Skip to main content

“Forcat afgane rimarrin nën kontroll një qark” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Forcat afgane rimarrin nën kontroll një qark” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Forcat afgane rimarrin nën kontroll një qark

Posted: 11 May 2017 09:35 AM PDT

Forcat e sigurisë afgane kanë arritur të rimarrin kontrollin e një qarku në verilindje të vendit nga luftëtarët talibanë, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes. Zëdhënësi i Minsitrisë, Dawlat Wazeri ka thënë se forcat qeveritare kanë marrë "kontrollin e plotë" të qarkut Zebak, në provincën Badkhashan por ka shtuar se operacionet e pastrimit janë duke vazhduar. Komandanti i forcave speciale, Gjenerali Jalal Yafti, është cituar të ketë thënë se 35 militnatë janë vrarë gjatë operacionit dyditor. Nuk ka raportime për viktima të forcave qeveritare. Luftëtarët talibanë morrën nën kontroll qarkun Zebak më 26 prill. Talibanët kanë nisur ofensivën e tyre pranverore muajin e kaluar, duke u zotuar se do të kryejnë sulme në mbarë Afganistanin.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rënia e Qeverisë “dëmton” projektet kapitale

Posted: 11 May 2017 09:03 AM PDT

Votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, besohet se mund të ketë ndikime edhe në dinamikën e realizimit dhe zhvillimit të disa projekteve ekonomike në vend. Të martën, 78 deputetë të Kuvendit të Kosovës, kanë votuar për mocionin të inicuar nga opozita, çka ka rezultuar me rënien e Qeverisë se Kosovës, të drejtuar nga kryeministri në largim, Isa Mustafa. Ekspertët e çështjeve ekonomike, konsiderojnë se ndërrimi i shpeshtë i qeverive po e ngadalëson realizimin e projekteve. Sipas agjendës së Qeverisë në largim, disa prej projekteve në proces, janë ndërtimi i termocentralit, "Kosova e Re", pastaj rivitalizimi i Kombinati "Trepça" dhe projekti Zonës Turistike në Brezovicë. Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se edhe pas rënies se Qeverisë, administrata shtetërore është dashur të funksionojë, por në Kosovë thotë ai, është bërë praktikë që deri në formimin e Qeverisë se re, projektet kapitale të pezullohen ose të rinisin nga zeroja. "Përderisa në Kosovë dhe në Ballkan të gjitha projektet janë të lidhura më politikë, do të ngadalësohet ritmi i tyre deri sa të formohet Qeveria e re, dhe Qeveria e re do të ketë prioritet që ato projekte të nisura të përfundojnë, nëse nuk fillojë edhe njëherë të gjitha nga zeroja", ka thënë Shahini. Berim Ramosaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se projektet kapitale ndikohen nga rënia e Qeverisë, por dëmet nuk janë më të mëdha se sa nevoja për ndryshime qeverisëse. Sipas tij, Qeveria tashmë në largim, edhe ashtu nuk ka qenë në gjendje që të marrë vendime të rëndësishme. "Nëse i masim humbjet që i kemi, qoftë në procesin e privatizimit, apo humbjeve që realizohen si rezultat i dëmeve nga gjykimet që ndodhin ndaj ndërmarrjeve publike ose kostot oportune që kemi mundur t'i realizojmë dhe nuk i kemi realizuar, tregon se kostoja është shumë e vogël, karshi ndryshimeve". "Unë në emër të ndryshimeve arsyetoj çdo veprim", ka thënë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë. Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati, thotë se Qeveria në largim nuk ka pasur fuqi që të shtyjë përpara projektet kapitale. Sipas tij, është me rëndësi që sa më shpjet të mbahen zgjedhjet dhe të mos vonohet procesi i krijimit të institucioneve të reja. "Varet sa do të zgjasë procedura rreth zgjedhjeve, sa shpjet do të formohet Qeveria dhe sigurisht se duhet të fillojë dinamika e realizimit të projekteve. Kjo Qeveri, kohëve të fundit u pa se nuk kishte fuqi, që të shtyjë proceset përpara dhe të marrë vendime të rëndësishme". "Pra, të shpresojmë se zgjedhjet do të shkojnë mirë, të vije një Qeveri pak më energjike, të jetë më kompetente në shtyrjen e proceseve ekonomike dhe besoj se do të bëhet më mirë", ka thënë Kastrati për RadionEvropa e Lirë. Ndryshe, pothuajse asnjëra legjislaturë në Kosovë nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katër vjeçar, çka ka ndikuar që vendi të shkojë në vazhdimësi në zgjedhje të parakohshme. Mesatarja e një mandati qeverisës në Kosovë nuk ka arritur të jetë më shumë se dy vjet e gjysmë. Zgjedhjet e fundit të parakohshme ishin mbajtur në qershor të vitit 2014. Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, proces ky që besohet se vjen si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit, ka një kosto të lartë financiare. Sipas llogaritjeve, vlerësohet se për një palë zgjedhje parlamentare në Kosovë, buxheti shpenzon deri në 10 milionë euro. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ushtruesi i detyrës së shefit të FBI-së: Nuk ka përpjekje për të penguar hetimin për Rusinë

