Skip to main content

“Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump po hetohet për lidhjet me Rusinë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump po hetohet për lidhjet me Rusinë” plus 9 more - Gazeta Dita


Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump po hetohet për lidhjet me Rusinë

Posted: 23 Jan 2017 01:47 AM PST

Agjentë të kundërspiunazhit amerikan po hetojnë komunikimet e këshilltarit për siguri kombëtare të Presidentit Donald Trump me zyrtarë rusë, sipas burimeve të ndryshme, shkruan gazeta e njohur "The Wall Street Journal".

Michael Flynn do të jetë kështu personi i parë në administratën e re të Shtëpisë së Bardhë që po hetohet në kuadër të përpjekjes masive nga FBI, CIA, Agjensia e Sigurimit Kombëtar dhe Departamenti i Thesarit për të kuptuar lidhjet e qeverisë ruse me njerëzit që rrethojnë presidentin e ri.

Flynn është një gjeneral në pension dhe në rolin e ri në Shtëpinë e Bardhë do të ketë shumë peshë në përcaktimin e politikave ndaj Rusisë.

Në qendër të vëmendjes do të jetë një seri telefonatash që mes Flynn dhe Sergey Kislyak, ambasadorit rus në SHBA, në datën 29 dhjetor 2016. Atë ditë Presidenti Barack Obama deklaroi sanksionet kundër Rusisë, si përgjigje për ndërhyrjet pirateske kompjuterike për të devijuar zgjedhjet presidenciale.

Sipas inteligjencës amerikane, ndërhyrja kompjuterike ishte bërë me urdhër të Vladimir Putinit për të dëmtuar fushatën e kandidates demokrate Hillary Clinton.

Po ky nuk është i vetmi incident që po hetohet për Michael Flynn. Ish-gjenerali (i ulur pranë Putinit, në fotografinë lart) ka një histori të gjatë marrëdhëniesh të dyshimta me figura ruse.

As nuk është Flynn i vetmi që dyshohet. Ish-kryetari i fushatës së kandidatit Trump, Paul Manafort si dhe këshilltarët Roger Stone dhe Carter Page kanë pasur të tre lidhje të forta me interesat ruse. Manafort i lidhur ngushtë me diktatorin pro-rus Viktor Yanukovych që u rrëzua nga populli ukrainas në 2014. Fonde të shumta janë kaluar në mënyrë ilegale në llogari të Paul Manafort, sipas disa burimeve.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha mbrëmë se "nuk kemi absolutisht asnjë dijeni për ndonjë hetim, madje as që ka ndonjë bazë për hetim".

(Ruben Avxhiu/Sipas shkrimit në "The Wall Street Journal")

Të djathtët e Evropës i bashkon urrejtja

Posted: 23 Jan 2017 01:35 AM PST

Partitë populiste të djathta evropiane u mblodhën në Koblenc me synimin për të krijuar aleanca për vitin zgjedhor 2017.

Armiku i armikut tim është miku im, kështu thotë një thënie e vjetër. Për pasojë konstelacione të tilla kanë çuar shpesh në aleanca mjaft të diskutueshme. Tani është partia radikale e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), që kërkon të bëjë lidhje të tilla me partië e djathta ekstreme evropiane. Si me Frontin Kombëtar francez të Marine Le Pen, Partinë holandeze të Lirisë (PVV) të Geert Wilders, atë italiane Lega Nord nën drejtimin e Matteo Salvinit, apo me Partinë austriake të e Lirisë.

Zyrtarisht nuk është AfD-ja, e cila kërkon aleanca evropiane. Udhëheqja e partisë sapo ka vendosur të mbajë një lloj distance nga Fronti Kombëtar francez. Por disa anëtarë të AfD-së e shohin këtë gjë krejt ndryshe. Sidomos Frauke Petry, kryetarja e AfD-së, e cila do të kandidojë si kandidate e vetme kryesore e partisë së saj për zgjedhjet parlamentare. Dhe i shoqi, me të cilin sapo është martuar, eurodeputeti dhe kryetari i i partisë AfD për landin Nordrajn-Vestfalen, Markus Pretzell. Ata kanë qëllime të mëdha brenda partisë.

