Skip to main content

“Fuqia globale jep lamtumirën” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Fuqia globale jep lamtumirën” plus 3 more Telegrafi Opinione


Fuqia globale jep lamtumirën

Posted: 22 Jan 2017 10:03 AM PST

Donald Trumpi është dhe mbetet Donald Trump. Dhe, ata që kishin shpresuar se biznesmeni nga New Yorku do ta ndryshonte tonin e tij agresiv, sapo të bënte betimin, duhet të jetë zhgënjyer brutalisht.

Fjalimi i parë i presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara nuk lë vend për spekulime: Trumpi nuk mendon aspak që si personi në pozicionin më të rëndësishëm politik të botës, të çarmatoset verbalisht. Përkundrazi, ai përsërit formulat e fushatës së tij zgjedhore. Premton që përmes një politike izolacioniste ekonomike dhe të mbrojtjes ta bëjë Amerikën të rifitojë ish-madhështinë e saj. Premton që si multimilioner, me kabinetin e tij prej multimillionerësh të sjell në vend më tepër barazi. Ai do të kujdeset për shkollim të mirë dhe veçanërisht për vende pune të sigurta, duke i dhënë fund ndikimit të fuqive të huaja. Shtetet e Bashkuara duhet të kujdesen gjatë periudhës së tij si presindent vetëm për mirëqenien e drejtpërdrejtë të vendit të tyre.

Se ai me këtë heq dorë nga roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një forcë globale, është llogaritur në mënyrë të qartë, dhe për një njeri i cili vë mbi të gjitha përfitimet e mundshme për vendin e vet, asnjë lloj problemi.

Në fjalimin pas bërjes së betimit nuk u dëgjua asgjë të re nga 70-vjeçari. E, megjithatë fjalimi ka një peshë të re. Edhe pse fuqia e presidentit amerikan është e kufizuar, ai është njeriu që ndikon në mënyrë të konsiderueshme ndaj gjendjes politike në vend.

Rreth 500 mijë tifozët e tij brohoritën gjithë gëzim dhe me frenetizëm për Trumpin pikërisht sepse ai nuk po lëviz nga premtimin e tij gjatë fushatës elektorale. Dhe, pikërisht për këtë, pra kundër linjës së re politike, dolën për të protestuar kundërshtarët e tij.

Procedura e gjatë e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara bën që presidenti i ri të gjejë një vend të plagosur dhe të përçarë. Kjo është gjithmonë kështu, edhe pse kjo betejë zgjedhore arriti për shkak të retorikës përçarëse të Trumpi një mungesë niveli të paparë kurrë më parë. Për këtë shkak, gjestet e para të presidentit të ri në Shtëpinë e Bardhë kanë qenë për shumë dekada gjithmonë gjeste pajtimi.

Donald Trump përbën edhe këtu një përjashtim. Ai nuk beson tek fuqinë e pajtimit, pot tek fuqia e njeriut të fortë. Me çdo fjalë dhe në çdo gjest ai sinjalizoi në ditën e parë në detyrë se ai dëshiron të ndërhyjë. Ai do të vazhdojë të ndjekë rregullat e lojës të demagogëve, që e quajnë “të huajën” si kërcënuese dhe përdorin frikët e ushqyera për të mbyllur radhët pas vetes.

Me këtë ai vë shumë kurthe, sidomos për amerikanët liberalë dhe kozmopolitë, që duan një vend shumë të ndryshëm dhe e shohin veten si pjesë e një bote të lirë për të cilën duhet luftuar dhe angazhuar.

Edhe pse 54 për qind e amerikanëve donin një president tjetër dhe vetëm sistemi i vjetruar zgjedhor e bëri të mundshme të fitonte kandidati i cili mori tre milionë vota më pak, hallet dhe vuajtjet e shumë prej pasuesve të tij janë reale. Dhe, është fatale dhe arrogante t’i injorosh këto realitete. Është turp se sa shumë njerëz jetojnë në varfëri e të pashpresë në një nga vendet më të pasura në botë; se sa fëmijë nuk kanë nga dita e parë e jetës asnjë shans të vërtetë për shkak se kanë lindur në familjen e gabuar dhe në një sistem shkollor që nxit sidomos të privilegjuarit.

