Skip to main content

INSAJDERI: “Nëndetësja amerikane arrin në Korenë e Jugut” plus 19 more

INSAJDERI: “Nëndetësja amerikane arrin në Korenë e Jugut” plus 19 more


Nëndetësja amerikane arrin në Korenë e Jugut

Posted: 25 Apr 2017 09:47 AM PDT

Një nëndetëse amerikane ka arritur në Korenë e Jugut, nga shqetësimi se Koreja e Veriut mund të kryejë një tjetër provë raketore ose bërthamore.

Nëndetësja USS Michigan, e pajisur po ashtu me raketa, do t'iu bashkohet disa luftanijeve që do të vijnë me transportuesin Carl Vinson.

Koreja e Veriut është duke festuar përvjetorin e 85-të themelimit të ushtrisë së saj me stërvitje në shkallë të gjerë, tha Koreja e Jugut.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur javëve të fundit.

Koreja e Veriut ka shpeshtuar provat e saj bërthamore dhe rakterore, ndërsa qëllim i saj është të ketë kapacitet për të vënë kokat bërthamore në raketa ndërkontinentale, të cilat mund të arrijnë caqe në gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara, njofton rel.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe ka rritur presionin mbi Phenjanin.

The post Nëndetësja amerikane arrin në Korenë e Jugut appeared first on INSAJDERI.

Nëse Reali e mbyll sezonin pa trofe, Zidane zëvendësohet nga Low

Posted: 25 Apr 2017 09:41 AM PDT

Humbja e Real Madrid ndaj Barcelonas në El Clasico ka dëmtuar nivelin e besueshmërisë së Zidane në "Bernabeu" dhe një sezon i përfunduar pa trofe mund t'i kushtonte punën francezit (siç ndodhi me Carlo Ancelotti pas një sezoni ku ai dështoi të fitonte një trofe madhor në 2015).

Ndeshjet e ardhshme ndaj Altetico Madrid në Champions League tashmë kanë një rëndësi më të madhe pas disfatës ndaj Barça-s që mund t'i kushtojë titullin Los Blancos.

Kualifikimi në finalen e Kardifit tashmë shihet si një objektiv imperativ nga drejtuesit e Real Madrid, shkruan Telesport.

Brenda klubit që tani kanë filluar spekulimet rreth kandidatëve të mundshëm, me trajnerin e përfaqësueses gjermane Joachim Low në 'pole position' megjithëse ka një kontratë deri në 2020 me "Die Mannschaft".

Trajneri i Chelsea Antonio Conte dhe argjentinasi Mauricio Pochettino janë emra të tjerë që janë përmendur për sa i përket një kalimi në kryeqytetin spanjoll.

The post Nëse Reali e mbyll sezonin pa trofe, Zidane zëvendësohet nga Low appeared first on INSAJDERI.

Lekaj reagon ndaj paralajmërimeve të OJQ-së serbe kundër Haradinajt

Posted: 25 Apr 2017 09:26 AM PDT

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se ekstradimi i Ramush Haradinajt në Serbi, nënkupton destabilizim të Kosovës dhe Ballkanit, duke shtuar se "kjo nuk është në favor të asnjë komuniteti".

Ai ka thënë se zërat serbë për ngritjen e kallëzimit penal kundër Daut Haradinajt "nuk janë asgjë më shumë se tendencë e dikujt për t'i kthyer në pikën zero të arriturat në procesin e integrimit të komunitetit në Kosovë"

Lekaj ka thënë se paralajmërimi i deputetit, Daut Haradinaj nuk ka qenë i drejtuar kundër asnjë komuniteti që jeton në Kosovë, por ka thënë se ai reagim ka qenë vetëm një paralajmërim se dikush po tenton të nxit diçka jo të mirë në Kosovë përmes rastit të ish-kryeministrit, kreut të AAK'së, Ramush Haradinaj.

Ditë më parë, një OJQ serbe në Kosovë ka thënë se do të ngrejë një padi kundër deputetit Daut Haradinaj për kërcënimin e tij të bërë kohë më parë, se serbët mund të dëboheshin nga Kosova, nëse vëllai i tij, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ekstradohet në Beograd.