Posted: 11 May 2017 08:43 AM PDT

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të FBI-së, ka thënë se nuk ka pasur asnjë përpjekje për të penguar hetimet e byrosë për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe në hetimet që po zhvillohen për lidhjet e mundshme mes bashkëpunëtorëve të presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve rusë. Andrew McCabe ka folur para Komitetit të Inteligjencës të Senatit më 11 maj, dy ditë pasi Trump shkarkoi James Comey nga pozita e drejtorit të FBI-së. Comey po mbikëqyrte hetimet kriminale lidhur me Rusinë dhe shkarkimi i tij ka tronditur ligjnëvësit amerikanë. Ligjnëvësit demokratë, dhe disa republikanë, publikisht kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me arsyetimin që presidenti Trump ka dhënë për shkarkimin e Comey. Trump ka deklaruar se e ka shkarkuar Comey, për shkak të keqmenaxhimit të hetimit për emailet e kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton. I pyetur nga senatori republikan, Marco Rubio se a ka pasur përpjekje për të penguar hetimet e byrosë, McCabe është përgjigjur "jo". "Puna e FBI-së vazhdon pavarësisht nga çdo ndryshim... nuk ka pasur asnjë përpjekje deri më sot për të penguar hetimin tonë", ka thënë ai.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Afganistan: Luftëtarët e Hezb-e Islam refuzojnë të dorëzojnë armët

Posted: 11 May 2017 08:19 AM PDT

Grupi Hezb-e Islam, i kryekomandantit famëkeq afgan, Gulbuddin Hekmatyar, ka thënë sot se nuk do të dorëzojë armët, pavarësisht premtimeve se të bëjnë një gjë të tillë, ashtu siç kërkohet edhe në marrëveshjen e paqes, që ka nënshkruar ky grup me qeverinë në muajin shtator. Vendimi nxiti reagimin e zyrës së presidnetit afgan, Ashraf Ghani, ku një zëdhënës kërkoi që grupi militant t'i përmbahet marrëveshjes, përmes së cilës Hezb-e Islam është zotuar se do të dorëzojë armët dhe do t'i jap fund kryengritjes. Në marrëveshje po ashtu thuhet se luftëtarët e Hezb-e Islam, të cilët duan t'i bashkohen forcave qeveritare, do të mund të integrohen brenda forcave të sigurisë afgane. Zëdhënësi i Hezb-e Islam, Qareem ur Rahman ka thënë sot se është "e nevojshme" që 3,500 luftëtarët militantë të grupit të mbajnë armët e tyre, për tu mbrojtur nga organizatat ekstremiste, siç janë talibanët dhe Shteti Islamik. "Luftëtarët tanë janë sulmuar nga militantët", ka thënë ai. "Nëse ata dorëzojnë armët, kush do të garantojë për sigurinë e tyre?", ka shtuar Rahman. Zëdhënsi i presidentit, Dava Khan Menapal, ka thënë se siguria në vend është "përgjegjësi" e qeverisë dhe se shqetësimet e ngritura nga Hezb-e Islam janë të "pajustifikueshme". Hekmatyar, njëri prej kryekomandatëve më famëkeq të vendit, u kthye në Kabul javën e kaluar pas më shumë se dy dekadash qëndrimi në ekzil.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