Ka shumë arsye të kuptueshme pse pasuesit e Trumpit e kanë humbur prej kohësh besimin tek elitat politike. Një gjë e tillë si Donald Trumpo mund të ndodhë me siguri vetëm në Shtetet e Bashkuara. Por, fakti që arroganca dhe injoranca e pushtetit u hap derën nacionalistëve të rrezikshëm, nuk është i kufizuar vetëm tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

The post Fuqia globale jep lamtumirën appeared first on Telegrafi.

Propozimi i akademikut Qosja nuk është dëshirë – është shqetësim

Posted: 22 Jan 2017 07:52 AM PST

Është e vërtetë se propozimi i akademik Rexhep Qosjes nuk mund të pranohet e as të refuzohet apriori. Propozimi kërkon analiza më të thella e më përmbajtjesore. Pra, propozimi kërkon një analizë më të gjithanshme që duhet të bëhet nga studimi i disa fushave shoqërore e ekonomike. Natyrisht, edhe duke i analizuar rrethanat gjeopolitike dhe ato të sigurisë në përgjithësi, dhe në veçanti sigurinë kombëtare. Për ketë të fundit nuk jemi duke u kujdesur seriozisht e më përgjegjësi, edhe pse në rrethanat e reja në nivel botëror do të duhej ta shtronim me më shumë përgjegjësi e seriozitet sigurinë kombëtare.

Nuk ka asnjë dyshim se kufijtë ishin e janë edhe çështja e Fuqive të Mëdha, që sot i themi çështje ndërkombëtare. Por, sido që t'i quajmë, një është më se e sigurt: pa lëvizur kombet dhe pa bërë lëvizje shumë te guximshme e të fuqishme, nuk ka kufij të kombeve shtete. Kështu ishte më të gjitha kombet e Evropës Juglindore, kur u shkëputen nga Perandoria Osmane. Ketë së paku e kanë konfirmuar dy pavarësitë shqiptare: pa angazhimin e kombit tonë nuk do të ndodhte as 28 Nëntori 1912 e as 17 Shkurti 2008. Këtu nuk mund të mohohen as mbështetjet e shteteve te fuqishme të kohëve përkatëse.

Gjithashtu, nuk ka asnjë dyshim se shumica e kufijve te shteteve kombe janë formuar edhe mbi bazën e dëshirave të kombeve, veçse dëshirat duhet të përcillen edhe me forcën reale të kombeve. Askund në Evropë, ku jetojmë edhe ne, kufijtë nuk janë bërë krejt paqësisht e as lehtë! Shkurt, kufijtë askund në botë nuk janë rezultat i dëshirave të kombeve dhe as rezultat i mirësive të të mëdhenjve të atyre që u japin legjitimitet kufijve të shteteve në shkallë botërore!

Propozimi i akademikut tonë nuk është bërë duke pasur për bazë dëshirën e tij, por nga shqetësimi i tij. Unë besoj që dëshirat e tija do të prodhonin diçka tjetër, e kurrsesi propozimin për ndërrimin e kufijve, se nuk është ndonjë dëshirë e madhe kombëtare! Pra, propozimin duhet parë si dëshirë për mbylljen e konfliktit që e kanë prodhuar bisedimet e Brukselit e veçanërisht kërkesa për formimin e Bashkësisë se Komunave serbe që ka dalë nga ajo marrëveshje. Por, as marrëveshjet tjera të arritura atje (në Bruksel), nuk janë për ndonjë lavd?!

Propozimin duhet parë si kërkesë e vërejtje që mos të shkohet drejt degradimeve (humbjeve) të reja; që mos të shkohet tutje me paqartësi e pasiguri të reja!

"Faji" i vetëm i akademikut tonë është pse ai ende nuk po e sheh që politika shqiptare ka prioritete të tjera meskine dhe nuk e ka prioritet sigurinë e zhvillimin në nivel kombëtar?!

