Skip to main content

“Zbret të pastrojë gurët në rrugë, aksidentohet për vdekje nga makina e tij” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Zbret të pastrojë gurët në rrugë, aksidentohet për vdekje nga makina e tij” plus 9 more Gazeta SHQIP


Zbret të pastrojë gurët në rrugë, aksidentohet për vdekje nga makina e tij

Posted: 22 Jan 2017 02:07 AM PST

Një 39-vjeçar ka gjetur vdekjen në mënyrë aksidentale në Krujë. Ngjarja ka ndodhur në orën 22:30, të mbrëmjes së djeshme në lagjen Nr. 4, Krujë.

Burime nga policia bëjnë me dije se shtetasi A. S. 39 vjeç, banues në Krujë, duke parkuar mjetin tip "Benz" kamioçinë me targa DR 4621 E, ka hasur pengesë në disa gurë dhe ka zbritur për ti larguar.

Në  këtë kohë mjeti ka lëvizur mbrapsht, ku aksidentalisht ka goditur shtetasin e mësipërm me pasojë vdekje. Materialet i kaluan Prokurorisë Krujë për vlerësim.

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Mat, humb kontrollin e automjetit, aksidenton 17-vjeçaren

Posted: 22 Jan 2017 01:40 AM PST

Një aksident me pasojë plagosjen e një këmbësori ka ndodhur paraditen e sotme në Mat, policia ka arrestuar shoferin. Në pranga ka rënë shtetasi  Ardit Xhakrosa, 20 vjeç,  banues në njësinë Administrative Rukaj, Mat.

Arrestimi i tij  u bë pasi në aksin rrugor ‘Kryqëzimi i Spitalit’  të qytetit të Burrelit, duke drejtuar automjetin tip “Mercedez Benz”,  ka humbur kontrollin mbi automjet  duke aksidentuar shtetasen A.K, 17 vjeçe, e cila në momentin që është përplasur nga automjeti ka qenë duke kaluar në anën tjetër të rrugës.

17-vjeçarja është transportuar  për ndihmë më të specializuar në spitalin e Traumës Tiranë dhe ndodhet  jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Mat,  për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” .

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Austri, asnjë provë ndaj shqiptarit të arrestuar për terrorizëm

Posted: 22 Jan 2017 01:27 AM PST

Të premten, autoritetet austriake lajmëruan arrestimin e një 18-vjeçari me origjinë shqiptare dhe thanë se kishin shmangur një sulm terrorist në Vjenë. Por një ditë më pas, ndërsa situata është qartësuar disi, duket se mungojnë faktet bindëse kundër të arrestuarit.

Shtypi austriak shkruan se i dyshuari, me nënshtetësi austriake dhe origjinë shqiptare, i identifikuar si Lorenc K., u mor në pyetje gjatë gjithë natës nga hetuesit, të cilët nuk kanë folur në detaje për atë që kanë zbuluar.

Mësohet se babai i të dyshuarit jeton gjithashtu në Austri, por duket se nuk kishte dijeni për planet e mundshme të të birit. Megjithatë, theksohet se është ende e paqartë sa i rrezikshëm, apo i padëmshëm është 18-vjeçari.

Disa avokatë të famshëm në Austri janë të gatshëm të marrin përsipër mbrojtjen e tij dhe kjo konsiderohet si një shenjë se provat dërrmuese kundër tij mungojnë, të paktën deri tani.

Në orët e para pas arrestimit të tij, policia austriake tha se veproi bazuar në informacionet e një shërbimi të huaj inteligjent dhe pasi përgjoi të dyshuarin për disa ditë vendosi ta arrestonte.

Por pas kontrollit të një apartamenti ku ai kishte qëndruar nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes apo armë e ndonjë lloji tjetër. Hetuesit thanë se kanë gjetur disa telefona celularë të cilët po kontrollohen.

I riu me nënshtetësi austriake e banues në Neunkirchen, u arrestua të premten në rrugën "Cobra". Arrestimi u pasua me dhjetëra kërkime në Vjenë dhe në zona të tjera për miq apo bashkëpunëtorë të mundshëm.

Policia austriake ka marrë në pyetje edhe babanë e tij, gjithashtu rezident në Austri, i cili ka mohuar që i biri të jetë përfshirë në ndonjë aktivitet të jashtëligjshëm. Mediat austriake thonë se i riu është i biri i dy prindërve nga Tirana dhe banues në Neunkirchen.