E për këtë, Lekaj ka thënë se "intrigat e tipit të 'kallëzimit penal' siç paskan paralajmëruar disa 'përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti' kundër deputetit, Daut Haradinaj nuk janë asgjë më shumë se tendencë e dikujt për t’i rikthyer në pikën zero të arriturat në procesin e integrimit të këtij komuniteti në Kosovë', ka shkruar Lekaj, shkruan gazetaexpress.

"Ekstradimi ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj në Serbi, nënkupton destabilizim të Kosovës e Ballkanit – Kjo nuk është në favor të asnjë komuniteti. Paralajmërimi i deputetit, Daut Haradinaj nuk ka qenë i drejtuar kundër asnjë komuniteti që jeton në Kosovë. Ai reagim ka qenë vetëm një paralajmërim se dikush po tenton me nxit diçka jo të mirë në Kosovë, përmes rastit të ish-Kryeministrit, Ramush Haradinaj në Francë", ka thwnw ai.

"Qytetarët serb të Kosovës nuk duhet të lejojnë të bijën pre e lojërave të Serbisë, e të përdoren për qëllime të Beogradit zyrtarë.  Askush me shumë se Ramushi nuk është angazhuar që të integrohen komunitetet në jetën institucionale të Kosovës"./Insajderi.com

The post Lekaj reagon ndaj paralajmërimeve të OJQ-së serbe kundër Haradinajt appeared first on INSAJDERI.

Kryeministri nuk tregon për dështimin në Bruksel

Posted: 25 Apr 2017 09:24 AM PDT

Në takimin e sotëm në mes të kryeministrit dhe komisonerit për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulous, është diskutuar propozimi i Mustafës që Kosovës t’i heqen vizat pa e miratuar demarkacionin.

Mirëpo, komunikata e Qeverisë nuk tregon se propozimi i kryeministrit për BE-në për liberalizimin e vizave; pezullimi i ratifikimit të demarkacionit, nuk ka kaluar.

Gjatë këtij takimi, njofton komunikata e Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa dhe komisioneri Avramopoulos diskutuan gjerësisht të arriturat e deritashme dhe hapat e fundit që duhet të ndërmerren nga Kosova në procesin e liberalizimit të vizave.

“Komisioneri Avramopoulos, nga pozita që ai mbulon, vlerësoi lartë progresin e arritur nga Qeveria e Kosovës duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftim.

Komunikata e Qeverisë tregon se komisioneri Avramopoulos shprehu përkrahjen e tij dhe të Komisionit Evropian në këtë proces, për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe gatishmërinë që të ndihmoj këto institucione në procesin e demarkacionit.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Isa Mustafa do të zhvilloj takim me Presidentin e Partive Popullore Evropiane, për të kërkuar përkrahjen e tyre në Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian dhe në Komisionin Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe avancimin e proceseve të tjera eurointegruese të Kosovës. /Insajderi.com

The post Kryeministri nuk tregon për dështimin në Bruksel appeared first on INSAJDERI.

Rusia dhe Serbia konfirmojnë zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak

Posted: 25 Apr 2017 09:19 AM PDT

Rusia dhe Serbia konfirmuan interesin e përbashkët për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake, tha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, pas takimit në Moskë me homologun serb, Zoran Gjorgjeviq.

Shoigu tha se Moska e sheh Beogradin si partner të besueshëm, i cili mbron parimet themelore të sigurisë ndërkombëtare.

"Për fat të keq, bota nuk po bëhet vend më i qetë dhe më i qëndrueshëm. Ngjarjet në dekadën e fundit, që lidhen me revolucione shumëngjyrëshe, pushtime të ndryshme dhe përmbysje me dhunë të udhëheqësve të shtetit, nuk sjellin asgjë të mirë", tha Shoigu.

Ai po ashtu tha se fitorja e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet presidenciale në Serbi e forcon besimin e Rusisë në marrëdhëniet e fuqishme midis dy vendeve.(rel)

 

 

The post Rusia dhe Serbia konfirmojnë zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak appeared first on INSAJDERI.

Haziri thotë se Mustafa po punon derisa Veseli po bënë ture dëgjimi

Posted: 25 Apr 2017 08:57 AM PDT

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se partitë e koalicionit qeverisës kanë zbatuar pikat për të cilat janë dakorduar kur kanë nënshkruar koalicionin dhe se deri më tani nuk ka pasur ndonjë parim që i ka dalluar apo krijuar problem.

Sipas tij, marrëveshje e demarkacionit e cila nuk po mundet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë në programin qeverisës të këtyre dy partive porse është paraqitur si problem më vonë.