Provokim i qëllimshëm

Mund të thuhet se Pretzell-i e organizoi pikërisht për këtë arsye takimin e grupit të tij parlamentar në Parlamentin Evropian, “Evropa e Kombeve dhe e Lirisë” në Koblenc. Një provokim i qëllimshëm ndaj konkurrentëve brenda partisë AfD. I shpallur zyrtarisht si Kongresi i grupit “Evropa e Kombeve dhe e Lirisë”, ky takim krijoi de facto vërtet përshtypjen se ishte një aktivitet i AfD-së, sikur kjo parti kishte ftuar miqtë e saj evropianë në Gjermani. Në publik kishte qindra përkrahës të AfD-së. “Kjo sallë plot me patriotë gjermanë më tregon se Gjermania nuk është e humbur”, tha holandezi Wilders në Koblenz.

Sidomos e rëndësishme ishte për organizatorët që shfaqja e tyre të ishte sa më e bujshme, të tërhiqte vëmendjen dhe të prodhonte sa më tepër tituj e artikuj në gazeta. Mosakreditimi i gazetarëve të kanaleve kryesore televizive gjermane, ishte një provokim i qëllimshëm, që e nxiti edhe më tej këtë qëllim. Petry dhe Pretzell por edhe Le Pen dhe Wilders kanë mësuar shumë nga Donald Trumpi gjatë muajve të fundit. Jo pa arsye ata i dërguan Trumpit urimet më të përzemërta. Suksesi i tij u jep atyre vrull për të filluar aktivitetet në vitin zgjedhor 2017.

Përbuzje, urrejtje dhe ligësi

Duke farkëtuar një aleancë populistët e djathtë duan edhe ta tregojnë veten më të mëdhenj nga sa janë në të vërtetë. Ata duan që popullariteti dhe suksesi i secilës lëvizje në vendet e ndryshme të ndikojë ndaj të tjerave. Dhe ajo që i bashkon të djathtët nga Gjermania dhe vendet e tjera evropiane është sidomos një gjë: refuzimi i një Evrope të bashkuar dhe përbuzja e atyre që mendojnë politikisht ndryshe. Këtë mund ta quash edhe urrejtje. Kjo qe tmerrësisht e dukshme në çdo prezantim në Koblenz, pavarësisht se kush dilte në skenë. Një urrejtje, e cila shfaqej me pekt të ndryshëm, shpesh e zhurmshme, shpesh direkte, por edhe e qetë dhe subtile, si në rastin e Petry-it.

Një aleancë e tillë nuk mund të jetë e përhershme. Dhe sigurisht nuk duhet atë. Ajo është vetëm një mjet për të arritur qëllimin. Nëse populistët e djathtë do të vijnë vërtetë në pushtet në vendet e tyre, atëherë ata do të nisin mjaft shpejt të distancohen prej njëri-tjetrit. Ata do të ngrenë muret dhe do të qarkullojnë vetëm në orbitën e tyre. Ata do të bëjnë ashtu si dëshiron të bëjë tani presidenti i ri amerikan Donald Trump. Ne vetëm mund të shpresojmë se elektorati evropian e njeh rrezikun dhe nuk do të lejojë të shkojë puna deri aty dhe që zgjedhësit të mos verbohen prej apologjetëve të djathtë që bëjnë sikur shpërbërja e Evropës është e pandalshme./DW

Trump trazon Lindjen e Mesme, do zhvendosë ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem

Posted: 23 Jan 2017 01:29 AM PST

Ashtu sikurse kishte premtuar edhe gjatë fushatës së tij elektorale, Presidenti Donald Trump, ka nisur përpjekjet për të zhvendosur selinë e Ambasadës amerikane në Izrael, nga Tel Avivi në Jeruzalem, një lëvizje e cila pritet të shkaktojë zemëratë për Palestinën, por edhe për pjesën tjetër të botës arabe.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Shon Spajser, i cili në një deklaratë për mediat, u shpreh se kjo çështje ka nisur të trajtohet nga kabineti dhe se shumë shpejt mund të nisë puna për implementimin e projektit.