Ai është akuzua më herët për vjedhje dhe sulm. Dyshohet se gjatë qëndrimit në burg është takuar me myslimanë radikalë, si Mirsad O., predikues i rrezikshëm në Austri. Megjithatë, deri më tani nuk ka prova bindëse për të.

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Përleshje mes 6 personave në Dibër, plagosen 2 persona

Posted: 22 Jan 2017 01:21 AM PST

Policia e Dibrës ka ndërhyrë në kohë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti fizik mes dy të rinjve, ku më pas u përfshinë edhe familjarët e tyre. Më datën 21.01.2017, në një lokal në qendër të njësisë Administrative Sllovë Dibër, shtetasit V.B dhe E.Ç, pasi kanë konsumuar alkool me njëri-tjetrin, kanë nisur të konfliktohen fizikisht mes tyre. Pasi janë larguar nga lokali dhe janë nisur për në drejtim të fshatit Trojak janë konfliktuar përsëri fizikisht me njëri- tjetrin dhe të dy kanë njoftuar familjarët e tyre. Në konflikt janë përfshirë dy vëllezërit e shtetasit V.B, si dhe babai e vëllai i shtetasit E.Ç.

Gjatë konfliktit fizik shtetasi M. Çera 59 vjeç, babai i shtetasit E.Ç, ka plagosur me thikë shtetasin B.B, 26 vjeç, vëllain e shtetasit V.B.

Gjithashtu si pasojë e konfliktit fizik, është dëmtuar me sende të forta njëri nga protagonistët e konfliktit shtetasi E.Ç, 29 vjeç, i cili është dëmtuar nga shtetasi H.B, 24 vjeç, vëllai i protagonistit tjetër të konfliktit, shtetasit V.B, 27 vjeç.

Policia me të marrë njoftim ka ndërhyrë në kohë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti, ku dhe ka bërë shoqërimin e palëve në ambientet e Komisariatit të Policisë Dibër.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale të "Plagosjes së lehtë me dashje", për shtetasin M. Çera, 59 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Trojak, Dibër.

Gjithashtu u referuan materialet në gjendje të lirë për veprën penale "Dëmtime të tjera me dashje", për shtetasin H. B, 24 vjeç, lindur e banues në fshatin Trojak, Dibër. Në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

 

 

 

KËNDELLJA FOLKLORIKE E SHQIPTARËVE

Posted: 22 Jan 2017 01:15 AM PST

Petrit Kuçana

U këndellën edhe njëherë shqiptarët në këtë fillim viti, krejt si i dehuri që u gjend para tre fakteve (gati) të pabesueshme dhe këtë këndellje s'mund ta bënte askush më mirë se Beogradi. Nëse muri në Mitrovicë u "end" ditën e natën muri dhe u prit ndonjë deklaratë nga Brukseli apo ndërkombëtarët, arrestimi i Haredinajt i shkundi shqiptarët, edhe ata që besonin se Serbia tashmë ishte evropianizuar dhe ishte partnere e paqes dhe se dialogu Prishtine-Beograd kishte  bërë mrekullinë e madhe. Mbase ka qenë tronditës ai treni i famshëm  "Kosova është Serbi" made in Rusia, i kuruar deri në detaj, që shkoqiti ca të vërteta t mëdha të fshehura nën petkun e përgjumjes shqiptare.

Në të vërtete deklaratat për luftë të Beogradit, ndotën edhe kostumet e mirëmbajtura prej kaq vitesh të kozmopolitëve të Prishtinës e Tiranës, që u gjenden krejt gafil në këtë situatë dhe mbase u duhet pak kohë për të fshirë avujt e marrëdhënieve "asnjëherë më të mira shqiptaro- serbe" në syzet e tyre.  Zhvillimet e fundit duket sikur përkojnë qartas me një shabllon të tipit "s'keni parë gjë akoma" që nis me "paralajmërimin e fundit" të Beogradit, që na qenkërka provokuar rëndë.

Treni nuk u fut në Mitrovicë dhe kaq mjaftoi që të thyheshin statuset e rrjeteve sociale, me foto e video nga më të paparat, e madje majde deri tek këngë e ahengje që i marrin të keqen çdo folkloristi. Me tone të papara lavdërohen politikanë e pushtetarë, nga Prishtina në Tiranë, e për të vijuar me luftën nëpër deklarata se kush foli më bukur, se kush ia përplasi në fytyrë serbëve më bukur.