Por,  duke folur në një intervistë për RTK-në, Haziri ka thënë se është e domosdoshme "komunikimi mes partnerëve të rishikohet."

Haziri ka insistuar se Kuvendi i Kosovës "mund të përballet" me çështje si demarkacioni dhe se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje sa herë lindin probleme apo ngërçe politike.

I pyetur lidhur me një deklaratë të deputetit të PDK-së, Rexhep Hoti, se vendi pashmangshëm duhet të shkojë në zgjedhje, Haziri ka thënë se LDK nuk do të marrë ndonjë veprim të njëanshëm për këtë çështje dhe në një mënyrë ka lënë të nënkuptohet se një gjë të tillë është duke e bërë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

"Kryetari i Kuvendit, pas konventës së partisë së tij e ka të programuar një fushatë partiake për dallim prej LDK. Kryetari i LDK-së është i  fokusuar në punë të qeverisë, përveç pjesëmarrjes së tij në përvjetore. Nuk ka asnjë lloj angazhimi tjetër qoftë dëgjime a ture politike, vizita partiake, a gjithçka tjetër që lidhet me një tendencë të për të bërë fushatë", ka thënë Haziri./Insajderi.com

 

The post Haziri thotë se Mustafa po punon derisa Veseli po bënë ture dëgjimi appeared first on INSAJDERI.

Historia e lindjes së Netflix në pesë fakte

Posted: 25 Apr 2017 08:52 AM PDT

Kanali i filmave dhe serive televizive ka lindur nga ideja e inxhinierit amerikan, Reed Hastings, i cili në vitin 1997 vendosi të krijojë një shërbim të dhënies me qira të DVD-ve dhe videolojërave për në shtëpi: me më pak se 6 dollarë, mund të merrje me qira artikuj në internet, pa probleme ndëshkimi për kthimet e vonuara.

Ideja i erdhi, pasi kishte paguar një gjobë 40 dollarë për kthimin jashtë afati të një DVD-je.

Në vitin 2008 erdhi momenti i kthesës: përveç marrjes me qira, vjen aftësia për të parë video me një abonim mujor streaming.

Në vitin 2011, Netflix nisi të prodhojë seri të suksesshme televizive, të tilla si "House of Cards" dhe Narcos".

The post Historia e lindjes së Netflix në pesë fakte appeared first on INSAJDERI.

Joshua befason ish-trajnerin me një makinë luksoze [video]

Posted: 25 Apr 2017 08:46 AM PDT

Boksieri britanik Anthony Joshua i ka bërë dhuratë një makinë luksoze ish-trajnerit të tij, Sean Murphy.

Britaniku, 26-vjeçar, i cili të shtunën do të ballafaqohet me ish-kampionin e botës Vladimir Klitschko, ka thënë se i detyrohet shumë ish-trajnerit të tij, Murphy.

Sipas Joshuas, ishte trajneri Sean Murphy ai i cili e njohu me boksin kampionin e boksit britanik, raporton BBC.

Makina që Joshua ia bëri dhuratë ish-trajnerit është e tipit BMW.

Joshua e ka paralajmëruar Murphyn që makina ka një kontratë e cila e privon atë nga e drejta për ta shitur në gjashtë javët e para. /Insajderi.com

Joshua befason ish-trajnerin me një makinë luksoze

The post Joshua befason ish-trajnerin me një makinë luksoze [video] appeared first on INSAJDERI.

Organizatat serbe që duan ndëshkimin e Haradinajt për deklaratën kontraverse

Posted: 25 Apr 2017 08:38 AM PDT

Përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb thonë se kanë ngritur kallëzim penal pranë Gjykatës Themelore në Pejë, kundër deputetit Daut Haradinaj, për shkak të një deklarate që ai kishte bërë gjatë një interviste në RTV Dukagjini.

Në këtë intervistë, Haradinaj ka folur lidhur me mundësinë e ekstradimit në Serbi nga autoritetet franceze, të vëllait të tij, liderit të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinajt.

"Në rast se gabojnë të bëjnë këso veprimesh, atëherë, ata le të bëhen gati për tema më serioze. Nëse duan Kosovën etnikisht të pastër, pa serb, le të bëjnë hajgare me Ramushin", kishte deklaruar, Daut Haradinaj.