Në këtë mënyrë, Trump ka treguar edhe njëherë vendosmërinë për të mbështetur shtetin e Izraelit në kufijtë e tij aktualë, gjë që përkthehet në një lajm jo të mirë për Palestinën, e cila vijon përpjekjet për konsolidimin e pavarësisë së saj.

Gjithashtu, Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë brenda pak ditësh punën tetë vjeçare të paraardhësit Obama, që mbështeste zgjidhjen e çështjes përmes njohjes së dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës.

Ekspertët kanë deklaruar se kjo lëvizje mund të jetë tejet e rrezikshme, pasi përbën një manovër provokative që mund të prodhojë përplasje të reja.

Megjithatë, Trump duket tejet i vendosur për mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Izraelit.

Më herët, Presidenti ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netaniahu, të cilit i ka bërë një ftesë zyrtare për një vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Në rast se do të shefi i ekzekutivit të Izraelit do të udhëtojë drejt Uashingtonit, padyshim që çështja kryesore që do të diskutohet mes tyre është ajo e zhvendosjes së Ambasadës.

Mbështetja e Trump mund të mos pritet mirë jo vetëm nga Palestina, por edhe nga aleatët e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme siç janë Arabia Saudite, Jordania dhe Egjipti.

Presidenti i Gambias ia mbath me … 11 milionë dollarë nga arka e shtetit

Posted: 23 Jan 2017 01:17 AM PST

Pas javësh tensioni politik dhe civil që thuajse sollën shpërthimin e luftës civile dhe ndërhyrjen ushtarake të fqinjëve afrikanë, presidenti historik i Gambias, Yahya Jammeh pranoi humbjen në zgjedhje dhe arriti një marrëveshje politike për t'u larguar nga vendi, duke i hapur rrugën rivalit të tij politik, Adama Barrow.

Por, duket se Jammeh nuk iku me duart bosh, pasi është zbuluar se mungojnë të paktën 11 milionë dollarë nga arka e shtetit, pas mbikqyrjes paraprake.

Zëdhënës të Presidentit të ri, i cili e bëri betimin jashtë vendit, pasi rivali i tij nuk pranonte të linte postin, thanë se hetimet e mëtejshme ka mundësi të zbulojnë se gropa në buxhet është shumë më e madhe.

Pas 22 vitesh në pushtet, Yahya Jammeh, u detyrua të largohej, pasi vetë as që i shkonte mendja ta bënte, megjithëse humbi zgjedhjet.

Hyrja brenda kufijve e ushtrive të tjera afrikane që ishin zotuar ta largonin me forcë, duket se ishte faktori kryesor që e bëri t'ia mbathte, por Jammeh nuk ka dyshim se iku si një njeri i pasur, megjithëse i mposhtur.

Zyrtarët e rinj të mbërritur në vend dhe që zbuluan zhdukjen e parave thanë se arkat e shtetit janë praktikisht bosh dhe se kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Financave dhe banka qendrore e vendit.

Megjithëse autoriteteve të aeroportit kryesor të vendit i ishte thënë që të lejonin vetëm Presidentin të largohej dhe të mos merrte sende me vete, mediat raportojnë se veç valixheve pa fund, ai u shoqërua edhe një nga flotë makinash luksoze që u larguan bashkë me të drejt Guinesë Ekuatoriale, ku duket se ai do të shijojë një ekzil mjaft luksoz.

“Serbia do të provojë ta fusë trenin përsëri, bashkë me ushtri, roli i Trump”

Posted: 23 Jan 2017 01:13 AM PST

 

Treni serb me slogane kundër shtetit të Kosovës që provoi të futet në Kosovë është një kujtim, më shumë se simbolik, për luftërat brutale të viteve 1990 në Ballkan, shkruan DEBKA File, uebsajti i inteligjencës ushtarake në Izrael, njofton Klan Kosova.