Një këndellje tipike turbofolk shqiptare ndërkohë që duket e pamundur të kuptojmë dështimin  tonë total si faktor. E ndërmend na vjen ndonjë deklaratë e ndonjë diplomati se shqiptarët po i humbin miqtë… Andej nga Tirana i kemi kryer të gjitha "obligimet kombëtare", por thjesht të zënë me ca punëra dekriminalizimi për ca tipa që na u gjenden në parlament, që na paskërkan qenë të përfshirë në veprimtari të pahijshme, e lajmet që mbizotërojnë janë për ca tipa të tjerë që paskan bërë para të madhe.

Kemi bërë plot dy mbledhje të përbashkëta të dy qeverive shqiptare në Prizren dhe Tiranë dhe kemi publikuar foto fantastike të tyre, kanë thyer rrjetet sociale, që mu në Beograd u kemi thënë serbëve se Kosova është e pavarur, se sa herë e lyp nevoja qëndisim deklarata të papara, duke çuar peshë zemrat e shqiptarëve.

Nuk na bën shumë përshtypje ndonjë deklaratë e dhomave të tregtisë së Shqipërisë dhe Kosovës se produktet serbe po pushtojnë tregun shqiptar, dhe s'na bën fare përshtypje edhe ndonjë lajm për kapjen e mallrave kontrabandë mes dy shteteve tona.  Është kaq normale që në një ditë të dëgjosh një lajm se një banor i rrethit të kufirit është kapur me rreth dy kuintalë mollë kontrabandë që e çonte drejt Kosovës, ndërkohë që në Korçë fshatarët në mënyrë demostrative i hedhin mollët në përrua pasi nuk ka treg për to.

Platformë për bashkim ekonomik, për integrim tregu nuk e kemi bërë, se mallrat serbe janë të lira, se bash në krye të punëve i kemi ata që përfitojnë më së shumti nga kjo tregti dhe s'ka si të ndodhë ndryshe, vetëm të pajtohemi shifrat marramendëse të tregtisë shqiptaro-serbe, e pasi të konsumojmë mallrat serbe, që kanë mbushur tregun shqiptar o burra, kush bën statusin apo deklaratën më të bukur kundër tyre.

Por ama kombëtar jemi. Në tërë këto vite ne kemi bërë abetaren e përbashkët të unifikuar dhe as që na shkon ndërmend qoftë edhe të pyesim të parët e bajraqeve tona, për rezultatet konkrete të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive shqiptare. Se mos guxon kush të jetë skeptik, pasi tani që po vendoset taksa e Rrugës së Kombit (vetëm) 10 euro, punët do i kemi më mirë dhe se nuk shqetësohemi shumë se mund të gjejmë ndonjë arritje që është për t'u shënuar thuasje në asnjë fushë të jetës, të paktën në ato fusha ku qeveritë vendosin.  Nuk e vëmë ujin në zjarr dhe as nuk befasohemi kur tentojmë të këndellemi se nuk ka një fushë jetësore ku bashkëpunohet, qoftë edhe në art, kulturë se në ekonomi s'bëhet fjalë, se nuk kemi mundur të hartojmë qoftë edhe një strategji, për "përafrim" madje gati-gati desh krijuam edhe kombin kosovar…

Të përhumbur u gjendem edhe kur bie fjala "humbëm" mikun më të madh në BE, Britaninë e Madhe dhe dështuam qartësisht në rrugën e integrimit drejt Evropës, dukë ndërtuar "shtetet që nuk duam" më të korruptuarat, më të varfrat. Nuk mundëm të shfrytëzojmë mbështetjen e pakufishme të botës, madje u harruam dhe nuk po dimë të gjendemi në situatat e reja të krijuara, duke vazhduar vetëshkatërrimin, ndërkohë që Serbia gati gati po kërkon haptas Veriun e Mitrovicës. Çfarë u bë me Preshevën? Nejse nga andej kemi foto të bukura të kryeministrit, dhe derisa të zbrazen ato troje shqiptare, nuk do të dale "ndonjë lajm" prej andej. Modeli kroat mbetet i paadoptueshëm, pasi na duhen ato fotot me kryeministrin e Serbisë…