Edhe pse ditë më vonë sqaroi se nuk kishte nënkuptuar me "pastrim etnik" të Kosovës nga serbët, organizatat serbe duan ndëshkimin e tij.

Lidhur më këtë deklaratë, Nenad Maksimoviq, drejtor i Qendrës për paqe dhe tolerancë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe se Daut Haradinaj jo vetëm që ka nxitur frikë dhe shqetësim te komuniteti serb, por një deklaratë e tillë paraqet vepër penale.

"Nismës së Qendrës për paqe dhe tolerancë për kallëzim penal ndaj Daut Haradinajt i janë bashkuar disa organizata të shoqërisë civile si dhe individë. Kurse qëndrimi ynë i përbashkët është që për shkak të rrethanave specifike këtë lëndë do të mund ta trajtoj vetëm Gjykata Speciale e Kosovës", ka deklaruar ndër tjera, Maksimoviq.

Reagimi i Daut Haradinajt, kishte pasuar ndalimin e vëllait të tij, ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin pretendohet se ai kishte kryer krime lufte.

Pas disa seancave të zhvilluara, pritet që gjykata në Colmar, më 27 prill, të marrë vendimin për Ramush Haradinajn, ku përmenden si dy mundësi, ajo e lirimit të tij apo ekstradimi në Serbi, siç ka kërkuar Beogradi./Insajderi.com

The post Organizatat serbe që duan ndëshkimin e Haradinajt për deklaratën kontraverse appeared first on INSAJDERI.

Bale humbet gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve

Posted: 25 Apr 2017 08:37 AM PDT

Pas humbjes në "El Classico", çka hapi garën për titull në La Liga, Real Madridi ka marrë sot një lajm tjetër të hidhur. Bëhet fjalë për përgjigjet përfundimtare të ekzaminimeve mjekësore të dëmtimit të Gareth Bale, të cilit do t'i duhet të qëndrojë rreth 1 muaj jashtë fushave të blerta, për t'u riaftësuar.

Anësori uellsian, siç njoftojnë mediat iberike, ka nevojë për tri, ose katër javë pushim, që të kalojë lëndimin, të cilin e pësoi në ndeshjen e fundit, kundër Barcelonës. Kjo do të thotë se njëri nga yjet e Real Madridit, të cilin Zidane nxitoi ta aktivizonte në klasiken e së dielës, në "Bernabeu", pasi vinte nga një tjetër lëndim, do t'i humbasë të dyja gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, që "Los Blancos" do t'i luajnë kundër rivalëve të të njëjtit qytet, Atletico Madrid.

Në "El Classico" e fundit, uellsiani e nisi titullar kundër Barcelonës, por duhej të dilte i dëmtuar nga fusha në minutën e 35-të, kur në vend të tij hyri Asensio. Me këtë diagnozë, Gareth Bale do të humbasë ndeshjet e La Liga-s kundër Deportivo, Valencia dhe Granada, plus dy ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndaj Atletico Madrid.

Në qoftë se rimëkëmbja e tij shkon sipas planit, lojtari në fjalë do të arrijë të luajë në dy ndeshjet e fundit të kampionatit spanjoll (ndaj Sevilla dhe Malaga), si dhe sfidën e shtyrë me Celta. Po ashtu, ai mund të ketë fatin të jetë pjesë e një finaleje hipotetike të Ligës së Kampionëve, nëse Real Madrid eliminon "robijancos" e Diego Simeones në gjysmëfinale të kompeticionit më të rëndësishëm për klubet në Europë.

The post Bale humbet gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve appeared first on INSAJDERI.

Veton Surroi krahason flamurin e Kosovës me “peshqirët e hoteleve në Turqi”

Posted: 25 Apr 2017 08:24 AM PDT

Në një reagim ndaj ligjit që po përgatitet me qëllim sanksionimin penal ndaj kujtdo që fyen apo përbuzë simbolet e shtetit, publicisti Veton Surroi ka fyer flamurin e Kosovës, të cilin e ka krahasuar me “peshqirët e hoteleve turke”.

Surroi ka deklaruar se kodi i ri penal që Ministria po e përgatit ndaj atyre që e fyejnë dhe përbuzin simbolet shtetërore, është tentim për të vënë në dispozicion “deliktin verbal”.