Dy ushtri janë gati për betejë; 60.000  trupa serbë, dhe vetëm rreth 6000 trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë në këtë numër edhe rezervat, shkruan ky sajt, që citon edhe presidentin serb Tomislav Nikoliq, i cili tha se "nëse serbët do vriten, do ta dërgojmë ushtrinë në Kosovë".

DEBKA shkruan se në Ballkan ka pasur luftëra të tmerrshme, por që me ndihmën amerikane dhe mbështetjen për vendet myslimane – Bosnja, Kosova – është mundësuar një stabilitet i përkohshëm.

Kjo politikë mbështetjeje për Kosovën nga Amerika ka vazhduar nga presidenti Bill Clinton e deri tek Barack Obama, por duket se kjo epokë ka përfunduar me trenin serb të nisur për Kosovë shkruan DEBKA.

Sipas këtij sajti treni serb do të provojë të futet përsëri në Kosovë pas inaugurimit të Donald Trump President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Nëse sulmohet nga forcat policore të Kosovës atëherë ushtrua serbe do të intervenojë dhe do të futet brenda, por edhe nëse nuk sulmohet, ushtria serbe pritet të marshojë pas trenit".

"Kosova do të kërkojë ndihmë për këtë ndërhyrje, por në vitin 2017 ky vend le ta harrojë mbështetjen nga ndonjë vend europian, madje as nga Gjermania".

Sipas këtij sajti izraelit, që bën analiza të vlefshme mirëpo informacionet i jep duke mos treguar burimet, Trump-it kjo ndërhyrje do t'i prezantohet si një intervenim për të ndaluar radikalizimin islamik në Europë.

Tenton të korruptojë policin, arrestohet shoferi

Posted: 23 Jan 2017 01:10 AM PST

 

Një 44-vjeçar është arrestuar nga Policia e Mallakastrëss pasi i ofroi 2 000 lekë ryshfet punonjësit të policisë me qëllim shmangien e masës administrative.

Policia e Qarkut Fier tha në një komunikatë të publikuar të Hënën se Tomorr Hoxha, banues në Fier, është ndaluar "nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe pas kontrollit të dokumenteve ka rezultuar se i kishte përfunduar afati vlefshmërisë së patentës."

Hoxha tentoi të shmangte masën administrative duke i ofruar 2000 lekë policit, por përfundoi në pranga nën akuzë për "Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Komunikata thotë arrestimi u krye nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe materialët do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

Pesë fakte që nuk i dini për “bishën” e blinduar të Trump

Posted: 23 Jan 2017 01:07 AM PST

 

Limuzina presidenciale e presidentit amerikan Donald Trump, është fjala e fundit e teknologjisë.

Është e aq e sigurt sa i reziston çdo lloj eksplozivi të fuqishëm. Është makina presidenciale më e blinduar në histori.

E ndërtuar në fshehtësi të madhe nga gjiganti "General Motors", përcjell GSH, ajo është një përzierje mes një limuzine dhe një kamioni të stërmadh dhe është e mbuluar me përmbajtje të hekurt.

1- "Cadillac One"

"Cadillac One", përfaqësuesja e shoqërimit e përdorur nga Donald Trump gjatë "ditës së inaugurimit", është zhvilluar dhe ndërtuar bashkërisht nga kompania "General Motors" dhe autoritetet federale amerikane.

"General Motors" ka marrë për ndërtimin e kësaj makine një tarifë prej 15.800.765 dollarë dhe secili prej tre "Cadillac"-ëve të blinduar, të porositur me kontratën e parë, ka një kosto prej një milion e gjysmë dollarë. Makina është ndërtuar pothuajse me dorë, edhe pse linja përsërit arsyet stilistike të makinave aktuale të Shtëpisë së Bardhë: në fakt, është e bazuar në një telajo të një kamioni mesatar, duke parë që pesha është më shumë se 5 tonë.

