisedimeve është diskutuar edhe për përpjekjet e një zgjidhje paqësore në Siri, ku të dy palët mbështesin kahe të kundërta. Qeveritë e Turqisë, Iranit dhe Irakut, kanë shprehur kundërshtimin e rajonit autonom të kurdëve në Iran, për mbajtjen e një referendumi për pavarësi. Sidoqoftë, liderët kurdë nuk e kanë anuluar referendumin e planifikuar për 25 shtator. Në këtë referendum pritet të votojnë rreth 5 milionë votues. Minoriteti i kurdëve në Irak, i cili ka një autonomi të konsiderueshme, ka jetuar në paqe me Qeverinë e Bagdadit, pavarësisht mosmarrëveshjeve rreth naftës dhe çështjeve tjera. Mirëpo, në Turqi dhe Iran, përleshjet e përgjakshme në mes të forcave qeveritare dhe militantëve të grupeve kurde nuk janë të pazakonta. Erdogan, ka qenë i shqetësuar për rritjen e fuqisë politike të kurdëve në vendin e tij, pasi të njëjtit kanë fituar një fraksion të madh parlamentar, në zgjedhjet e fundit në Turqi. Presidenti turk është ankuar shpesh për separatistët e armatosur nga radhët e kurdëve, të cilat kanë kërkuar mbështetje në vendet fqinje, duke e shtyrë kështu Turqinë, për ndërtimin e një muri në kufi me Iranin, Irakun dhe Sirinë. Erdogan ka kritikuar ashpër edhe përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, për të organizuar kurdët në Siri, kundër militantëve të Shtetit Islamik, duke thënë se këto armë mund të kthehen kundër forcave turke. Sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve, Anadolu, bisedimet ne mes të Erdoganit dhe Bagherit rreth referendumit të kurdëve, janë zhvilluar për rreth 50 minuta. Sa i përket Sirisë, Bagheri ka thënë se dy fuqitë rajonale, janë duke kërkuar "koordinim për krijimin e paqes dhe sigurisë", ka raportuar agjencia IRNA. Këto janë parë si përpjekjet më të reja nga Teherani dhe Ankaraja, për të tejkaluar dallimet e tyre në Siri, pasi Irani është mbështes i fortë i presidentit sirian, Bashar al-Assad, në luftën gjashtëvjeçare të vendit të tij, derisa Turqia ka mbështetur grupet e armatosura sunite, në luftën kundër Assadit. Mirëpo, Irani dhe Turqia kanë edhe një armik të përbashkët, Shtetin Islamik me prezencën e tij të madhe ne Irak dhe Siri nga viti 2014. Shteti Islamik ka kryer sulme shkatërruese në këto dy vende, derisa kohën e fundit është bërë shumë aktive edhe në Iran, me anë të rekrutimeve. Agjencia AFP ka raportuar, se një zyrtar i lartë i Gardës islamike Revolucionare të Iranit, i ka thënë Bagherit ta vizitojë Ankaranë, pas një prezence të "grupeve terroriste", në pjesët e kufirit, pa specifikuar se për cilat grupe bëhet fjalë. "Ne jemi duke kërkuar një marrëveshje të mirë me Turqinë për të krijuar siguri më të mirë për kufijtë turq dhe iranianë, në perëndim dhe veriperëndim", është cituar të këtë thënë zëdhënësi i kësaj Garde, Ramezan Sharif. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lufta me Korenë V. do te ishte "tmerrshme", por jo e "paimagjinueshme"

Posted: 17 Aug 2017 02:36 AM PDT

Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali, Joseph Dunford, ka thënë se opsioni ushtarak ndaj kërcënimeve të Koresë Veriore për lansim të raketave, do të ishte i "tmerrshëm", mirëpo e ka quajtur " të paimagjinueshëm", mundësinë që t'i lejohet Penjanit, zhvillimi i raketave bërthamore me kapacitet për të arritur në territorin e Shteteve të Bashkuara. Dunford, u ka thënë gazetarëve në Pekin, se presidenti Donald Trump, "ka kërkuar nga ne, një opsion ushtarak të besueshëm, dhe kjo është pikërisht ajo që jemi duke bërë". "Ashtu siç u kam treguar homologëve, qofshin miq apo armiq, nuk është e paimagjinueshme të kemi opsione ushtarake për t'ju përgjigjur kapaciteteve bërthamore të Koresë Veriore", ka thënë Dunford. "Çka është e paimagjinueshme për mua, është dhënia e mundësisë së Koresë Veriore për krijimin e armëve bërthamore, me kapacitet për të arritur në Denver, apo Kolorado, kjo është e paimagjinueshme për mua. Kështu që detyra ime është të zhvillojë opsione ushtarake, që të sigurohem se një gjë e tillë nuk do të ndodhë", ka thënë ai.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