“Ministria e Drejtësisë përgatitka një kod të ri penal me të cilin sërish mund ta rikthejë deliktin verbal. Në ish Jugosllavi ishte neni famëkeq 133 , e Ministria e Drejtësisë e paska bërë 134. Në të , në pikën c shkruhet kështu:

Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara:

1.1. fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose

1.2. fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë”, ka shkruar Surroi në Facebook.

Derisa ka kundërshtuar korrektësinë e këtij norme juridike, Surroi ka thënë se flamuri i Kosovës më shumë i ngjan një peshqiri të hoteleve turke, raporton Insajderi.

 

 

“Sa për informim paraprak të Ministrisë së Drejtësisë, konsideroj dhe kam shkruar se flamuri i Kosovës më shumë i ka hije një peshqiri të hoteleve turke (me gjashtë yje) se sa përfaqësimit të këtij vendi. Të njëjtën gjë jam i gatshëm ta përsëris edhe nëse aprovohet ky ligj. Si do ta vlerësonte gjykatësi këtë deklarim të hapur timin”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com

The post Veton Surroi krahason flamurin e Kosovës me “peshqirët e hoteleve në Turqi” appeared first on INSAJDERI.

Tajlandezi vret vajzën e tij ‘live’ në Facebook

Posted: 25 Apr 2017 08:05 AM PDT

Një burrë tajlandez e filmoi veten duke vrarë vajzën e tij të vogël drejtpërdrejt në rrjetin social Facebook, përpara se të vriste edhe vetën e tij, ka njoftuar policia tajlandeze.

21-vjeçari e ka varur vajzën e tij dhe pastaj vetën, në një hotel të braktisur në Phuket të Tajlandës hënën, raporton BBC.

Facebook i dërgoi ngushëllime familjes për incidentin të cilin e quajti të “tmerrshëm” dhe tha se videoja tani ishte hequr nga rrjeti social.

Pamjet e vrasjes në Tailandë ishin gjithashtu të disponueshme në YouTube, por kompania e internetit e largojë atë pasi BBC e njoftoi për këtë video. /Insajderi.com

The post Tajlandezi vret vajzën e tij ‘live’ në Facebook appeared first on INSAJDERI.

Ligji për FSK-në shqyrtohet në komision parlamentar, Presidenti vendos nëse do ta tërheqë

Posted: 25 Apr 2017 07:19 AM PDT

Projektligji për FSK-në do të procedohet në Kuvend, pavarësisht shmangieve ligjore që Kryesia bëri kur atë ia dërgoi Komisionit Parlamentar.

Kreu i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Kryesia vetëm e ka dërguar Projektligjin në Komision, pa sqaruar se çka duhet të bëhet me të.

Ai ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit që të marrin një vendim për këtë çështje, e që u vendos që ai të shqyrtohet nga ky komision. Haradinaj i ka rikujtuar presidentit Thaçi që mund të tërheqë projektligjin pas leximit të parë.

Deputeti i “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi, tha se Presidenti nuk ishte i sinqertë me kërkesën e tij, dhe ka kërkuar që projektligji të mos ndalet nga Komisioni, por për këtë të vendosin vetë deputetët e Kuvendit.

Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe deputeti i PDK-së, Fatmir Shurdhaj.

Komisioni do të mblidhet brenda afatit ligjor për të shqyrtuar atë.

Kujtojmë se këtë formë të shndërrimit të FSK-së në ushtri, të cilën e kishte propozuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kanë kundërshtuar SHBA-ja dhe NATO. (ktv)

 

The post Ligji për FSK-në shqyrtohet në komision parlamentar, Presidenti vendos nëse do ta tërheqë appeared first on INSAJDERI.

Eurodeputeti Adaktusson: Këto tre shtete janë gati të shtrijnë ndikimin në Kosovë

Posted: 25 Apr 2017 07:18 AM PDT

Deputeti i Parlamentit Evropian, suedezi Lars Adaktusson i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të integrojë Kosovën në “gjirin e saj”, para se shtete si Arabia Saudite, Turqia dhe Rusia të shtrijnë ndikimin në këtë shtet.

Përmes një opinioni të publikuar sot në mediumin suedez Europaportalen.se, Adaktusson, i cili vizitoi Kosovën javën e kaluar, deklaroi se korrupsioni është problemi më serioz i shtetit të Kosovës.

Deputeti i Partisë Popullore Evropiane (EPP) shprehu rëndësinë që Kosova të integrohet në BE, për shkak të ndikimeve që mund të vijnë nga Lindja.