2- Shmang sulmet me gaz

Pajisjet e sigurisë së "Cadillac"-ut presidencial janë thuajse sekret në brendësi të mjetit. Blindimi i rëndë e bën makinën të paprekshme nga predhat anti-tank, ndërsa gomat janë një model special i "run flat" që nuk mund të shpohen kurrë. Dritaret janë më të vogla se normalet për ta bërë makinën akoma më të vështirë për t'u sulmuar. Mes pajisjeve të shumta që ka bord janë edhe një arsenal i vërtetë armësh të lehta për t'u përdorur nga shërbimet e sigurisë, ka edhe disa çanta gjaku të presidentit. Ka një sistem ventilimi që përjashton çdo agjent të jashtëm. Me anë të një cilindri oksigjeni në bagazh, krijohet një mikroklimë e aftë të shmangë sulmet me gaz helmues. Mund të hapet vetëm një dritare. Ajo e shoferit, por vetëm pak centimetra.

3- Maksimumi me 100 km në orë

Nuk dihet lloji i motorit të instaluar në "Cadillac One", sepse secili nga tre mostrat e ndërtuara deri më tani është në thelb një model i vetëm. Por dihet se motorët e përdorur janë V8 për benzinë të serisë "Vortec" (8.1 litra), me një fuqi prej 330 kuaj fuqi ose, në alternativë nafte, seria "DuraMax" (6.6 litra) të aftë për të zhvilluar 303 kuaj-fuqi. Njësitë e benzinës mund të konsumojnë deri në 70 litra karburant për 100 kilometra (ekuivalente me një distancë prej rreth 1.4 kilometra për litër), ndërsa nafta është e vendosur për rreth 40 litra për 100 kilometra (p.sh. që ecin rreth 2.5 kilometra për litër). Duke pasur parasysh peshën e konsiderueshme, koha e qarkullimit është veçanërisht e shkurtër, me një shpejtësi maksimale që shkon deri në 100 kilometra në orë.

4- Limuzinat e vjetra të Obamës? Do braktisen

Projekti aktual i "Cadillac One" ka nisur punën që nga viti 2013, kur krerët sigurisë presidenciale kishin vlerësuar se flota me 12 limuzina presidenciale të përdorura nga presidenti Obama nuk do të ishin në lartësinë e duhur për t'u bërë ballë kërcënimeve të mundshme në të ardhmen për jetën e presidentit. Me hyrjen në shërbim të limuzinës së re, "Cadillac"-ët e vjetër do të nisin në mënyrë progresive të braktisen dhe shkatërrohen: pajisjet e tyre të sigurisë do të mbeten sekret dhe ka të ngjarë të mbeten të tilla përgjithmonë.

5- Autokolona

Korteu i motorizuar që shoqëroi Donald Trump në ditën e betimit si president i SHBA-ve, e ashtuquajtura "autokolonë", përbëhet nga Suv Chevrolet, Tahoe dhe Suburban, të pajisura jo vetëm për t'iu përgjigjur direkt sulmeve të mundshme, por edhe për të parandaluar sistemet më të sofistikuara të ndonjë mësymjeje: një "big Suburban", për shembull, është i pajisur me sisteme të sofistikuara kundër sulmeve elektronike, ndërsa një tjetër ka të përshtatur një "Jammer", e aftë për të bllokuar në rast rreziku të gjitha frekuencat që janë aktivizuar për të parandaluar ndonjë shpërthim të telekomanduar nga larg.

Kur Konica dhe Fishta i kërkonin Zogut të martohej me një vajzë katolike

Posted: 23 Jan 2017 01:02 AM PST

 

Nga Ilir Ikonomi

Faik Konica dhe At Gjergj Fishta, dy miq të vjetër, ishin ndër përkrahësit e zellshëm të idesë se Mbreti Zog duhet të martohej me një vajzë katolike. Konica e kishte bërë të qartë këtë gjatë vizitës në Shqipëri në 1928, ndërsa Fishta e kishte biseduar çështjen me Zogun dhe kishte marrë konfirmim prej tij se nusja e ardhshme do të ishte e fesë katolike.

"Nuk ka kuptim të shohim drejt Lindjes. Interesat tona janë drejt detit prandaj duhet të shikojmë nga Perëndimi", kishte thënë në një rast ati françeskan.