KQZ cakton 10 ditë fushatë për zgjedhjet e 11 qershorit

Posted: 11 May 2017 07:56 AM PDT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të nis nga data, 29 maj dhe të mbyllet më 9 qershor. Për këto 10 ditë, subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje mund të zhvillojnë aktivitetin, fushatën dhe propagandën politike, përfshi edhe tubimet dhe debatet me qytetarët dhe mediat. Subjektet politike të interesuara për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit, sipas KQZ-së, do të mund të aplikojnë për pjesëmarrje nga data 11 deri më 18 maj. Ndër vendimet e para të KQZ-së, përfshihen edhe kushtet e vëzhgimit dhe monitorimit të zgjedhjeve dhe çështjet tjera organizative. Njëherësh, KQZ ka miratuar edhe buxhetin për zgjedhjet, që kap shumën prej rreth 5 milion euro. KQZ mori këto vendime në ditën kur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli 11 qershorin, datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje pasuan vendimin e presidentit Thaçi për shpërndarjen e Kuvendit, pasi që deputetët me shumicë votash, të mërkurën vendosën që me anë të mocionit, ta rrëzojnë qeverinë e Kosovës, një vit para mbylljes së mandatit kushtetues.   

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lunacek, politikanëve kosovarë: Formoni qeveri të mirë, merruni me gjërat serioze

Posted: 11 May 2017 06:33 AM PDT

Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, u bëri thirrje politikanëve kosovarë që shkojnë në zgjedhje të reja, të mos i harrojnë çështjet e mëdha siç është integrimi evropian. "Nëse grinden për këtë, për atë, nuk do të jetë gjë e mirë. Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës kanë humbur kohë gjatë një apo dy vjetëve të kaluar", tha Lunacek, një ditë pas rënies së Qeverisë së Kosovës dhe shpërndarjes së Kuvendit të saj. "Më vjen keq që nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave, sepse bëhet fjalë për qytetarët e Kosovës. Nuk ka ndodhur, sepse nuk është votuar demarkacioni i kufirit. Kam bërë përpjekje t'i nxis edhe partitë në qeveri, edhe ato në opozitë, por nuk e kanë bërë. Shpresoj ta bëjë qeveria e ardhshme. Shpresoj që qeveria e ardhshme ta ketë shumicën në Parlament dhe të përmbushë premtimet që janë bërë deri më tash", tha Lunacek, duke folur për magazinën Expose të Radios Evropa e Lirë. Ajo u bëri thirrje politikanëve kosovarë që të zhvillojnë një "fushatë serioze zgjedhore" për hir të qytetarëve. "Bëjini detyrat e juaja, formoni qeveri të mirë, me shumicë të mirë në Kuvend dhe merruni me gjërat serioze. Ka pasur ca rritje ekonomike, ka pasur ca rritje në punësim – së paku çfarë thonë shifrat – por duhet të bëhet më, sidomos për të rinjtë dhe gratë. Qeveria e ardhshme duhet të përqendrohet në sigurimin e kushteve më të mira ekonomike, sociale, në arsim, në shëndetësi. Kjo është ajo që duan qytetarët. Kjo është ajo që duam edhe ne si BE për qytetarët e Kosovës", tha Lunacek. Ajo theksoi se në BE ka mbështetje për Kosovën dhe se atje duan që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, të bëhet anëtare e organizatave të ndryshme ndërombëtare, të shihet si shtet, si republikë "pa e vënë askush në dyshim". "Ka shpresë, ka të ardhme për Kosovën në Bashkimin Evropian", theksoi Lunacek. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Partitë e shumicës: Presidenti po shkel vullnetin e popullit