I bllokohet qasja në internet faqes The Daily Stormer

Posted: 17 Aug 2017 01:41 AM PDT

Publikuesi i ueb faqes kontraverse të neo-nazistëve në Shtetet e Bashkuara, Andrew Anglin, ka thënë se faqja,The Daily Stormer, është ndaluar plotësisht nga interneti", pak pasi Angelin ka siguruar një domen rus. The Daily Stormer, e ka humbur kontrollon e përdorimit të domenit, Dailystormer.com, pasi Google ka refuzuar t'i jap shërbime kësaj faqe. Autoritetet ruse për rregullimin e mediave, kanë thënë se kërkesa për ndalimin e kësaj ueb faqe me domen rus, është bërë për shkak se e njëjëta është konsideruar të ketë postuar " përmbajtje ekstremiste". Anglin, i ka treguar Associtated Press, se pas bllokimit të platformave në SHBA dhe Rusi, ai nuk mund të publikojë më materiale të supremacistëve të bardhë. Google është përgjigjur me bllokim, pas thirrjeve në fushata të shumta nëpër rrjetet sociale, kundër kësaj ueb faqe, e cila ka bërë postime provokuese, pas vdekjes së Heather Heyer, viktimë e protestave kundër racizmit, në Sharllotsvill të Virxhinias. Daily Stomer, qëndron sipas emrit të Der Sturmer, një gazetë që ka publikuar propagandën nazisite. Anglin, në disa prej publikimeve, është talluar me Heather Heyer, e cila ka vdekur pasi një person ka sulmuar me veturë turmën e njerëzve në protestat në Sharllotsvill. Dyshohet se sulmuesi ka qenë simpatizant i neo-nazistëve. Anglin ndër të tjera e ka cilësuar Heyer si "definicion të padobishmërisë", duke provokuar përgjigje të shumta në rrjete sociale. "Ata më kanë ndaluar regjistimin e një domeni të ri", i ka thënë Anglin, AP-së. Rrjetet sociale, Facebook dhe Tëitter kanë thënë se larguar të gjitha faqet që kanë qenë të ndërlidhura me The Daily Stormer, i cili ka ndihmuar në organizimin e marshit në Sharllotsvill, i cili më pas rezultoi me vdekjen e Heather Heyerit, gjatë vikendit të kaluar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dënohet sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri

Posted: 17 Aug 2017 12:31 AM PDT

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kanë dënuar sulmin ndaj drejtorit të gazetës Insajderi, Parim Olluri. Persona të panjohur sulmuan të mërkurën mbrëma gazetarin Parim Olluri. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se " sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është i patolerueshëm në shtetin të cilin e kemi ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shprehjes së lirë". Thaçi ka kërkuar nga organet kompetente veprime të vendosura dhe të shpejta, në mënyrë që sulmuesit të dalin para drejtësisë. I shqetësuar me lajmin sulmin dhe dhunën e ushtruar ndaj drejtorit të Insajderit, Parim Olluri është shprehur edhe kryeministri në largim Isa Mustafa. "Në një shoqëri, në të cilën duhet të kultivohet e drejta e fjalës publike, aktet e tilla janë të ulëta, të papranueshme dhe të dënueshme", ka shkruar Mustafa. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka treguar se sulmi ka ndodhur afër banesës së tij në Prishtinë. Gazetari Olluri dhe bashkëshortja e tij janë trajtuar me lëndime të lehta në spitalet e Prishtinës. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bënë thirrje organeve të rendit për ndriçimin sa më të shpejtë të rastit, duke nënvizuar se "sulmet e tilla, në themel dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe të medies." Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar për sulmin fizik ndaj gazetarit Parim Olluri, duke thënë se sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë. "Qëndrimit kritik kundër dukurive negative përmes frikësimit të gazetarëve të mediave elektronike dhe të shkruara, përpjekja për kufizim të lirisë së fjalës përmes frikësimit dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve është rruga drejt anarkisë dhe suspendim të ligjeve në fuqi", thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Serbia i ofron shtetësi "Pikasos së Vogël"

Posted: 17 Aug 2017 12:20 AM PDT

Serbia i ka ofruar shtetësinë serbe, familjes së 10 vjeçarit afgan, Fahrad Noory, i cili tashmë njihet si "Pikaso i Vogël", për shkak të krijimeve të tij artisike. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë ofertë 10 vjeçarit dhe familjarëve të tij, pas një takimi me të, në Beograd. Ai po ashtu i ka premtuar bursë për zhvillimin e talentit të tij për art, si dhe punësimin e babait të tij. Noory dhe familja e tij janë duke jetuar për 8 muaj në një kamp të refugjatëve në Beograd. Portretet e kancelares gjermane, Angela Merkel, piktorit, Salvador Dali, dhe shumë të tjera, e kanë bërë djaloshin, yll në mediat lokale. Javën e kaluar është mbajtur një ekspozitë me piktuarat e tij në Beograd, duke dërguar të gjitha fondet për një fëmijë, i cili po trajtohet nga kanceri një tru. Familja e Nooryt ka arritur në Serbi gjatë valës së madhe të migrantëve për të nisur një jetë të re në vendet perëndimore evropiane, mirëpo ka mbetur në Beograd, pas mbylljes së të ashtuquajturave "Rrugët Ballkanike". "Ne nuk jemi të pasur sikur zviceranët, mirëpo Beogradi është qyteti i mirë, dhe nëse dëshironi të jetoni këtu, ne do t'ju japim menjëherë shtetësinë serbe", ka thënë Vuçiq. Familja nuk është deklaruar nëse do ta pranojë ofertën e presidentit serb. Autoritetet serbe kanë thënë se afro gjysma e 4,000 refugjatëve që jetojnë në Serbi, janë fëmijë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more