The post Propozimi i akademikut Qosja nuk është dëshirë – është shqetësim appeared first on Telegrafi.

Treni i “kulturuar” dhe akulturimi shoqëror

Posted: 21 Jan 2017 03:45 PM PST

Elizabetë Qarri Musliu

Politikat e okupimeve territoriale duke përdorur elementë kulturorë nën trysni dhe presion, kanë për qëllim akulturimin dhe cenimin e integritetit moral e shpirtëror të një populli. Por, kur një popull shpërfill kulturën e trashëguar dhe promovon fenomene akulturore, rrezikon humbjen e trashëgimisë kulturore të tij për ti lënë vend deformimeve socio-kulturore e politike që dëmtojnë kulturën e mirëfilltë.

Mendova gjatë të shkruaj apo jo për episodin e fundit të dalë nga seriali shumëvjeçar i fqinjit tanë Serbisë, ku skenaristë e regjisorë të njohur politikë, kësaj radhe nuk u mjaftuan vetëm me cenimin e kufijve territorialë dhe akteve më të larta juridike të Republikës së Kosovës, por në lokomotivën e mbetur të këtij karvani kishin angazhuar edhe artistë, që me kontributin e tyre artistiko-nacionalist të provokojnë edhe një segment tjetër po aq të rëndësishëm të një populli, e që është integriteti moral e shpirtëror i tij.

Nuk e di nëse reagimi më erdhi thjesht si qytetare e shqiptare e këtij vendi, apo ndoshta edhe si studiuese e artit dhe fenomeneve të tij. Por, ajo çfarë di është se nuk i rezistova dot tundimit që të mos reagoj karshi këtij poshtërimi të radhës, ku elementi kulturë del të jetë faktor shumë i rëndësishëm për popuj që dinë ta përdorin atë dhe shumë i rrezikshëm për ata që nuk dinë ta kuptojnë dhe shfrytëzojnë.

Përderisa ne akoma sot nuk arrijmë të kuptojmë qartë rolin dhe rëndësinë e kulturës në shoqërinë kosovare, popuj tjerë tashmë po tejkalojnë gjithçka dhe po bëjnë të pamundurën që zhbërjen e qenies sonë shqiptare ta tentojnë në çfarëdo forme, tashmë edhe përmes kulturës. Për ata që duan të kuptojnë, tendenca e poshtërimit dhe dehumanizimit të një populli është po ashtu pjesë e realitetit kulturor të popullit që ushtron këtë trysni. Kur dikush ka në kulturë poshtërimin e shkatërrimin, ai është në gjendje të zhbëjë edhe kulturën e popullit të tij, vetëm e vetëm të arrijë qëllimet e tij. Pra, do të thotë se duhet studiuar gjenetikën e tij, e këtë e dëshmon më së miri edhe fakti se si këta popuj, s'lënë mekanizëm pa përdorur, vetëm për të shkatërruar. Të dehumanizosh një popull, mund ta bësh lehtësisht përmes kulturës.

Me gjasë, këtë e kanë të qartë të dyja shtetet aleate, Rusia që i bëri këtë dhuratë Serbisë dhe Serbia që pranoi trenin e shkarravitur e me thirrje nacionaliste, ani pse me gabime drejtshkrimore e me ngjyrat sllave të keqpërdorura në mënyrën më banale të mundshme. Vendosja e afreskeve të kishave ortodokse në hapësirën e trenit, është fyerje edhe për vetë kulturën, e në këtë rast për Serbinë që përfaqësoi ajo vetë. Për më tepër është një shembull i mirë si abuzohet me kulturën, por ky nuk ishte qëllimi parësor i tyre, ishte cenim moral e shpirtëror i shqiptarëve, ishte imponimi i dhunshëm dhe me çdo kusht i kulturës së tyre brenda kulturës sonë.