Posted: 11 May 2017 06:31 AM PDT

Partitë e koalicionit kërkojnë nga presidenti Gjorge Ivanov që sa më parë të veprojë në përputhje me kushtetutën dhe t'i dorëzojë mandatin kreut social-demokrat, Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Programi qeveritar është dëshmi se partitë e shumicës së garantojnë unitarizmin dhe kushtetutën e vendit, thotë LSDM-ja duke komentuar përgjigjen e presidentit Ivanov ndaj letrës së kryeparlamentarit Talat Xhaferi për mandatimin e Zaevit për kryeministër. "Mendoj se nuk ekzistojnë pengesa, nuk ka as logjikë që mandati të mos i jepet kryetarit Zoran Zaev. Ai këtë duhet ta bëjë sa më parë, pasi pasojat tashmë po i ndjejnë qytetarët e Maqedonisë", thotë Dragan Tevdovski nga LSDM-ja. Në këtë parti thonë se veprimi i Ivanovit është në funksion të mbrojtjes së Gruevskit nga drejtësia, përpara së cilës do të përballet për të gjitha shkeljet e bëra gjatë qeverisjes së tij. Ndërkaq, BDI e Ali Ahmetit, thotë se qëndron prapa shumicës së re dhe nevojës së formimit të qeverisë, duke i dhënë kështu mbështetje Zaevit në marrjen e mandatit nga presidenti Ivanov. "Zoran Zaevi ka mbështetjen e BDI-së që të shkojë tek presidenti për të paraqitur të gjitha argumentet se ne jemi për karakterin unitar të shtetit, e jo për teatër apo për lojëra të tjera", thonë në Bashkimin Demokratik për Integrim. Vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos e mandatuar për kryeministër liderin social-demokrat, Zoran Zaev, është i pritur për njohësit e çështjeve juridike. Ata thonë se presidenti edhe kësaj radhe ka dëshmuar se është në shërbim të VMRO-së së Nikolla Gruevskit dhe jo të kushtetutës apo kauzës kombëtare, me kërkesën drejtuar Zaevit për të ofruar dëshmi se koalicioni i ri nuk do ta rrënojë karakterin unitar të shtetit. Mersim Pollozhani, ekspert juridik dhe ish-zëvendësministër i drejtësisë, i tha Radios Evropa e Lirë se Ivanov më nuk ka as kredibilitetin më të vogël pasi, siç thotë, ka dëshmuar qartë se është në shërbim të plotë të politikave të Gruevskit. "Ai me sjelljet e këtilla e delegjitimoi veten e tij. Megjithëse i ka të njohur mekanizmat për formimin e qeverisë, ai edhe më tutje sillet si një ushtar partiak i dirigjuar nga padroni i tij. Unë vlerësoj se qeveria duhet të formohet dhe do të formohet, me apo pa vullnetin e presidentit meqë mandatin shumica e re e ka fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare", thotë Pollozhani duke shtuar se kërkesa e Ivanovit për garanci nga ana e Zaevit është vetëm 'alibi për zvarritjen e procesit në favor të politikave të Gruevskit'. Në një njoftim me shkrim, të mërkurën, presidenti Ivanov tha se kishte marrë letrën e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili i kërkonte dhënien e mandatit kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, por Ivanov sipas letrës kthyese, mbetet në qëndrimin se "e ashtuquajtura Platformë e Tiranës dhe asnjë dokument tjetër, akt apo veprim në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë, nuk mund të jetë kusht dhe as bazë për formimin dhe punën e Qeverisë së Maqedonisë." Kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi edhe më 4 maj, i kishte dërguar presidentit Ivanov një letër me kërkesën për dhënien e mandatit, por përveç njoftimit nga presidenca se Ivanov do të veprojë në përputhje me kushtetutën, sqarime tjera nuk ka marrë. Kriza në Maqedoni u përshkallëzua në dhunë më 27 prill kur protestuesit e nismës "Për Maqedoni të bashkuar" pushtuan Kuvendin duke lënduar rëndë shumë deputetë të shumicës parlamentare të cilët paraprakisht zgjodhën Talat Xhaferin për Kryetar të Kuvendit të Maqedonisë.(REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut viziton Uzbekistanin