Në fillim të vitit 1937 një gazetë e Budapestit njoftonte se mbretëresha e ardhshme do të ishte kontesha hungareze Johanna von Mikes, por plani kishte dështuar sepse, sipas gazetës, Mbreti Zog kishte kërkuar që ajo të konvertohej në fenë islame. Konica i dërgoi një letër kryeredaktorit të gazetës Neë York Times, e cila u botua pjesërisht.

"Ky lajm, – shkruante Konica, – ka të gjitha tiparet e një shakaje. Ideja e ndryshimit të fesë për shkak të martesës është e huaj për mendjen shqiptare". Konica shpjegonte më tej se Mbreti Zog rridhte nga një familje katolike, e cila për shkak të rrethanave të kohës ishte shtrënguar të përqafonte fenë islame në fund të shekullit të 16.

"Megjithëse Mbreti, sikurse shumica e shqiptarëve, nuk është as fetar e as jofetar, ai anon më tepër nga Kisha Katolike dhe gjithnjë ka ngulur këmbë që katolikët të përfaqësohen në kabinet. Adjutanti i tij kryesor është katolik", shkruante Konica.

Përfundimisht, Mbreti Zog u martua me një katolike. Ajo ishte kontesha hungareze Geraldine Apponyi dhe martesa u lidh më 27 prill 1938.

Basha: Kandidatëve për deputetë do t’u kontrollohet e shkuara komuniste

Posted: 23 Jan 2017 12:56 AM PST

 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka sqaruar sot edhe njëherë mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve për deputete, duke shfrytëzuar sipas tij propozimet direkte të qytetarëve.

Madje PD, sipas Bashes do tu kontrolloje kandidateve per deputete edhe … “te shkuaren komuniste”.

"Ndryshimin PD po e fillon nga vetja. Para disa ditësh ne nisëm përzgjedhjen e hapur të kandidatëve për deputetë nga vetë njerëzit. Demokratët dhe çdo qytetar tjetër mund të propozojnë përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Mbi këto propozime do përzgjidhet lista e kandidatëve demokratë për deputetë, të cilët do t'i nënshtrohen një procesi të vetingut të figurës, profesionalizmit dhe të së shkuarës komuniste" shkruan Basha.

Kreu i PD-së, premton se ky eshtë vetëm hapi i parë i një kthese të madhe politike për Shqipërinë.

"Për herë të parë në historinë e vendit përfaqësuesit e popullit do të përzgjidhen nga vetë populli në çdo hap të procesit. Kështu garantohet se pushteti të burojë vërtetë nga njerëzit. Dua t'u bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi që të bëhen pjesë e këtij ndryshimi. E di që shumë prej jush me të drejtë jeni mosbesues apo dyshues. E di që shumë prej jush keni humbur shpresën. Por, ka vetëm një mënyrë për të rikthyer shpresën dhe besimin: ushtrimi i të drejtës për t'u vetëqeverisur. Ndaj përfshihuni në këtë proces duke propozuar kandidatin tuaj për deputet" – thotë Basha.

 

 

Qeveria e re, Ahmeti më afër Gruevskit

Posted: 23 Jan 2017 12:52 AM PST

 

Partia e Ali Ahmetit duket se po përgatit terrenin për të krijuar koalicion të ri qeveritar me partnerin e deritanishëm Nikolla Gruevskin. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani nga Uashingtoni ka thënë se gjatë formimit të qeverisë së re duhet të respektohet parimi "fituesi me fituesin" që nënkupton  se kabineti i ri qeveritar duhet të krijohet nga partitë fituese në bllokun maqedonas dhe atë shqiptarë, e që në këtë rast janë VMRO-ja dhe BDI-ja. Zëdhënësi i integristëve këtë qëndrim për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 dhjetori e ka shpalosur gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ku ka akuzuar mediat se po ushtrojnë presion që ky parim të mos respektohet.