Pra, ishte akulturimi si fenomen d.m.th. përmes kulturës të imponojë politikë nacionaliste serbe te shqiptarët, ndonëse edhe kësaj radhe me dhunë, pra kryefjala ishte fyerja dhe poshtërimi. Më keq se sa kjo, afresket e shfaqura në tren duke mos e pasur vendin aty, më asociuan në trenin famëkeq dhe kohët e tmerrit ku mijëra shqiptarë u dëbuan me dhunë nga atdheu; trenat që bartnin burra, gra e fëmijë të dërmuar nga ankthi i trishtë, se a do të kthehen të gjallë ndonjëherë në shtëpitë dhe tokën e tyre. Më asociuan në trenin ku ndodhej një shqiptar i madh Fehmi Agani; tek rrëfimet trishta të grave të përdhunuara shqiptare; më asociuan në shumëçka.

Pra, ishte treni që tentoi të përdhosë moralin shpirtëror të kombit tonë, gjendjen e së kaluarës sonë emocionale që s'ia patëm borxh askujt, ky ishte asocimi i trenit. Por, ashtu si erdhi treni shkoi. Le të merremi pak me kulturën tonë!

Ditëve të fundit, shpërtheu një debat publik mbi një fenomen që tashmë mori dhenë, promovimi i disa individëve as artistë e as humoristë, në programe të Vitit të Ri, që elektrizoi gjithë opinion publik. U fol e stërfol, disa u kënaqën shumë, disa qeshën pafund, por pati edhe të tjerë që u dëshpëruan thellë. Ka disa mënyra për tu bërë i famshëm, por të kërkosh famën duke u tallur me injorancën e të padishmit e me fatkeqësinë e gabimit ku natyra ndonjëherë luan me njeriun, është gjëja më jonjerëzore e mundshme, kjo nuk është kulturë.

Populli shqiptar njeh solidaritetin, dashurinë, sakrificën por kohëve të fundit po ndodhin gjëra të çuditshme. Përse duhet qeshur me fatkeqësitë e njerëzve, ani pse ata të shkretët mendojnë se bëjnë art, i aplaudojmë, i mediatizojmë sa që bindim ngadalë edhe veten tonë se ky është arti, muzika, humori, se këto janë simbolet kombëtare, ani pse të keqpërdorura e shtrembëruara. Jo, kjo nuk është kultura jonë.

Ne duam UNESCO-n, duam trashëgiminë tonë kulturore, gjuhën tonë, muzikën, pikturën, historinë tonë, identitetin tonë, ka kaq shumë që quhet shqiptare. Humbën një rast , atë e fitoi Serbia, UNESCO-n. Pra mos të qeshim me të padishmin, por le të merremi me ata që dinë, kjo është kultura jonë! Trenat shkojnë e vijnë, ne le të punojmë për ti dëshmuar fëmijëve tanë e botës mbanë se kush në të vërtetë jemi dhe çfarë është kultura jonë. Na pret shumë punë!

The post Treni i "kulturuar" dhe akulturimi shoqëror appeared first on Telegrafi.

Duhet menduar ndryshe për punësimin

Posted: 21 Jan 2017 03:37 PM PST

Harold James

Viti i kaluar do të mbahet mend si një periudhë revolte kundër asaj që Presidenti i Zgjedhur i SHBA-së Donald Trump pëlqen të quajë "globalizim". Lëvizjet populiste kanë shënjestruar "ekspertët" dhe "elitat", të cilat tashmë po pyesin veten se çfarë mund të kishin bërë ndryshe për të menaxhuar forcat e globalizimit dhe inovacionit teknologjik.

Konsensusi që po shfaqet aktualisht është që bashkësitë e goditura nga forca të tilla duhet të kompensohen, ndoshta edhe me një të ardhur bazë të pakushtëzuar. Por kjo strategji ka shumë pengesa. Njerëzit që paguhen për aktivitete të pakuptimta, apo pa bërë kurrfarë gjëje, ka gjasa do të bëhen edhe më të shkëputur dhe të mënjanuar nga shoqëria. Rajonet që subvencionohen thjesht për shkak se po humbasin, mund të kërkojnë më shumë autonomi dhe pastaj trishtohen më tej kur shohin se kushtet nuk përmirësohen edhe pasi e marrin autonominë shtesë.