Posted: 11 May 2017 06:06 AM PDT

Komisioneri i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra'ad Al Hussein, po zhvillon vizitën e tij të parë në Uzbekistan. Zeid është takuar me zyrtarët e shtetit, përfshirë presidentin Shavkat Mirziyaev, i cili erdhi në pushtet pas vdekjes së presidentit Islam Karimov në shtator. Në bisedën me Zeid, Mirziyaev ka thënë se Uzbekistani është i interesuar në zhvillimin e dialogut të hapur dhe konstruktiv me institucionet e OKB-së, ka njoftuar Ministria e Jashtme uzbeke. Në njoftimin e Ministrisë thuhet se Mirziyaev "theksoi se Mbrojtja e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut, është një prioritet në reformat që po ndërmerr Uzbekistani". Karimov, i cili ka udhëhequr me vendin prej para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ka mbajtur nën kontroll popullin për më shumë se çerek shekulli. Presidenti i ri, Mirziyaev ka ndërmarrë disa hapa që duket se kanë për qëllim hapjen e shtetit të izoluar. Andrew Stroehlein, nga Human Rights Watch, ka thënë se Uzbekistani ka "bllokuar vizita të tilla të zyrtarëve të lartë të OKB-së qe 12 apo 13 vjet". Ai ka shtuar se nëse "Uzbekistani vërtetë dëshiron të tregojë se ka ndryshuar kursin, duhet të fillojë me lirimin e 1 mijë të burgosurve politikë".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haziri: LDK-ja merr pjesë në zgjedhje, data çështje e Presidentit

Posted: 11 May 2017 05:58 AM PDT

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka theksuar se partia e tij 'do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme më 11 qershor', pavarësisht nga 'bojkotimi' i takimit me presidentin Thaçi. LDK nuk pranoi të dërgonte përfaqësues në takimin konsultativ për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, të thirrur nga presidenti Thaçi, bazuar në një arsyetim "se nuk e njeh atë pas prishjes së marrëveshjes së koalicionit qeverisës". "Ne nuk e kemi diskutuar ende [çështjen e zgjedhjeve]. Por data e zgjedhjeve është çështje e Presidentit dhe ne marrim pjesë në zgjedhje. Mospjesëmarrja jonë [në takim me Presidentin Thaçi] nuk ndërlidhet me asgjë", tha Haziri në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përcaktuar 11 qershorin datë të zgjedhjeve të parakohshme, pas takimit konsultativ me partitë politike parlamentare në të cilin LDK-ja ka refuzuar të marrë pjesë. Zgjedhjet e parakohshme u përcaktuan pas një mocioni të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës në Kuvend, të paraqitur nga partitë në opozitë dhe që kaloi me shumicë votash, mbështetur edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës, nga radhët e PDK-së. Pas rënies së qeverisë Presidenti, të mërkurën, me dekret ka shpërbërë Kuvendin, ndërkohë që pas konsultave me partitë politike, një ditë më vonë, vendosi mbi datën e zgjedhjeve të parakohshme. Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkaq tha se 'marrëveshja politike me PDK-në, partner koalicioni, është prishur dhe prandaj nuk e njeh as edhe presidentin Thaçi, që u zgjodh mbi bazën e kësaj marrëveshjeje'. LDK dhe PDK arritën marrëveshjen e koalicionit qeverisës në fund të vitit 2014, pas një bllokade prej gjashtë muajsh që futi vendin në krizë politike.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia akuzon tre të dyshuar për shpërthimin në Shën Petersburg

Posted: 11 May 2017 05:24 AM PDT

Autoritetet ruse kanë thënë se kanë ngritur aktakuzë ndaj tre të dyshuarve për shpërthimin në metronë e Shën Petersburgut, ku u vranë 16 vetë. Komiteti hetues ka thënë se Bakhram Ergashev, Obragimjon Ermatov dhe Makhamadyusuf Mizaalimov janë akuzuar për përfshirje në "akt terrorist" dhe për mbajtje pa leje apo përdorim të eksplozivëve. Edhe 7 të dyshuar të tjerë do të akuzohen për këtë sulm, kanë thënë hetuesit. Autoritetet ruse thonë se sulmi është kryer nga 22-vjeçari me preardhje kirgize, Akbarjon Jalilov, i cili është në mesin e viktimave. Të gjithë të dyshuarit, që po mbahen nën arrest, janë me origjinë nga Azia Qendrore por autoritetet nuk kanë zbuluar nacionalitetin e tre personave të akuzuar. Një grup pak i njohur, i quajtur Imam Shamil Battalion ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ka njoftuar një organizatë që monitoron ekstremistët.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