“Si zëdhënës i EPP-së për çështjet që kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës në BE, javën e kaluar kam bërë një vizitë në kryeqytet, në Prishtinë. Zhvillimet gjeopolitike në Kosovë, si dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, janë çështje vërtetë kyçe. Nëse BE-ja nuk arrin që të lidhë edhe këtë pjesë të Evropës, atëherë forca të tjera politike janë të gatshëm të ‘ndihmojnë’ dhe kështu të forcojnë ndikimin e tyre në rajon”, ka thënë Adaktusson.

“Bëhet fjalë për Turqinë dhe Rusinë, por edhe Arabinë Saudite”, ka deklaruar eurodeputeti.

Më tej në opinionin e tij, Adaktusson tregon arsyet përse ndikimi nga shtetet e Lindjes është i mundshëm të mbërrijë në Kosovë.

“Me një shumicë myslimane, Kosova është veçanërisht e ekspozuar ndaj interesave që duan të forcojnë ndikimin e Islamit në Evropë”, ka shrkuar eurodeputeti Adaktsson. /Insajderi.com

The post Eurodeputeti Adaktusson: Këto tre shtete janë gati të shtrijnë ndikimin në Kosovë appeared first on INSAJDERI.

Asociacioni ndikon në përkeqësimin e raporteve ndëretnike

Posted: 25 Apr 2017 06:48 AM PDT

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund t'i përkeqësoj tutje raportet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, thuhet në rezultatet e një sondazhi të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Në këtë sondazh, KDI ka adresuar çështjet kryesore dhe më të debatuara në Kosovë që ndërlidhen me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aty përmendet shtrirja e sistemit të drejtësisë në tërë territorin e vendit, shpërbërja e strukturave paralele serbe, shtrirja e sovranitetit të institucioneve të Kosovës në tërë territorin e vendit si dhe ndikimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në marrëdhënien ndëretnike.

Me këtë rast Jeta Krasniqi nga KDI, duke u thirrur në të gjeturat e këtij sondazhi ka thënë se pjesa më e madhe e qytetarëve, përkatësisht 46 për qind e të anketuarve, vlerësojnë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike.

"Gjysma e qytetarëve të Kosovës, përkatësisht 51 për qind, vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka ndikuar që Kosova të shtrijë sovranitetin e saj në veri të vendit. Janë vetëm 4 për qind e qytetarëve që vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi ka pasur ndikim në këtë aspekt", ka thënë ajo.

KDI vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të garantojë një qasje gjithpërfshirëse dhe një transparencë të plotë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke shtjelluar në detaje kompetencat e këtij mekanizmi, dhe duke garantuar një debat të mirëfilltë shoqëror rreth efekteve të tij.

Rezultatet e sotme, ishin të tretat me radhë që KDI ka prezantuar në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.(rel)

=

The post Asociacioni ndikon në përkeqësimin e raporteve ndëretnike appeared first on INSAJDERI.

Eurodeputeti – kryeministrit Mustafa: Mos u shfajëso por godite korrupsionin

Posted: 25 Apr 2017 06:33 AM PDT

Kosova duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin e përhapur, në mënyrë që të jetë në gjendje të bashkohet me Bashkimin Evropian, ka thënë eurodeputeti Lars Adaktusson.

Deputeti suedez i Parlamentit Evropian, Lars Adaktusson, përmes një opinioni të publikuar në mediumin suedez Europaportalen.se, ka thënë se vlerësimi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, se Kosova ka luftuar mjaftueshëm korrupsionin për t'u inkuadruar në BE, nuk qëndron.

Në opinionin e tij, Adaktusson paraqet një shembull se si korrupsioni po e dëmton Kosovën.

Eurodeputeti nga Suedia shkruan për një student të Universitetit të Prishtinës, me emrin Liridon Haziri, i cili në një intervistë me “Prishtina Insight” kishte thënë se vendosi të largohej nga Kosova për në Gjermani në momentin kur atij iu kishin mohuar studime të mëtutjeshme për shkak se nuk kishte lidhje politike.

“Intervista e këtij studenti të vlerësuar që vendosi të largohet nga vendi është një histori e shumë prej efekteve të korrupsionit në Kosovë. Shteti i vogël, është në nevojë urgjente për të gjitha përpjekjet e qytetarëve të saj”, ka shkruar Adaktsson.