Për rrjedhojë, thjesht transfertat e parave nuk mjaftojnë. Njerëzit janë gjenialë dhe të adaptueshëm, por vetëm në disa rrethana të caktuara; kështu ne duhet të vijojmë të kërkojmë për mundësi të disponueshme që i lejon njerëzit të marrin pjesë në mënyrë krijuese dhe domethënëse në ekonomi. Për këtë qëllim, ne duhet të shohim në histori dhe të studiojmë se çfarë ka ndodhur me "humbësit" në periudha të mëparshme të tekno-globalizimit të shpejtë.

Gjatë Revolucionit Industrial të fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, inovacionet teknologjike, veçanërisht në makineritë e tekstilit, lanë pa punë artizanët dhe punonjësit e specializuar en masse, dhe punëtorët mbetën pa kurrfarë mbështetjeje përballë goditjes. Por, në retrospektivë, nuk është e qartë se çfarë do të duhej të kishin bërë qeveritë ose nëse kishin mundësitë të bënin diçka për të kompensuar endësit me dorë të pëlhurave në Silesi apo artizanalët e zonave rurale të Irlandës. Megjithëse këta qenë shumë punëtorë, prodhimi i tyre qe inferior në cilësi dhe më i kushtueshëm se sa ai që po prodhohej në fabrika.

Në vend të kësaj pune, shumë nga ata që humbën, emigruan – shpesh në distanca të gjata përtej oqeaneve – drejt vendeve ku mund të bënin një punë të re, e ndoshta të arrinin edhe mirëqenie. Siç e shkroi i ndjeri Thomas K. Mcraw në librin e shkëlqyer Themeluesit e Financës, tradita amerikane e sipërmarrjes është një testament i migrantëve novatorë.

Për të parë përfitimet që sjell migrimi, ne duhet të shohim jo më tutje se si Kallstadt, një qytezë fermerësh të vegjël në Gjermaninë jugperëndimore, ku Friederich (Fred) Trump – gjyshi i Donald Trump pati lindur më 14 mars 1869. Ai u zhvendos në SHBA më 1885 (bashkëshortja e tij pati lindur gjithashtu në Kallstadt dhe ai u martua me të në një vizitë në vendlindje më 1902). Babai i themeluesit të gjigantit të ushqimeve Heinz (tashmë kompania Kraft Heinz), Henry John Heinz, pati lindur gjithashtu në Kallstadt më 1811, dhe emigroi në Pensilvani më 1840, për të shpëtuar nga një krizë e bujqësisë.

Por vetëm një shekull më vonë, emigrimi nuk është më një opsion për njerëzit që kanë parë se si aktiviteti i tyre ekonomik është bërë papritur i vështirë dhe kjo ndodh për shkak se vendet kanë imponuar barriera gjithnjë e më të ashpra kundër migrimit. Në gjysmën e parë të shekullit të njëzet, prodhuesit më të dobët qenë fermerët e vegjël të zonave rurale, të cilët nuk arrinin të konkurronin me prodhimin ushqimor në zgjerim të shpejtë në pjesën tjetër të botës.

Kjo qe veçanërisht e vërtetë për fermerët evropianë, të cilët iu përgjigjën varfërimit të tyre të papritur dhe falimentit me të njëjtat lloje të politikave populiste që na u rishfaqën më 2016. Ata formuan dhe votuan lëvizje politike radikale, të cilat përzjenë utopizmin ekonomik dhe shoqëror me nacionalizmin militaresk, gjithnjë e më të fuqishëm. Këto lëvizje kundër globalizimit, të cilat arritën kulmin në Luftën e Dytë Botërore, ndihmuan për të shkatërruar rendin ndërkombëtar të asaj kohe.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, politikanët në vendet industriale gjetën një zgjidhje të ndryshme ndaj problemit të fermerëve të varfëruar: ata e subvencionuan bujqësinë, mbajtën çmimet e larta dhe mbrojtën këtë sektor nga tregtia ndërkombëtare.