"Optimizëm i matur" në Kremlin pas takimit Trump-Lavrov

Posted: 11 May 2017 04:26 AM PDT

Kremlini shprehu "optimizëm të matur" rreth perspektivës për përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, pas takimit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, me presidentin amerikan, Donald Trump, të mërkurën në Uashington. "Kemi shumë punë para nesh", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai po ashtu tha se samiti i G20-ës (grupit të ekonomive kryesore) në Gjermani, në muajin korrik, do të jetë "rast i mirë" për Trumpin dhe presidentin rus, Vladimir Putin, që të takohen sy më sy. Trump, pas takimit me Lavrovin, ka thënë se bisedimet me të kanë qenë "shumë të mira" dhe se dy vendet po punojnë për t'i dhënë fund luftës gjashtëvjeçare në Siri. Në delaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë është thënë se Trump i ka kërkuar Lavrovit "të frenojë" presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe Iranin. Të dy janë aleatë të ngushtë të Rusisë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump ka diskutuar edhe çështjen e Ukrainës me Lavrovin dhe ka theksuar përgjegjësinë e Rusisë për të zbatuar Marrëveshjen e Minskut për paqe në lindje të Ukrainës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Presidenti Nishani viziton Kosovën

Posted: 11 May 2017 04:17 AM PDT

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka nisur vitizën e tij në Kosovë të enjten. Ai është pritur me një ceremoni zyrtare nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ka vazhduar me takime me përfaqësues tjerë institucional e politikë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Presidenti Thaçi takon shefat e grupeve parlamentare

Posted: 11 May 2017 04:04 AM PDT

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike në lidhje me caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Shumica e partive politike kanë favorizuar datën 11 qershor, ndërkaq kishte edhe propozime që zgjedhjet të mbahen më 18 qershor. Diskutimet për datën e zgjedhjeve, pasuan vendimin e Presidentit, Hashim Thaçi për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, që pasoi votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thaçi e Nishani theksojnë perspektivën evropiane për Kosovën e Shqipërinë