"Në të kaluarën Maqedonia ka ekzistuar si e mirëqenë vetëm duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare. Një prej atyre është marrëveshja e quajtur Marrëveshja e Majit të vitit 2007, ku thuhet se fituesi i komuniteti shqiptar përzgjedh partnerin fitues të komuniteti maqedonas. Respektimi i këtij parimi është shumë i rëndësishëm për ruajtur rëndësinë që ka komuniteti shqiptarë dhe për të ruajtur logjikën që kanë zgjedhjet tek vet shqiptarët" –  tha zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani.

Parimi që partitë fituese në bllokun maqedonas dhe atë shqiptarë të krijojnë qeverinë e Maqedonisë doli nga marrëveshja e Majit e vitit 2007 që u arrit me ndërmjetësimin e amerikanëve, pasi në vitin 2006 Gruevski mori në qeveri PDSH-në, e cila kishte humbur zgjedhjet tek shqiptarët. Megjithatë nga kjo marrëveshje me pesë pika është respektuar vetëm parimi që parashikon se kush duhet të formojë qeverinë ndërsa janë anashkaluar përcaktimet tjera që kishin të bëjnë me zgjidhjen e statusit të UCK-së dhe zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe. Analistët thonë se po të ishte respektuar dokumenti politik i vitit 2007 nuk do të kishte nevojë që partitë shqiptare dhjetë vite pas të hartojnë një platformë të përbashkët dhe ende të flasin për këto çështje të pazgjidhura. Madje analistët kanë kontestuar edhe legjitimitetin e BDI-së tek shqiptarët, pasi thonë se opozita shqiptare në zgjedhjet e fundit ka fituar shumë më tepër vota se partia e Ahmetit.

"Nëse flasim për parimin fituesit me fituesin, atëherë problemi më i madh që na paraqitet është se fituesi nga pala maqedonase në këtë rast VMRO-ja, nga viti 2006 deri në vitin 2016, nuk i ka respektu këto platforma të partive politike shqiptare dhe ka shkel mbi këto platforma. Derisa shqiptarët sot krijuan një platformë me disa pika, tregon që deri tash nuk është realizuar asnjë pikë nga këto.Mendoj se parimi fituesi me fituesin është thy, për shkak se nuk janë respektuar të drejtat e shqiptarëve dhe realizimin e platformës së shqiptarëve" –  deklaroi analisti, Arsim Sinani.

Ndërmjetësuesja e marrëveshjeje së Majit zv/ndihmësja e sekretarit amerikan të shtetit Rosemari Dikarlo vetëm disa muaj pas firmosje së dokumentit, kishte folur për moszbatimin e këtij dokumenti në praktikë. Ajo, gjatë një konference të përbashkët me ish kryeministrin Gruevski në vitin 2007 kishte thënë se ka ngelë shumë punë për plotësimin e marrëveshjes së Majit.

Por shumë punë mbeten për tu bërë që Maqedonia të fitojë ftesën për anëtarësim në NATO dhe aleatët dëshirojnë të shohim bashkëpunim më të ngushtë mes Qeverisë dhe opozitë si dhe progres në disa aspekte si në implementimin e Marrëveshjes së 29 majit, progres në krijimin e Këshillit Gjyqësor dhe reformave në gjyqësor. Koha është ë shkurtër, por më dëshirën e drejtë politikë kjo mund të arrihet – është shprehur Rosemari Dikarlo, zv/ndihmësja e sekretarit amerikane e shtetit.

Edhe në një kabllogram të ambasadës amerikanë në Shkup nga viti 2007 e që Uikiliks e publikoi në shtator të vitit të kaluar thuhet se edhe përkundër faktit që VMRO dhe BDI pas marrëveshjes së Majit, formuan edhe grupe pune për zbatimin e saj në praktikë, çështja e gjuhës shqipe dhe statusi i luftëtarëve të UÇK-së mbeti pa zgjidhje.  Pavarësisht se edhe pas një dekade këto çështje të rëndësishme për shqiptarët nuk janë zgjidhur, BDI tani kërkon të respektohet parimi 'fituesi me fituesin' për ti hapur rrugë edhe një koalicioni të ri me Gruevskin.

INA

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more