Sipas Adaktusson, Kosovës i duhen politikanë që nuk mundohen të mbulojnë gabimet e tyre, por që përballen seriozisht me korrupsionin, raporton Insajderi.

"Disa ditë pas publikimit të intervistës me studentin e universitetit [Universitetit të Prishtinës v.j], Liridon Haziri, foli Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai foli për korrupsionin në vend, theksoi se qeveria e tij kishte bërë atë që kërkohej përsa i përket integrimit dhe potencoi se Kosova kështu plotësoi kriteret e BE-së për liberalizimin e vizave", deklaroi Adaktusson.

"Pas një numri të madh të takimeve me përfaqësuesit kryesorë politikë dhe organizatat e shoqërisë civile, mund të them se vlerësimi i kryeministrit nuk përputhet me BE-në. Për vendin e tij dhe për të mirën e popullit të tij, është koha që vendimmarrësit e Kosovës të ndalojnë shfajësimet dhe të përballen seriozisht me goditjen e korrupsionit", ka shkruar eurodeputeti suedez.

Adaktusson ka shkruar edhe për rëndësinë që ka për Bashkimin Evropian integrimi i Kosovës në aleancë, për shkak të ndikimit të vendeve nga Lindja, siç janë Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia. /Insajderi.com

 

The post Eurodeputeti – kryeministrit Mustafa: Mos u shfajëso por godite korrupsionin appeared first on INSAJDERI.

Themeluesi i Wikipedia lanson “Wikitribune” për të luftuar lajmet e rreme

Posted: 25 Apr 2017 06:29 AM PDT

Jimmy Wales, themeluesi i Wikipedia, do të lançojë një shërbim të ri për të luftuar lajmet e rreme. Wikitribune është një nismë e cila do të nxisë gazetarët profesionistë dhe kontributorët nga komuniteti për të prodhuar lajme të sigurta.

Sajti do të jetë i lirë për përdorim nga të gjithë dhe do të mbështetet nga donatorë mujorë të cilët mund të sugjerojnë tema. Sajti do të publikojë transkriptet e plota të intervistave kudo që të jenë të mundura në mënyrë që të jenë sa më transparent.

"Wikitribune është lajm nga njerëzit dhe për njerëzit," shprehej Wales. Kjo do të ishte hera e parë që gazetarë profesionistë do të bashkohen për të krijuar, edituar dhe zhvilluar lajmet të cilat verifikohen nga komuniteti.

Muajt e fundit mediat sociale si Facebook dhe sajtet e rëndësishme si Google janë kritikuar ashpër për përhapjen e lajmeve të rreme në platformat e tyre respektive. Të dy kompanitë kanë premtuar masa të cilat do të përmirësonin situatën.

Wikitribune është një koncept i cili nxit lajme të verifikuara dhe sugjeruar nga komuniteti, ngjashëm me komunitetet Wiki të cilat kontribojnë në Wikipedia.

The post Themeluesi i Wikipedia lanson “Wikitribune” për të luftuar lajmet e rreme appeared first on INSAJDERI.

Dështon kërkesa e Mustafës që Brukseli ta heqë kushtin e demarkacionit

Posted: 25 Apr 2017 06:21 AM PDT

Kryeministri Isa Mustafa nuk ia ka dalë ta bind Komisionarin për Punë të Brendshme të BE-së Dimitris Avramopulos që të suspendohet kriteri i demarkacionit për vizat. Në vend të kësaj, Avramopoulos i ka kërkuar Mustafës që demarkacioni të nxirret në Kuvend për tu votuar.

Avramopoulos përgëzoi përparimin e bërë nga qeveria e Kosovës deri më tani, duke përfshirë edhe shënimet e rasteve të nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Të dy palët u pajtuan që ky progres duhet të jetë i qëndrueshëm dhe në veçanti që numri i dënimeve aktuale të rritet.

"Komisioneri Avramopoulos ka njohur përpjekjet e Kosovës për të ratifikuar marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe e ka inkurajuar kryeministrin Mustafa dhe qeverinë e tij dhe të gjitha partitë politike që ta procedojnë sa më shpejtë atë për votim në Kuvend", thuhet në një kumtesë të përbashkët të komisionerit të BE-së dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

The post Dështon kërkesa e Mustafës që Brukseli ta heqë kushtin e demarkacionit appeared first on INSAJDERI.