Posted: 11 May 2017 03:42 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar si "propagandë" të Beogradit zyrtar, siç e quajti, "projektin për Shqipërinë e Madhe" për të "justifikuar", sipas tij, "përpjekjet për destabilizim në vende të ndryshme të Ballkanit". Presidenti Thaçi foli pas një takimi me Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani, që po qëndron në vizitë zyrtare tre ditore në Kosovë. Të dy presidentët u pajtuan se Kosova dhe Shqipëria kanë perspektivë evropiane dhe integrimet në BE janë 'synim kryesor i tyre'. "Kush flet sot më së tepërmi dhe e përmend 'Shqipërinë e Madhe'?, Shikoni mediat e Beogradit - që të gjitha e kanë në ballinë. Edhe zyrtarët e Beogradit dhe pse e përmendin ata? 'Shqipëria e Madhe' përmendet në Beograd, dhe jo në Tiranë e as në Prishtinë. E përmendin në radhë të parë për t'i akuzuar shqiptarët, e dyta për t'i justifikuar përkushtimet e veta destabilizuese qoftë në Kroaci, qoftë në Republikën Serbe, qoftë në Bosnje, qoftë në veriun e Kosovës, qoftë në Mal të Zi", tha Thaçi. Presidenti shqiptar Bujar Nishani, ndërkaq e cilësoi, siç tha, 'çështjen kombëtare shqiptare në të gjitha shtetet e Ballkanit, kudo ku jetojnë, një çështje të shenjtë'. Ai tha se gjeneratat e tanishme në të dyja shtetet, "bazuar mbi kontributet e gjeneratave të kaluara", e kanë për detyrë "që të punojnë fort për të forcuar vendet në aspektet zhvillimore e përparuese". "Proceset e tjera të integrimit, ku si yll polar qëndron ajo në Bashkimin Evropian, janë procese që do të ecin në rrugën e tyre pa u ndalur dhe çdo gjeneratë që do të vijë në të ardhmen, jam i bindur, që do ta përmbush me dinjitet detyrën që koha do t'i afrojë si sfidë", tha Nishani. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, nisi të enjten një vizitë zyrtare në Kosovë, me takimin me presidentin Hashim Thaçi, pasi u prit me një ceremoni shtetërore në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë. Thaçi e Nishani thanë se 'sa më të konsoliduara të jenë institucionet dhe politikat e brendshme, aq më shpejtë të dyja vendet do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian'. Presidenti Nishani tha se zhvillimet politike në Shqipëri janë zhvillime në kuadër të kontestit politik dhe sipas tij institucionet nuk kanë një destinacion tjetër përveç integrimit në Bashkimin Evropian "Këtë situatë që kemi aktualisht në Shqipëri nuk është se e ndihmon përshpejtimin e procesit, por unë jam i bindur se nuk do ta ndalojë procesin, sepse ai është një përcaktim i shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Nuk është zgjedhje e politikanëve dhe përderisa nuk është zgjedhje e tyre, por është reflektim i politikanit për shkak të përcaktimit qytetar, natyrisht se çdo vështirësi do të tejkalohet dhe do të ecim në proceset e integrimit", tha Nishani. Ndërkohë, presidenti i Kosovës,Hashim Thaçi, tha se e ardhmja e Kosovës është evropiane dhe institucionet e vendit po kërkojnë këtë të ardhme brenda BE-së. "Sa më tepër që të kemi politikë të konsoliduar, institucione të konsoliduara dhe efektive, institucione të reformave demokratike rruga [drejt BE] do të jetë edhe më e shkurtër. Natyrisht se Shqipëria është më përpara. Ne jemi në një proces të rëndësishëm - atë të liberalizimit të vizave. E theksoj edhe sot publikisht se Kosova ka përmbyllur suksesshëm dhe me një vlerësim shumë të lartë nga BE-ja implementimin e të gjitha kritereve për liberalizim të vizave", tha Thaçi. Thaçi ka vlerësuar punën e Nishanit për, siç tha, "popullin shqiptar dhe angazhimin e tij për njohjen e Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme" dhe për këto merita, i ndau mirënjohjen "Urdhri i lirisë". Presidenti Nishani, që do të qëndrojë në një vizitë tre ditore në Kosovë, në fund të mandatit të tij presidencial, takohet me udhëheqës institucionalë dhe ata të partive politike në vend dhe do të shpallet qytetar nderi i në tri qytete të Kosovës: Gjilan, Prizren dhe Drenas. Vizita e Presidentit Nishani në Kosovë bëhet një ditë pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës dhe rënies së qeverisë së saj pas një mocioni mos-besimi, të nxitur nga partitë opozitare. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE: Mbi 63,000 të mitur të pashoqëruar kërkuan azil më 2016

Posted: 11 May 2017 03:28 AM PDT

Mbi 63,000 të mitur të pashoqëruar kanë kërkuar azil në Bashkimin Evropian më 2016, tha agjencia për statistika e BE-së. Sipas Eurostat-it, shifra ka rënë krahasuar me 97,000 fëmijët e regjistruar më 2015, por vazhdon të mbetet pesë herë më e lartë se mesatarja e mëparshme. Gati 24,000 të mitur të pashoqëruar, ose gati 40% e shifrës totale, kanë ardhur nga Afganistani. Prej azilkërkuesve të mitur, shumica kanë qenë meshkuj, përkatësisht 89%. Numri më i lartë i aplikimeve për azil është regjistruar në Gjermani – gati 36,000 – pastaj në Itali, Austri dhe Britani.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mark Green emërohet në pozitën e shefit të USAID-it