U arrestua Ramushi dhe mbahet në Francë, e shpërthyen demonstratat shqiptare anë e mbanë botës ku ka mërgimtarë e shumë pak dihet për lobingje të njëmendta, aq më tepër në këto kohë kur më shumë se kurrë do të na duhen miqtë, sërish, edhe ata që kishim, edhe ata që mbase në këto kohë i harruam, apo nuk u kujdesëm që të zhvillojmë ato strategjitë e domosdoshme që në momentet dhe çastet qiellore, kur e gjithë bota ishte me ne. Diplomacia jonë vazhdon të perceptohet si punësim zakonisht i të afërmve të pushtetarëve.  Njohjet e reja të Kosovës?! Mund të ketë edhe të tilla. Thjesht shqiptarët vazhdojnë të mbesin më të varfrit e Evropës me klasat politike më të pasura, qoftë edhe nga tregtia me serbët dhe Serbinë, me dy akademi shkencash dhe pa asnjë platformë, me rininë e papunë që largohet dhe pa asnjë projekt , pa asnjë sinergji ndërshqiptare, (përveç projektit të madh të taksës së Rrugës së Kombit) dhe sinergjinë fejsbukiane, ndonjë kënge patriotike e ndonjë simboli kombëtar që sjell përgjumje derisa Serbia na rizgjon, na këndell e duket se këso rastesh do të kemi shumë.

E kur Serbia të na këndellë sërish mbase do të jemi vonë, për gjithçka, në gjithçka…

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Lushnjë, sekuestrohet 43 kg hashash; në pranga poseduesi (Video)

Posted: 22 Jan 2017 01:14 AM PST

Finalizohet  në Lushnje operacioni  “SAVRA”, ku janë sekuestruar rreth 43 kg kanabis sativa, arrestohet në flagrancë poseduesi. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Begaj, 32 vjeç, banues në fshatin Cerkovinë, Vlorë.

Në vendin e quajtur “Rotondua e Savrës”, Lushnje, gjatë natës së mbrëmshme, nga kontrolli që iu bë mjetit tip Volkswagen me targa AA 488 HL, që drejtohej nga shtetasi Arben Begaj, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 43 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo sasi lënde e dyshuar narkotike ishte e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Lushnjë për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Trafik të lëndëve narkotike" i mbetur në tentativë.

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

BASHA DHE META, QESHARAKË NË ARENËN NDËRKOMBËTARE

Posted: 22 Jan 2017 01:07 AM PST

Spartak Ngjela

Kur do të vijë ajo kohë kur shqiptarët të mos drejtohen më nga hajdutë që realisht janë dhe qesharakë e kalamaj në arenën ndërkombëtare? Pse, vërtet mendoni ju se niveli intelektiv i shqiptarëve është ky që paraqet sot Lulzim Basha dhe Ilir Meta, dy karagjozë që u nisen me bileta popullore të blera në treg, për të qëndruar në një nga trotuaret përballë Capitol Hillit dhe për t’u thënë shqiptarëve se i kishte ftuar presidenti Trump në inaugurimin e tij? Jo, kurrë nuk është ky niveli i mendjes shqiptare sot! Por këta drejtues qesharakë janë uzurpatorë të pushtetit politik në Shqipëri.

Deri te blerja e biletës në treg, nuk ka gjë të keqe, por kur merr përsipër të gënjesh shqiptarët e t’u thuash se je i ftuar nga Donald Trump, kur ke shkuar në inaugurimin e tij si popull i thjeshtë me një biletë popullore, kjo tregon dy gjera: e para, që t’i nuk respekton, madje e urren popullin tënd që po kërkon ta qeverisesh  dhe e dyta, që je një mendje fëminore sa mendon se, duke gënjyer shqiptarët ke gënjyer edhe administratën amerikane. (!)

Të paktën Meta nuk e hëngri që të shkonte të Zëri i Amerikës, se e kishte provuar një herë ferrin kundërshtar mediatik amerikan. Kurse Bashë ziu shkoi me mendjen se do të gënjejë te Zëri i Amerikës, Blendi Fefziun që bën sikur e beson në emisionin Opinion. Dhe ju e patë se si e talli gazetari amerikan kryetarin artificial të opozicionit shqiptar kur i tregoi që ai kishte qenë në inaugurimin e presidentit Trump me një biletë popullore. E pra, e shikoni sesi përfundojnë kukullat e ngritura në rangun e drejtuesit të parë politik, që janë vendosur aty jo për të përfaqësuar popullin, por për të mbrojtur korrupsionin dhe krimin shtetëror?

Gjithsesi e gjithë kjo logjikë fëminore, vjen e shfaqet edhe nga halli: që të tre, Berisha, Meta dhe Basha janë të rrezikuar nga lufta antikorrupsion në Shqipëri. Por janë kaq naive sa mendojnë që po të jenë lakej, do të pranohen nga politika e re amerikane. Domerhene, presidenti i ri amerikan, që ka ardhur në pushtet me kartën e moralitetit, do përkrahë korrupsionin shqiptar me kampionët e tij. Hajde mendje hajde!