Në SHBA – vend që në mënyrë domethënëse, arriti ta shmangë dallgën nacionaliste të asaj kohe – përpjekja për të shmangur problemin u mishërua në Aktin e Përshtatjes Bujqësore të vitit 1933. Në Evropë, ruajtja e çmimeve dhe proteksionizmi supranacional përbën themelin politik të integrimit Evropian në Bashkësinë Ekonomike Evropiane, e cila u bë themeli i Bashkimit Evropian. Edhe sot e kësaj dite, buxheti i BE-së në shumicë dërrmuese i përkushtohet Politikës së Përbashkët Bujqësore, sistemit të subvencionit dhe masave të tjera në mbështetje të sektorit të bujqësisë.

Proteksionizmi bujqësor ka funksionuar mirë për dy arsye. E para, prodhimet bujqësore të SHBA-së dhe të Evropës në këtë regjim të ri nuk qenë në themel të pavlera, siç qenë veshjet e prodhuara me dorë, teknikisht inferiore gjatë Revolucionit Industrial. Prodhuesit amerikanë dhe evropianë vijonin të ushqenin popullsitë e vendeve të pasura, edhe pse ata e bënin këtë me kosto më të larta nga sa qe ekonomikisht e nevojshme. E dyta, dhe më e rëndësishmja, punëtorët qenë në gjendje të ndryshonin vend pune dhe shumë lëvizën nga zonat rurale drejt vendeve tërheqëse dhe të mirëpaguara të punës në manifakturën urbane apo shërbimet.

Natyrisht, kërcënimi që globalizimi përbën sot ka shënjestruar ekzaktësisht këto profesione "të reja". Evropa dhe SHBA janë përpjekur prej kohësh të mbështesin "humbësit" në manifakturë dhe shërbime përmes programeve në shkallë të vogla, të cilat në fakt nuk janë në përfitim të shumë punonjësve. Për shembull, Programi i Asistencës së Përshtatjes së Tregtisë në SHBA, i cili u zgjerua në vitin 2009 me Aktin e Asistencës për Përshtatjen ndaj Tregtisë dhe Globalizimit, si dhe Fondi i BE-së për Përshtatjen ndaj Globalizimit janë masa të vogla, komplekse dhe të kushtueshme për të kompensuar punëtorët që kanë humbur vendet e punës.

Për rrjedhojë, shumë nga dilemat me të cilat janë përballur politikëbërësit e shekullit të nëntëmbëdhjetë janë të njëjtat me ato me të cilat përballen sot. Askush nuk mund të mohojë se është shpërdorim i burimeve njerëzore dhe natyrore ushqyerja me para e vendeve të punës që krijojnë mallra të dobët apo të pakërkuar në treg. Gjeneratat e mëparshme patën emigrimin si valvul shkarkimi dhe shumë njerëz sot, veçanërisht në Evropën Lindore e Jugore, po iu përgjigjen kushteve të këqija ekonomike në të njëjtën mënyrë.

Migrimi i brendshëm drejt qendrave dinamike metropolitane mbetet ende një punësi, veçanërisht për të rinjtë. Por ky lloj mobiliteti – i cili është në rritje në Evropën moderne, por jo në SHBA – kërkon aftësi dhe iniciativa. Në botën e sotme, punonjësit duhet të mësojnë të përqafojnë përshtatshmërinë dhe fleksibilitetin, në vend që të bien në trishtim dhe mjerim.

Forma më e rëndësishme e mobilitetit nuk është fizik; është social apo psikologjik. Për fat të keq, SHBA dhe shumica e vendeve të tjera të industrializuara, me sistemet e tyre arsimore jofleksible dhe trullosëse, kanë dështuar t'i përgatisin njerëzit për këtë realitet.

(Autori është profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Princeton)

The post Duhet menduar ndryshe për punësimin appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more