Posted: 11 May 2017 02:36 AM PDT

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, emëroi ish-ambasadorin amerikan në Tanzani për të udhëhequr Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Shtëpia e Bardhë tha se Mark Andrew Green, ish-kongresist, është zgjedhur për pozitën. Green aktualisht shërben si president i Institutit Republikan Ndërkombëtar, një grup jofitimprurës i dedikuar për promovimin e demokracisë në mbarë botën. Green merr rolin e ri në kohën kur Trump ka propozuar shkurtimin e ndihmës për zhvillimin e huaj që kryesisht mbikëqyret nga USAID. Buxheti i Trumpit për vitin fiskal 2018 parasheh shkurtime fondesh për diplomacinë dhe ndihmën e huaj për gati një çerek, ndërsa përmban më shumë mjete për nevojat ushtarake.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE miraton liberalizimin e vizave për Ukrainën

Posted: 11 May 2017 02:16 AM PDT

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan sot liberalizimin e vizave për qytetarët e Ukrainës. Përfaqësues të Këshillit Evropian dhe të Parlamentit Evropian do të vulosin vendimin në Strasburg, më 17 maj. Ndërkaq, regjimi pa viza për Ukrainën do të hyjë në fuqi nga 11 qershori. Vendimi do të vlejë për të gjithë qytetarët ukrainas që kanë pasaporta biometrike. Ata do të mund të hyjnë pa viza në të gjitha shtetet e BE-së, përveç Irlandës dhe Britanisë, dhe do të mund të qëndrojnë deri në 90 ditë në një periudhë 180 ditëshe. Vendimi iu vlen edhe për katër shtete që nuk janë në zonën e lëvizjes së lirë Schengen: Norvegjia, Islanda, Lihtenshtajni dhe Zvicra.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dënohet blogeri rus që luajti Pokemon Go

Posted: 11 May 2017 01:28 AM PDT

Drejtësia ruse shpalli fajtor një bloger për nxitje të urrejtjes dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve fetarë, me anë të videove në YouTube. Gjykata në qytetin Urals e dënoi Ruslan Sokolovskyn me kusht për tre vjet e gjysmë. Sokolovsky, 22 vjeç, është arrestuar në shtator, pasi ka postuar online një video që e tregon atë duke luajtur lojën Pokemon Go në një kishë ortodokse ruse në Jekaterinburg. Videoja e Sokolovskyt në kanalin YouTube ka pasuar një paralajmërim në televizionin shtetëror rus që të mos bëhen përpjekje për të kaupr krijesat virtuale në lokacione fetare. Sokolovsky ka thënë se veprimet e tij "nuk kanë të bëjnë me dhunë" dhe se ai nuk është ekstremist.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, nis të enjten vizitën zyrtare në Kosovë

Posted: 11 May 2017 12:07 AM PDT

Presidenti Nishani do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me udhëheqës të tjerë të institucioneve si dhe të partive politike në vend. Ai do të pritet fillimisht me ceremoni shtetërore në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë. Presidenti NIshani, të premten, do të shpallet qytetar nderi në disa qytete të Kosovës. Vizita e Presidentit NIshani në Kosovë vie një ditë pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës dhe rënies së qeverisë së saj pas një mocioni mos-besimi, të nxitur nga partitë opozitare. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Khamenei, mesazh për sigurinë para zgjedhjeve në Iran

Posted: 10 May 2017 11:16 PM PDT

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për të prishur zgjedhjet presidenciale të 19 majit. Khamenei tha se ata që prishin sigurinë kombëtare të Iranit "do të marrin një shuplakë të fortë". Ai tha se nëse iranianët marrin pjesë në votim duke respektuar "parametrat ligjorë dhe islamikë", atëherë zgjedhjet do të jenë "burim nderi për Republikën Islamike".   Khamenei ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore në Iran. Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, i cili do të garojë për mandatin e dytë, do të përballet me dy rivalë konservatorë, përfshirë klerikun Ebrahim Raisi, i cili thuhet se ka mbështetjen e Khameneit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more