Legjendat që kanë shënuar 500 gola me të njëjtin klub

Posted: 25 Apr 2017 06:19 AM PDT

Me golin e shënuar në sekondat e fundit në "El Clasicon" e fundjavës, Lionel Messi i dha tre pikë Barcelonës, rihapi garën për La Ligan dhe arriti kuotën e 500 golave me fanelën e katalanasve.

Shifra është një rekord më vete, por nuk është unikale dhe Messi u është bashkuar gjashtë lojtarëve të tjerë që kanë arritur të shënojnë 500 gola me të njëjtën fanelë.

Njëri prej tyre është Uwe Seeler. Ish-sulmuesi i Gjermanisë Perëndimore shënoi 507 gola për të njëjtën skuadër, Hamburgun e tij në dy dekada.

Jimmy McGrory. Konsiderohet si një prej lojtarëve më të mëdhenj të Celtic dhe jo më kot. Ai ka luajtur në vitet 1920. Mban ende rekordin e golashënuesit më të mirë britanik dhe lojtari që ka shënuar më shumë tregolësha në një ndeshje. Në total ka shënuar 522 gola për Celtic.

Josef Bican. Ka luajtur në të njëjtën epokë me McGrory. Ka ndryshuar disa klube pas luftës, por shkëlqimin do ta gjente në 11 sezone tek Slavia e Pragës, duke shënuar 534 gola. Në arenën ndërkombëtare është aktivizuar edhe me Austrinë dhe me Çekosllovakinë e asaj periudhe.

Fernando Peyroteo. Vitet 1930 prodhuan një sërë golashënuesish të mëdhenj dhe mes tyre ishte edhe portugezi në fjalë. I lindur në koloninë e Angolas në atë kohë, Peyroteo luajti për 12 sezone tek Sportingu i Lizbonës duke shënuar 544 gola, me një mesatare dy gola për ndeshje.

Gerd Muller. "Der Bomber" thjeshtë e dashuronte golin. Ishte i pandalshëm para portës dhe në gjithë karrierën e tij tek Bajerni i Mynihut arriti që të shënonte 566 gola.

Pele. Legjendari brazilian nuk luajti asnjëherë në Europë, por kjo nuk e pengoi që për Santosin e tij të shkëlqente gjithmonë duke shënuar 643 gola.

The post Legjendat që kanë shënuar 500 gola me të njëjtin klub appeared first on INSAJDERI.

Trupave zvicrane në Kosovë u zgjatet mandati deri në vitin 2022

Posted: 25 Apr 2017 06:15 AM PDT

Pas Dhomës së kantoneve, edhe Komisioni për Politikë të Sigurisë në kuadrin e Dhomës Nacionale të Parlamentit ka kërkuar zgjatjen e mandatit të Swisscoy-t në Kosovë deri në fund të vitit 2020.

Kësaj here komisioni ka votuar me një shumicë të ngushtë në favor të vazhdimit, gjegjësisht 13 pro dhe 11 kundër.

Me po këtë raport votash, komisioni ka hedhur poshtë kërkesën që çështja t`i kthehet qeverisë me synimin që ajo ta shpallë të përmbyllur misionin përfundimisht në fund të vitit 2020.

Sipas shumicës në komision, përmbyllja përfundimtare e misionit do të ishte ende  e hershme kur dihet se situata në Kosovë është ende jostabile, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa sipas deputetëve të mbetur në pakicë, gjendja në Kosovë pothuaj 20 vjet pas luftës tashmë është stabililzuar në masë të mirë. Anëtarë të tjerë të komisionit ndërkaq duan që Kosova të ndihmohet ndryshe, në aspektin civil e jo ushtarak.

Siç dihet, që nga përfundimi i luftës, gjegjësisht nga viti 1999, armata e Zvicrës është në mbështetje të trupave ushtarake ndërkombëtare KFOR-it, të stacionuara në Kosovë.

Këshilli Federal planifikon redukstimin e trupave zvicerane në Kosovë, por ky reduktim do të rrjedhë në mënyrë graduale, transmeton albinfo.ch. Nga 235 ushtarë sa janë tash, në përfundim të misionit numri i tyre do të bjerë në 165. Raundi i dytë i votimit që do të përcaktojë presidentin në Francë do të mbahet me 7 maj./Insajderi.com

The post Trupave zvicrane në Kosovë u zgjatet mandati deri në vitin 2022 appeared first on INSAJDERI.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more