Kot lodheni o te mjerë ! Askush që ka marrë pjesë në korrupsionin e gjatë dhe makabër shqiptar, nuk do të shpëtojë dot nga identifikimi publik dhe nga ndëshkimi penal. Zvarritja që i bëri kësaj çështjeje Berisha dhe Gjykata pseudokushtetuese ishte gjithashtu naivitet. I urituri sheh gjithmonë në ëndërr ëmbëlsira; kurse hajduti i kapur, pret gjithmonë një tërmet që të shembet burgu.

Ja, këta janë liderët që i kanë drejtuar shqiptarët deri tani në 25 vjet rresht pas rënies së komunizmit. Ky ka qenë niveli i tyre. Por tani duhet të rrimë të qete: këta kanë ikur – ky është fundi i fundit tyre… this is the End of their End.

 

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Bulqizë, dy familje të izoluara nga dëbora: Duam ushqime dhe ilaçe

Posted: 22 Jan 2017 12:51 AM PST

Dy familje në fshatin Gjinovec të Bulqizës kanë mbetur të bllokuara për shkak të dëborës. Familjet thuhet se janë izoluar që prej 20 ditësh dhe nuk kanë rezerva ushqimore për vetë dhe gjënë e gjallë.

Trashësia e dëborës në zonë i kalon rreth një metër e gjysmë, ndërsa familjet bëjnë apel për ndihmë për shkak se siç thonë kanë të sëmurë në shtëpi dhe se kanë nevojë për shërbim mjekësor dhe ilaçe.

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Trump viziton CIA-n: Keni përkrahjen time 1000 %

Posted: 22 Jan 2017 12:48 AM PST

Presidenti amerikan, Donald Trump iu ka thënë sot zyrtarëve të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) se ka respekt të madh për agjencinë në fjalë, duke hedhur poshtë raportimet se ai është në konflikt me komunitetin amerikan të inteligjencës, raporton Reuters.

Në vizitën e parë të tij në këtë agjenci qeveritare si president, Trump e ka lavdëruar këtë organizatë duke iu thënë zyrtarëve që kishin dal në punë vetëm të takohen me të, se ai i do ata dhe do t’i përkrahë.

"Unë jam 1000 % me ju", i ka thënë Trump stafit të CIA-s gjatë vizitës në drejtorinë e agjencisë në Langley, Virgina.

Kohë më parë mediat amerikane kanë thënë se Trump ka zemëruar agjencitë amerikane të inteligjencës pasi nuk është pajtuar me konkludimet e tyre se Rusia ka kryer sulme kibernetike ndaj procesit zgjedhor amerikan, me qëllim që ta ndihmojnë Donald Trumpin të fitojë zgjedhjet.

"Më lejoni të them se arsyeja pse ju jeni vizita ime e parë" si president është se unë ju përkrahë dhe respektoj në tërësi, ka thënë presidenti amerikan duke hedhur poshtë raportimet e mediave se ai është në konflikt me komunitetin amerikan të inteligjencës.

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Korçë, arrestohet polici dhe dy të tjerë për falsifikim dokumentesh

Posted: 22 Jan 2017 12:42 AM PST

Policia Kufitare e Korçës dhe SHÇBA arrestuan 3 persona, njëri prej të cilëve punonjës i policisë, në kuadër të operacionit të koduar "Falsifikuesit".  Ata akuzohen për "Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve", "Falsifikim të dokumenteve" dhe "Shpërdorim të detyrës". Arrestimi i tyre u krye në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në bazë të urdhrit të Prokurorisë dhe vendimit të Gjykatës, bazuar në një punë hetimore në bashkëpunim mes organeve ligjzbatuese.

Shtetasit e arrestuar në flagrancë janë Marsel Miço, 38 vjeç, banues në Korçë; Ilia Çipi, 46 vjeç, banues në Korçë, mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale të "Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve" dhe të "Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve". Ndërkohë, SHÇBA e Korçës ka vënë në pranga punonjësin e Policisë  Lefter Bardho, 47 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë kontrollor në PKK Kapshticë, për akuzën e "Shpërdorimit të detyrës".

Shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndihmuar disa persona për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, duke përdorur pasaporta shqiptare dhe serbe si dhe në bazë të ngjashmërisë fizike, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.

Gjatë këtij operacioni janë  sekuestruar në cilësinë e provës materiale 9 pasaporta biometrike shqiptare;1 pasaportë biometrike serbe; 4 aparate telefoni celular dhe 2 automjete "Mercedes benz" me targa AA748OG dhe AA361NY. Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme dhe për zbulimin e lidhjeve të mundshme këtij grupi kriminal.

 

22 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more